Dyshimet se një grup kriminal me bazë në Shqipëri qarkullonte drogë nga Amerika Latine drejt porteve të Valencias dhe Roterdamit, për ta shpërndarë më pas në vendet e Bashkimit Evropian, detyruan Prokurorinë e Barit të kërkonte ndihmë nga Shqipëria për gjurmimin e anëtarëve të tij.
Në vitin 2019, Prokuroria e Barit dhe Prokuroria e Posaçme në Tiranë (SPAK) krijuan një skuadër të përbashkët hetimore për të gjurmuar një nga rrjetet më të rrezikshme të trafikut të kokainës. Ndërkohë, udhëheqësi i dyshuar i kësaj organizate nuk po fshihej. Përkundrazi, ai po zgjeronte portofolin e investimeve në pasuri të paluajtshme.
Në kulmin e hetimeve, Elvis Doçi, i njohur në dosjet hetimore si “Visi i Pojës”, siguronte toka me çmime të papërfillshme në periferi të Tiranës, planifikonte komplekse vilash me arkitektë amerikanë dhe pajisej me leje ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) për hotele me pesë yje në bregdetin e Adriatikut.
Sipas materialeve të mbledhura, ai kishte plane të ngjashme edhe me Ergys Agasin për ndërtimin e vilave dhe komplekseve rezidenciale në periferi të kryeqytetit. Agasi është cilësuar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj si një ndërmjetës mes rrjeteve kriminale dhe kryeministrit Edi Rama.
Dokumentet hetimore, të dhënat e Kadastrës dhe dëshmitë e siguruara zbardhin mekanizmin kompleks se si paratë e dyshuara të drogës injektohen në ekonominë shqiptare. Skema kalon nga transporti fizik i parave cash përmes autobusëve të linjave ndërkombëtare, te tjetërsimi i pronave me probleme gjyqësore, e deri te bashkimi i kapitalit me biznese legjitime farmaceutike dhe marka ndërkombëtare hotelerie, duke u shndërruar në asete të mbrojtura me ligj.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të mbështetura në komunikimet e platformës së enkriptuar Sky ECC, tregojnë se grupet kriminale shqiptare kanë arritur një nivel të lartë organizimi në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Sipas një prej hetimeve më të fundit, një organizatë kriminale dyshohet se ka trafikuar rreth 50 tonë kokainë, me një vlerë në tregun me shumicë që tejkalon 1 miliard euro.
Në të njëjtën kohë, raportet vjetore të Departamentit Amerikan të Shtetit e rendisin vazhdimisht Shqipërinë mes vendeve me rrezik të lartë për pastrimin e parave, duke vënë në dukje se sektorë si tregu i pasurive të paluajtshme dhe investimet e mëdha turistike në bregdet mbeten ndër kanalet kryesore për futjen e kapitaleve me origjinë të dyshimtë në ekonominë formale, për shkak të mekanizmave ende të pamjaftueshëm të kontrollit.
Prona në hijen e pushtetit dhe krimit

Në Petrelë, ku kodrat zbresin ngadalë drejt periferisë së Tiranës dhe toka është shndërruar gradualisht në një destinacion të kërkuar për ndërtim, trashëgimtarët e Zyber Qehasë kanë kaluar për më shumë se një dekadë një kalvar të gjatë, nga zyrat shtetërore te sallat e gjyqeve, për të përfunduar në marrëveshje me eksponentë të krimit të organizuar.
73 mijë metra katrorë tokë u shndërruan, për Agim, Hajdar dhe Qemal Lamën, si edhe për Duhije Skënderin, në një mallkim, për të cilin kanë mbetur me vite dyerve të gjykatave.
Për familjen bëhej fjalë për një pasuri të trashëguar. Për institucionet, dokumentet nuk ishin të mjaftueshme.
Në vitin 2012, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave e refuzoi kërkesën, me pretendimin kryesor se “pala nuk provonte të drejtën e pronësisë, sepse të dhënat e dokumenteve nuk gjenin pasqyrim në regjistrat kadastralë”.
