Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi ankimimin e ish-presidentit kundër masës “arrest në burg”, ndërsa dosja ndaj tij dhe Monika Kryemadhit ka kaluar për gjykim pas pesë vitesh hetimesh.
Gjykata e Apelit e Posaçëm ka vendosur lënien në qeli të ish-presidentit Ilir Meta, duke rrëzuar ankimimin e tij kundër masës së sigurisë “arrest në burg”. Meta kishte kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO-së, e cila la në fuqi arrestin me argumentin se pozita e tij është rënduar dhe ekziston rreziku i prishjes së provave apo intimidimit të dëshmitarëve.
Në kërkesën e paraqitur në Apel, Meta dhe avokatët e tij e cilësuan vendimin e mëparshëm të pajustifikuar, duke argumentuar se hetimet janë të përfunduara dhe dëshmitarët kanë dhënë tashmë deklarimet e tyre. Megjithatë, Apeli e rrëzoi këtë pretendim dhe la në fuqi masën e sigurisë.
Ndërkohë, dosja penale ndaj Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, ka kaluar për gjykim pas pesë vitesh hetime nga Prokuroria e Posaçme. Procedimi penal ndaj tyre nisi në vitin 2019 dhe në vitin 2024 u bashkua në një dosje të vetme.
Sipas SPAK, hetimet zbuluan skema korruptive, përdorimin e influencës politike për favore ndaj bizneseve kundrejt shpërblimit, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurive. Përveç Metës dhe Kryemadhit, të pandehur në këtë çështje janë edhe Fatime Kryemadhi (nëna e Monika Kryemadhit), ish-kreu i AKEP Pirro Xhixho dhe financuesja e LSI-së, Ema Çoku.
Akuza ndaj Metës përfshin korrupsion pasiv në tre raste (dy prej tyre në bashkëpunim), ndërsa Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste. Të dy ish-bashkëshortët përballen gjithashtu me veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “mosdeklarimit apo deklarimit të rremë të pasurive”. Ndërkohë, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku akuzohen për pastrim parash, ndërsa Pirro Xhixho për korrupsion pasiv në bashkëpunim.
Meta, i cili që prej tetorit 2024 ndodhet në burg pas vendimit të GJKKO-së, dhe Kryemadhi i kanë cilësuar akuzat si politike dhe të montuara. Kryemadhi, në një deklaratë para SPAK, akuzoi prokurorët për tejkalim kompetencash dhe shpërdorim detyre, duke shtuar se hetimi ndaj saj e familjarëve ka qenë i motivuar dhe intimidues. Ajo ka deklaruar gjithashtu se nuk do të pranojë gjykim të shkurtuar.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.