Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor deputetin e Partisë Demokratike, Qani Xhafa, për drejtim të automjetit në gjendje të parregullt, duke e dënuar me 9 muaj burg.
Pas konvertimit të dënimit, Gjykata vendosi që ai të paguajë një gjobë prej 900 mijë lekësh, e cila duhet të shlyhet brenda një afati 10-ditor pas hyrjes në fuqi të vendimit.
Më herët, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar një dënim prej 6 muajsh burg për deputetin, me konvertim në 1 vit shërbim prove. Prokuroria pranoi gjithashtu mundësinë që dënimi të konvertohej në një gjobë, duke theksuar se një pagesë në favor të shtetit do të ishte e pranueshme për mënyrën e vuajtjes së dënimit.
Në seancë, avokati mbrojtës theksoi se klienti i tij kishte pranuar ngjarjen dhe kishte bashkëpunuar me autoritetet.
Ai argumentoi se deputeti Xhafa është një person i arsimuar, që atë ditë po kthehej nga një festë familjare me miqtë dhe kërkoi aplikimin e një mase alternative, si dënim minimal, punë me interes publik ose gjobë.
“Qani Xhafa ka qenë në darkë familjare. Dhe po kthehej me shokët dhe miqtë e tij. Ai e ka pranuar ngjarjen. Është i arsimuar. Mund të dënohet me gjobë për shkeljen e konsumuar” – shprehu mbrojtja përpara Gjykatës.
Gjykata u tërhoq në dhomë këshillimi dhe në përfundim vendosi konvertimin e dënimit në gjobë, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe statusin familjar e institucional të të pandehurit.
Akuzat e ngritura lidhen me një aksident të ndodhur gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2023, kur Xhafa, duke drejtuar automjetin tip Toyota në gjendje të dehur, humbi kontrollin dhe u përplas me një shtyllë të ndriçimit në Bulevardin “Qemal Stafa” në Elbasan. Aksidenti shkaktoi vetëm dëme materiale të lehta.
Çështja ndaj deputetit Xhafa mori një zhvillim të ri pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë më 19 maj 2023. Pas këtij momenti, SPAK e kaloi çështjen në Gjykatën e Posaçme, për shkak të mandatit të tij parlamentar.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.