Dokumentet e paraqitura nga familja nuk përputheshin me regjistrat kadastralë, duke mos krijuar bindjen për ekzistencën ligjore të së drejtës së pronësisë.
Për familjen Lamja, ky nuk ishte fundi i çështjes, por fillimi i një beteje tjetër, këtë herë në gjykata.
Në Gjykatën e Shkallës së Parë, ata fituan të drejtën e pronësisë. Vendimi u konfirmua më pas edhe nga Gjykata e Apelit, edhe pse Avokatura e Shtetit dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave e kundërshtuan.
Në vitin 2017, çështja mbërriti në Gjykatën e Lartë. Aty ku shumë dosje të ngjashme gjejnë fund, kjo çështje vazhdoi të zvarritej, derisa, në korrik të vitit 2022, gjykata vendosi që prona t’i kthehej shtetit.
Trashëgimtarët e pronës e lidhin periudhën e vendimit të Gjykatës së Lartë me rritjen e interesit për tokën në zonë, e cila ndërkohë po fitonte vëmendje të shtuar për zhvillime turistike dhe rezidenciale.
Prona kishte hyrë në orbitën e interesave private dhe të zhvillimeve të reja në zonë, ku ish-pista e hipizmit ishte transformuar në “Equos Resort”, një hapësirë me pishina, struktura biznesi dhe shenja të qarta të një periferie që po ndryshonte karakter.
Sipas Agim Lamjas, toka nuk ishte vetëm objekt gjykate, por edhe burim presioni dhe ndërhyrjesh të ndryshme, në një terren ku kufijtë mes pronësisë ligjore dhe realitetit në zhvillim shpesh dukeshin të paqartë.
Gjatë një bisede me “Shteg.org”, Lamja ngriti pretendime se për një pjesë të tokës, rreth 50 mijë metra katrorë, ishin bërë përpjekje për përvetësim, fillimisht nga ish-pronari i resortit “Panto”, Arbër Shtylla, dhe më pas nga biznesmeni Klodian Allajbeu.
“Të dy donin të na merrnin tokën dhe çfarë nuk kanë bërë për të na e marrë, duke vënë në lëvizje institucionet shtetërore. Se këtu t’i grabisin gjërat me shtet, kupton?”, tha në një bisedë telefonike Agim Lamja, sot 80 vjeç dhe vëllai më i madh i trashëgimtarëve të familjes Lamja.
Biznesmeni Allajbeu pretendon se blerja e resortit “Panto” është kryer mbi bazën e dokumentacionit të rregullt dhe certifikatave përkatëse të pronësisë.
Sipas tij, në momentin e transaksionit, pronari i mëparshëm dispononte një certifikatë pronësie për rreth 25 mijë m² truall, ndërsa rreth 50 mijë m² të tjerë figuronin të rrethuar dhe të regjistruar në dokumentet kadastrale si tokë shtetërore.
Ai sqaroi se asnjëherë nuk ka qenë palë në gjykatë si pretendent për marrjen e tokës.
“Për këtë sipërfaqe prej 50 mijë metrash katrorë lidha një kontratë qiraje me Bashkinë e Tiranës, e më pas e mbolla me akacie. Në kohën kur bleva biznesin, shitësi më siguroi se toka përreth nuk do të kishte probleme me pretendimet e pronësisë nga trashëgimtarët e familjes Qehaja, pasi u ishin paguar 4 milionë lekë të rinj dhe ishin tërhequr nga çështja në gjykatë”, tha Klodian Allajbeu për “Shteg.org”.
Toka ndodhet në një nga zonat më të frekuentuara të periferisë së kryeqytetit, e cila së fundi është kthyer në një atraksion për ndërtimin e komplekseve me vila për shtresën e pasur të kryeqytetit. Megjithatë, pavarësisht interesit të lartë për prona në këtë zonë, ajo është shitur me një çmim të ulët, 6 euro për metër katror.
