12/05/2025
Në përgjigje të një artikulli me titull “Kulla e heshtjes, ndërtimi 16-katësh që sfidon ligjin dhe komunitetin në zemër të Tiranës”, Shoqëria ndërtuese A&E Development dhe një nga ortakët e saj, Gentian Parruca, kanë reaguar, duke e konsideruar si të njëanshëm, të pavërtetë dhe dëmtues për reputacionin e tyre.
Kliko këtu për reagimin e studios ligjore.
Megjithëse z. Gentian Parruca i është lënë 5 ditë kohë deri në publikimin e shkrimit, për të reaguar dhe për të saktësuar gjetjet e gazetarëve. Ai, nëpërmjet një studioje ligjore, ka reaguar 10 ditë pas dërgimit të pyetjeve me email ose 5 ditë pas publikimit të shkrimit.
Megjithatë, “shteg.org” gjend me vend të saktësojë.
1- Në shkrimin publikuar fjalia ishte:
“Projekti është hartuar nga studio “Focus Architecture” dhe do të realizohet nga kompania “A & E Development” në pronësi të Gentian Parrucës, ky i fundit nën hetim nga GJKKO për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal”.
Bëhet
“Projekti është hartuar nga studio “Focus Architecture” dhe do të realizohet nga kompania “A & E Development” ku Gentian Parruca zotëron 50% të aksioneve. Emri i Gentian Parrucës përmendet në një çështje të Gjykatës së Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje e sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të një organizate kriminale, me bazë në qytetin e Elbasanit.
“Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga kërkuesit Erjon Rama, Gentian Parruca, Manjola Hysenaj dhe Shoqëria “Hotel Domus” shpk, Klajdi Merkaj, Bledar Paja kundër vendimit nr. 43, datë 19.09.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” – thuhet në njoftim e gjykatës.
2- Në shkrimin e publikuar fjalia ishte:
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se Gentian Parruca, ndërtuesi i kullës, ndodhet nën hetim nga SPAK. Prokuroria ka rënditur emrin e tij në listën e gjatë të personave të lidhur me organizatën krininale të vëllezërve Çopja. Sipas dosjeve hetimore, grupi akuzohet për vrasje me pagesë, trafik droge dhe pastrim parash përmes ndërtimeve të mëdha në Tiranë.
Bëhet
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se emri Gentian Parucës, gjendet në listën e gjatë të personave të cilët kanë bërë rekurs në GJKKO, në lidhje me një pronë e cila dyshohet se është financuar nga organizata kriminale të vëllezërve Çopja.
3- Në shkrimin e publikuar fjalia ishte:
Po ashtu, ai u pyet dhe në lidhje me miqësinë e afërt me Elvis Roshin, ish-kryebashkiaku i Kavajës, edhe ai nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, redaksia nuk mori një përgjigje nga ana e tij.
Bëhet
Po ashtu, ai u pyet dhe në lidhje me Elvis Roshin, ish-kryebashkiakun e Kavajës edhe ai nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, që sipas banorëve fshihet pas këtij investimi. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, redaksia nuk mori një përgjigje nga ana e tij.
05/04/2026
Në përgjigje të një artikulli me titull “Investitorët e padukshëm të ndërtimit nga Shqipëria në Kosovë” ka reaguar shoqëria “ABS Kosova SH.P.K.” duke e konsideruar përfshirjen e emrit të tyre në shkrim si të pavërtetë dhe dëmtues për reputacionin e tyre.
Kliko për reagimin e administratorit “ABS Kosova”
Për realizimin e këtij shkrimi, gazetarja Serbeze Haxhiaj, foli me disa ndërtues në Kosovë, të cilët dëshmuan se disa nga ndërtuesit e mëdhenj në Shqipëri po investojnë në Kosovë, por që në letra janë të padukshëm.
Një prej biznesmenëve, që për shkak të sekretit të ruajtjes së burimit, Shteg nuk mund të bëjë publike emrin e tij, pretendoi se është takuar edhe me përfaqësues kompanish mes tyre edhe me “ABS Kosova SH.P.K.” .
Kompanitë e përmendura nga burimi u pyetën në lidhje me takimet që do të mundësonin investimet në ndërtim në Kosovë, mes tyre ishte edhe kompania ABS Kosova.
Lexo këtu kërkesën për koment
Kompania “ABS Kosova” mohoi të jetë përfshirë në ndërtim, fakt ky që është pasqyruar në shkrim.
Lexo këtu përgjigjen e kompanisë
Pas ankesës së kompanisë, Shteg.org iu rikthye bisedave me burimet, por edhe pse insistohet në takime për nënshkrimin e marrëveshjeve, Shteg.org nuk gjeti burime të tjera të pavarura për të vërtetuar takimet mes biznesmenit dhe Kompanisë “ABS Kosova”.
Për këtë arsye shkrimi ka pësuar këto ndryshime:
1- Në shkrimin e publikuar fjalia ishte:
Liridoni thotë se disa nga ndërtuesit e mëdhenj në Shqipëri po investojnë në Kosovë, por që në letra janë të padukshëm. Biznesmeni tregon se të paktën dy kompani, ABS Kosova SH.P.K. me pronar Gerond Meçe, një biznesmen ky i përfshirë në hetimet e prokurorisë së posaçme mbi AKSHI-n, dhe Arben Isufaj, i njohur gjithashtu si Ben Qimja, i dënuar nga drejtësia italiane në vitin 2014 për trafikimin e kokainës nga Holanda drejt Italisë dhe episode të tjera të trafikut të drogës mes viteve 2004–2005, i kanë kërkuar të bashkëpunojnë për ndërtim në Prishtinë.
PCC nuk është përgjigjur në kërkesën e “shteg.org” për koment rreth kullave në Prishtinë. Ndërsa Advanced Business Solutions – ABS në Tiranë kanë mohuar se janë investitorë dytësorë.
“Në asnjë formë apo mënyrë tjetër shoqëria ABS nuk është përfshirë në ndonjë ndërtim në Kosovë apo edhe Shqipëri”, thuhet në përgjigjen e ABS për “shteg.org”.
Po ndërtuesi prishtinas insiston se ka negociuar për një marrëveshje.
“Ne na ka ofruar të bashkëpunojmë. Por nuk jemi marrë vesh”, thotë Liridoni.
Bëhet:
Liridoni thotë se disa nga ndërtuesit e mëdhenj në Shqipëri po investojnë në Kosovë, por që në letra janë të padukshëm. Biznesmeni tregon se të paktën dy kompani, por edhe Arben Isufaj, i njohur gjithashtu si Ben Qimja, i dënuar nga drejtësia italiane në vitin 2014 për trafikimin e kokainës nga Holanda drejt Italisë dhe episode të tjera të trafikut të drogës mes viteve 2004–2005, i kanë kërkuar të bashkëpunojnë për ndërtim në Prishtinë.
PCC nuk është përgjigjur në kërkesën e “shteg.org” për koment rreth kullave në Prishtinë.
Po ndërtuesi prishtinas insiston se ka negociuar për një marrëveshje.
“Ne na ka ofruar të bashkëpunojmë. Por nuk jemi marrë vesh”, thotë Liridoni.
Shteg.org kërkon ndjesë publike për gabimin dhe ne po punojmë që të mos përsëritet.
Lexo këtu ndjesën publike të “shteg.org”.



