Të gjendur mes presionit dhe pasigurisë ligjore, familja Lamja duket se gjeti zgjidhje duke ia shitur tokën Elvis Doçit, i njohur me nofkën “Visi i Pojës”, për shkak të lidhjes familjare me Xhevdet Troplinin, i cili aktualisht është në kërkim nga drejtësia.
Në nëntor të vitit 2021, pronarët shitën 41 mijë e 875 m² tokë për 250 mijë euro, një kontratë që ata thonë se u nënshkrua në kushtet e frikës nga vendimet gjyqësore.
“E vërteta është që ne u detyruam ta shisnim nga frika e shtetit. Allajbeu është gjysma e shtetit sot dhe bën veprime që s’të shkon mendja. Është shitur konform të gjitha rregullave, nga të gjithë ne si trashëgimtarë”, thotë Agim Lamja.
Elvis Doçi, njeriu që hetimet e prokurorisë e identifikojnë si drejtues të një prej organizatave kriminale më të rrezikshme në vend, duket se u kthye në garantues për familjen Lamja.
Por Doçi nuk ishte i vetmi person me lidhje kriminale me të cilin familja Lamja u përfshi në transaksionet e shitjes së tokës.
Në të njëjtën periudhë, një tjetër kontratë u lidh me çiftin Ergys dhe Megi Agasi, të cilët blenë nga trashëgimtarët 10 mijë e 300 m² tokë për vlerën 55 mijë euro, ose 5.3 euro për metër katror.
Agasi rezulton i shpallur në kërkim që prej dhjetorit të vitit të kaluar, i dyshuar për pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, pengmarrje dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal, në një tjetër çështje që lidhet me aferën e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Mes shtetit dhe interesave të fshehta
Por, ndërsa trashëgimtarët e Zyber Qehajës përpiqen të mbyllin një cikël të gjatë gjyqësor përmes shitjes së pjesëve të pronës, dokumentet tregojnë se procesi juridik mbi të njëjtën tokë vazhdon të ndryshojë pronarë.
Në korrik të vitit 2022, Gjykata e Lartë vendosi, në Dhomë Këshillimi, kalimin e pronës te shteti.
Ky vendim u kundërshtua dhe u ankimua në Gjykatën Kushtetuese, e cila, në shtator të vitit 2023, e shfuqizoi atë dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë.
Në vitin 2024, Kolegji Civil vendosi sërish në favor të trashëgimtarëve të familjes Qehaja, duke njohur të drejtën e pronësisë, ndërsa, në të njëjtën kohë, në regjistrat kadastralë prona ishte regjistruar në emër të Elvis Doçit dhe Ergys Agasit.
Mënyrën se si funksionojnë pronësia dhe zhvillimi urban në Shqipëri, disa analistë e përshkruajnë si një terren ku kufijtë mes ligjit, shtetit dhe interesave ekonomike shpesh diktohen nga establishmenti korruptivo-mafioz.
“Shqiptarët sot nuk janë pronarë të pasurive të tyre private dhe, për rrjedhojë, nuk janë të lirë… Sot qytetarit të ndershëm i është cenuar e drejta kushtetuese e pronës private dhe e kapitalit financiar”, thotë Azmi Stringa, pedagog i Ekonomisë në Universitetin New York në Tiranë, i cili e përshkruan situatën si një sistem ku aksesimi i pronës shpesh kalon përmes marrëveshjeve me aktorë të fuqishëm jashtë tregut formal.
“Nëse shqiptari do siguri juridike mbi pronën, ai duhet të hyjë në marrëveshje ose me oligarkun, ose me kriminelin”, thotë pedagogu i ekonomisë, Stringa.
Për analistin Neritan Sejamini, modeli i zhvillimit urban në Shqipëri është rezultat i një bashkëpunimi mes pushtetit politik, grupeve kriminale dhe biznesit, të cilin ai e konsideron një mekanizëm për transferimin e pasurisë publike në duar private.
“Që të realizohen projektet e ndërtimit, në një anë kemi shtetin që jep lejet dhe licencat, kriminelin që zapton apo rrëmben tokën, dhe biznesmenin, i cili ka instrumentin e biznesit për të ndërtuar. Kemi një aleancë pushtet–krim–oligarkë, e cila ka vetëm një qëllim: të grabisë burimet natyrore dhe të mirat publike për të pasuruar këtë grup të vogël”, thotë Neritan Sejamini, analist dhe botues i Exit.al.
Por, ndërsa familja Lamja duket se gjeti zgjidhjen duke e shitur pronën e saj për dy kacidhe, biznesmeni Klodian Allajbeu ngre pretendimin se, edhe pas vendimeve përfundimtare gjyqësore, procesi i regjistrimit të pronës ka mbetur i bllokuar për vite me radhë në institucionet shtetërore.
Sipas tij, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë të korrikut 2022 dhe vendimit përfundimtar të vitit 2024, që i jep zgjidhje çështjes së pronësisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk ka kryer regjistrimin për një periudhë dyvjeçare.
Në atë periudhë, në krye të institucionit ishte Dallëndyshe Bici, e cila është thirrur disa herë nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjen e Ergys Agasit dhe dyshimet për tjetërsim pronash.
“Drejtori i Përgjithshëm i ASHK-së ka kompetenca të karakterit politikëbërës, menaxherial dhe auditues ndaj strukturave të varësisë. Ndërkohë, në po këtë ligj përcaktohen qartë edhe kompetencat e Drejtorit Vendor të ASHK-së, në nenin 10, si autoriteti i vetëm me kompetencën për të kryer veprime në regjistrin publik kadastral, si dhe për të lëshuar akte kadastrale”, tha Dallëndyshe Bici në një përgjigje për “Shteg.org”.
“Sistemi i Kadastrës është një platformë qeveritare e digjitalizuar, e cila administrohet nga AKSHI dhe plotëson kriteret e sigurisë së informacionit. Autorizimin për të kryer veprime e gëzojnë vetëm punonjësit e strukturave të varësisë, sipas juridiksionit territorial përkatës të çdo drejtorie vendore”, shton ajo.
Për pengesat e hasura në zyrat e Kadastrës, ish-pronari i resortit “Panto”, Arbër Shtylla, ka depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për moszbatimin e vendimeve gjyqësore.
Historia merr një kthesë tjetër kur biznesmeni Lefter Sota i paraqet Klodian Allajbeut një ofertë për blerjen e resortit dhe të aseteve të lidhura me të.
Allajbeu thotë se, megjithëse u arrit një marrëveshje, pagesa nuk u krye, çka e detyroi të kërkonte anulimin e kontratës. Që prej asaj kohe, ai pretendon se nuk ka mundur të rikthejë regjistrimin e pronës në Kadastër.
“Mbylla një marrëveshje për shitjen e resortit dhe sipërfaqes së tokës në vlerën 9 milionë euro, si edhe për shlyerjen e kredisë në vlerën 2.5 milionë euro, por, pasi nuk mora paratë, kërkova prishjen e kontratës. Që nga ajo ditë kam kërkuar në Kadastër rifreskimin e certifikatës së pronësisë, por përgjigjet e kësaj agjencie janë se kartela ndodhet në përditësim”, thotë Klodian Allajbeu.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk komentoi mbi pyetjet e dërguara për këtë çështje.
Pushteti dhe krimi në periferinë e Tiranës

Planet për ndërtimin e kompleksit të vilave në tokën përreth Equos Resort datojnë disa vite përpara se biznesmeni Lefter Sota të shfaqte interes për të blerë biznesin e Klodian Allajbeut. Sipas një hetimi të Prokurorisë së Posaçme, më 2 mars 2021, Ergys dhe Megi Agasi kanë lidhur një kontratë sipërmarrjeje me subjektin “Eldemar Construction”, me ortak të vetëm dhe administrator Elvis Doçin, për të bashkëinvestuar në një kompleks rezidencial me vila mbi sipërfaqen në pronësi të tyre prej 10.300 m², ku, në këmbim, do të përfitonin gjysmën e volumit të ndërtimit.
Në vitin 2021, subjekti “Eldemar Construction” ka depozituar një aplikim për pajisjen me leje ndërtimi në këtë zonë, por Këshilli Kombëtar i Territorit nuk ka marrë një vendim. Pavarësisht kësaj, shpresat për zhvillimin e projektit nuk u shuan.
Ishte koha kur djali i Lefter Sotës, Orest Sota, sot nën masën e sigurisë “arrest me burg”, i dyshuar nga SPAK për pjesëmarrje në trafik ndërkombëtar të drogës dhe pastrim parash, kishte lidhur miqësi me Ergys Agasin, pasi kishte kuptuar se ai “kishte shumë fuqi në treg si biznesmen i fuqishëm me pushtetin”.
“Ergysi më tregonte se kishte projekte të mëdha dhe ide të mëdha. Më ka thënë se kishte një tokë ngjitur me Equos Resort. Projekti i vilave është bërë nga një zyrë arkitekture amerikane, ‘Diller Scofidio + Renfro’, të cilët kishin marrëdhënie me Ergysin dhe ishin të preferuar për realizimin e këtyre projekteve për shkak të reputacionit të lartë që kanë”, ka thënë në dëshminë e tij në SPAK Orest Sota.
Ai ka treguar se babai i tij kishte lidhur një kontratë me Klodian Allajbeun për të blerë këtë biznes dhe për të jetësuar, së bashku me Agasin, planin për ndërtimin e vilave.
Gjatë kohës që Sota dhe Agasi po punonin për projektimin e kompleksit të vilave, SPAK kishte shpallur në kërkim, me akuzat për grup të strukturuar kriminal, trafik narkotikësh dhe pastrim parash, një prej pronarëve të truallit, Elvis Doçin.
“Si shpjegohet që asnjë institucion ligjzbatues dhe mbikëqyrës, si Tatimet, Banka e Shqipërisë, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia e Inteligjencës Financiare apo Policia e Shtetit, nuk arrin t’i zbulojë këto skema dhe këtë rrezik, por vetëm SPAK-u? Atëherë kuptohet se gjithçka që po ndodh në sektorin e ndërtimit është me bekimin e shtetit”, sqaron Stringa.
“Gjasat që qindra njerëz, të cilët punojnë në dhjetëra institucione shtetërore në Shqipëri, të mos kenë dyshuar se në projektet ndërtimore ka depërtim të parave me origjinë kriminale janë zero. Me shumë gjasa, ata kanë qenë në dijeni të këtij fenomeni dhe e kanë lejuar. Duke parë përmasat masive të kësaj dukurie, mund të thuhet se kjo gjë mund të ndodhë vetëm nëse lejohet nga maja e shtetit”, shton Sejamini.
Plani për ndërtimin e kompleksit të vilave dështoi kur SPAK nisi hetimin ndaj Agasit dhe ushtroi kontrolle në ambientet e zyrave të tij pranë Equos Resort, në verën e vitit të kaluar, ndërsa marrëveshja me Allajbeun u prish pasi nuk ishin kryer pagesat.
“Tentuam ta blinim këtë pasuri. Duke qenë se isha shok me Ergysin, i kemi lënë një zyrë, vend në të cilin ju keni ushtruar kontroll. Nuk më kujtohet saktësisht si nisën të kryheshin pagesat për Klodian Allajbeun; disa janë bërë me klering, disa me punime. Me sa di, janë paguar edhe këste të kredisë së Equos. Kemi bërë edhe pagesën e kompanisë arkitekturore të sipërpërmendur, në shumën rreth 700 mijë USD. Për këtë mund t’ju vë në dispozicion edhe faturën”, thuhet në dëshminë e Sotës.
Por biznesmeni Allajbeu pretendon se nuk kishte dijeni për personat e përfshirë në marrëveshjen që ai bëri për shitjen e resortit.
“Kur më erdhi oferta nga Lefter Sota, m’u tha se nuk kishin lidhje as me Ergys Agasin dhe as me Elvis Doçin. Prita për pagesën dhe, pasi ajo nuk u krye, në tetor të vitit 2025 kërkova lirimin e ambienteve, sipas kontratës që kishim lidhur”, sqaroi Allajbeu në një bisedë me “Shteg.org”.
Lidhjen e Ergys Agasit me politikën dhe krimin e denoncoi për herë të parë publikisht Arben Ahmetaj, gjatë një interviste të dhënë për emisionin “Report”, në Rai 3, në vitin 2024.
“Grupet kriminale marrin tenderë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Është e ditur kjo në Shqipëri. Ndërtojnë dhe pastrojnë paratë e tyre në ndërtim. Praktikisht shesin drogë në të gjithë Europën dhe më pas i sjellin paratë në Shqipëri. Ka, në fakt, një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri-tjetrin, sepse Edi Rama u ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit: Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë, për llogari të Ramës, koordinator i të gjitha grupeve”, është shprehur Ahmetaj.
I kontaktuar nga “Shteg.org”, avokati i z. Agasi nuk komentoi mbi gjetjet e artikullit.
Ndërtimi mes kapitalit, krimit dhe lejeve të shtetit

Ndërsa hetimet e Prokurorisë së Posaçme, në bashkëpunim me Antimafian Italiane, po i afroheshin përfundimit për një rrjet të dyshuar kriminal të strukturuar, projektet e mëdha të ndërtimit vijonin të avanconin në territor.
Elvis Doçi, sipas të dhënave hetimore, nisi të zgjerojë aktivitetin e tij në sektorin e ndërtimit, si në zonën e Tiranës, ashtu edhe përgjatë vijës bregdetare të Golemit.
Doçi rezulton pronar, që nga viti 2010, i kompanisë “Eldemar Construction”, një shoqëri aktive në projektim dhe ndërtim, e cila, sipas të dhënave financiare, ka gjeneruar rreth 15.7 milionë euro të ardhura dhe 4.35 milionë euro fitime ndër vite. Në janar 2024, kompania bleu një pronë në vijën bregdetare të Durrësit, në rrugën “Liria”, me sipërfaqe 3.598 m² tokë dhe 813 m² ndërtim, e cila më pas u vlerësua nga ekspertët në rreth 2.3 milionë euro.
Po atë vit, struktura e biznesit u zgjerua me krijimin e një shoqërie të re, “Rock of Kavaja”, me fokus investimet në hoteleri dhe turizëm.
Në shtator 2024, disa muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme dhe ndërsa hetimet e SPAK-ut dhe Antimafias Italiane vijonin ende, kompania siguroi një leje zhvillimi për ndërtimin e një hoteli shumëkatësh me 10 kate, papafingo dhe tre kate nëntokë mbi pronën e sapoblerë. Projekti parashikon një strukturë të madhe akomoduese në bregdetin e Adriatikut.
Disa muaj më vonë, në nëntor 2024, “Eldemar Construction” shiti 60% të aksioneve te “CFO Pharma”, një kompani farmaceutike në pronësi të biznesmenit Nadir Çausholli. Sipas kontratave, në projekt përfshihet edhe një kompani ndërkombëtare arkitekture dhe konsulence për studimin e fizibilitetit, duke e pozicionuar zhvillimin si një projekt të strukturuar me partnerë të shumtë financiarë dhe teknikë.
Dokumentet e kontratës përmendin gjithashtu përgatitjen e projektit arkitektonik nga “Rock of Kavaja” dhe hartimin e një studimi fizibiliteti në bashkëpunim me “Horwath Ltd”, ndërsa financimi dhe struktura e investimit lidhen me hyrjen e kapitalit të ri nga partneri strategjik.
“Shoqëria ‘Rock of Kavaja’ ka përgatitur tashmë një projekt të detajuar arkitekturor sa i përket strukturës hoteliere, si dhe një studim të mirëfilltë fizibiliteti me shoqërinë ‘Horwath Ltd’ për ndërtimin e hotelit me 5 yje”, shkruhet në kontratën mes “Eldemar Construction” dhe “CFO Pharma”.
Në planin e zhvillimit, projekti parashikon edhe përfshirjen e një marke ndërkombëtare hotelerie përmes grupit “Pullman Hotels & Resorts”. Në maj 2025, pasi Doçi u shpall në kërkim nga SPAK-u, grupi Accor njoftoi angazhimin e tij në këtë projekt me 184 dhoma, i cili do të “hapë dyert në vitin 2028 dhe synon të jetë destinacioni kryesor në bregdetin e Adriatikut”.
Synimi për sigurimin e kësaj marke është përfitimi nga lehtësitë fiskale të parashikuara për hotelet me 5 yje që operojnë me marka ndërkombëtare, përfshirë uljen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, reduktimin e TVSH-së dhe përjashtimin nga tatimi mbi fitimin për 10 vitet e para.
Sipas kontratës, përfshirja e kompanisë “CFO Pharma” në këtë projekt lidhet me angazhimin e kapitalit të saj për ndërtimin e objektit. Megjithatë, ky paraqitet si një nga rastet e pastra kur kapitali me burime të dyshimta ose i gjeneruar nga aktiviteti kriminal bashkohet me biznese që ushtrojnë veprimtari legjitime.
“Krimi ka kapur edhe bizneset legjitime. Ne e dimë që në ekonomi paraja e pisët e nxjerr jashtë tregut paranë e pastër. Në fillim krimi ndërton vetë, pastaj financon dhe kontrollon biznesin legjitim, dhe gradualisht e gjithë ekonomia kriminalizohet”, thotë Neritan Sejamini.
Në Shqipëri mungon një kuadër ligjor që ndalon dhënien e lejeve për persona ose kompani që kanë në strukturën aksionare individë me të shkuar kriminale ose nën hetim për krime të rënda, në një kohë kur të gjitha vlerësimet e agjencive ligjzbatuese vendase dhe ndërkombëtare e konsiderojnë sektorin e ndërtimit si një nga tregjet me rrezikun më të lartë për pastrimin e parave.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit nuk iu përgjigj pyetjeve të “Shteg.org” nëse kontrollon strukturën e aksionerëve dhe burimin e kapitalit te kompanitë që i propozon Këshillit Kombëtar të Territorit për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe të ndërtimit.
Elvis Doçi nuk ishte i arritshëm për koment, ndërsa kompania “CFO Pharma” nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara lidhur me bashkëinvestimin e saj në projektin e hotelit.
Miliardat e krimit në themelet e ndërtimit
Hetimet e SPAK-ut, të mbështetura në të dhënat e platformës së enkriptuar Sky ECC, sugjerojnë se, që prej vitit 2020, grupet kriminale shqiptare kanë arritur një nivel të lartë organizimi, duke u përfshirë në trafikimin e dhjetëra tonëve kokainë, me një qarkullim financiar të vlerësuar në miliarda euro. Në një nga hetimet më të fundit, SPAK-u ka identifikuar një organizatë kriminale si përgjegjëse për trafikimin e rreth 50 tonëve kokainë, me një vlerë në tregun me shumicë që tejkalon 1 miliard euro.
Dy nga biznesmenët më të mëdhenj të ndërtimit në kryeqytet, Ilir Shtufi dhe Orest Sota, dyshohet se kanë pastruar para që buronin nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Për të pasur një pasqyrë të qartë për përmasat e aktivitetit të tyre, mjafton të thuhet se grupet e kompanive të lidhura me Ilir Shtufin dhe Orest Sotën kanë marrë leje për afro 1 milion metra katrorë ndërtim në Tiranë për ndërtesa të larta (kulla), çka përbën rreth 20% të sipërfaqes së lejuar për këto godina gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.
Raportet pothuajse të përvitshme të Departamentit Amerikan të Shtetit e rendisin Shqipërinë mes vendeve me rrezik të lartë për pastrimin e parave. Sektorë si pasuritë e paluajtshme dhe projektet e mëdha turistike në bregdet shërbejnë shpesh si kanale kryesore për futjen e kapitaleve me origjinë të dyshimtë në ekonominë formale, për shkak të kontrolleve ende të pamjaftueshme mbi burimin e kapitalit.
“Vetëm në datë 15 qershor, SPAK-u sekuestroi prona me vlerë sa gjashtë pallate banimi. Po ashtu, pamë qartë se paratë e krimit janë një burim thelbësor financimi për investimet në kullat e kryeqytetit apo resortet me gardh në bregdet. Qëndrimi i institucioneve publike, përfshirë Bankën e Shqipërisë, se ky sektor ndjek rregullat e logjikës ekonomike, ka rezultuar një gënjeshtër dhe tregon se këto institucione janë akomoduese ndaj këtij modeli ekonomik,” thotë Azmi Stringa.
Analistët e shohin ndërthurjen e kapitalit, ndërtimit dhe sektorëve të ndryshëm të ekonomisë si një fenomen që ngre pikëpyetje serioze mbi burimin e fondeve dhe efektivitetin e filtrave institucionalë.
“Rreziku i vërtetë që kemi në Shqipëri është modeli ekonomik ku burimet e vendit kontrollohen nga aleanca pushtet–krim–oligarkë. Pikërisht kundër këtij modeli po protestohet sot. Kjo kupolë politiko-ekonomiko-kriminale kontrollon mundësitë ekonomike, politike dhe shoqërore dhe nuk lejon askënd të hyjë në këtë territor. Qytetarët janë të përjashtuar nga mundësia që, me asetet, mundësitë dhe idetë e tyre, të ndërtojnë një të ardhme të denjë,” thotë Neritan Sejamini.
Pesha e sektorit të ndërtimit dhe e aktivitetit të pasurive të paluajtshme përbën afërsisht një të pestën e ekonomisë shqiptare dhe gjatë vitit të kaluar gjeneroi rreth 5.6 miliardë euro. Struktura aktuale e ekonomisë po krijon një varësi të theksuar nga ndërtimi. Madje, edhe buxheti i bashkisë më të madhe në vend, Bashkisë së Tiranës, varet në një masë të konsiderueshme nga lejet e ndërtimit dhe taksat që arkëtohen nga ky sektor.
Për vitin 2026, Bashkia e Tiranës planifikon të arkëtojë 83 milionë euro nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për lejet e reja të ndërtimit, ndërsa nga tatimi mbi pasuritë e paluajtshme pritet të mblidhen 43 milionë euro. Vetëm këto dy burime përbëjnë 56% të të ardhurave.
Gjallërimi i këtij sektori ka rritur në mënyrë artificiale çmimet e pasurive të paluajtshme, duke krijuar kosto të larta dhe, në shumë raste, të papërballueshme për qytetarët.
“Në këtë sektor, gjithçka fillon me monopolin dhe arbitraritetin në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe në miratimin e planeve zhvillimore, kompetenca që tashmë është përqendruar në dorën e një njeriu, kryeministrit. Nëse nuk je klient i pushtetit, e ke shumë të vështirë ta zhvillosh pronën tënde. Shteti është vënë në shërbim të oligarkisë dhe mafias dhe përdor çdo mekanizëm për ta penguar pronarin ta shfrytëzojë pronën e vet. Pasi ia blejnë pronarit tokën për dy lekë si tokë bujqësore, e kthejnë në truall. Ose kemi raste kur shteti i ka thënë pronarit që nuk pranon ta shesë tokën: ‘Në pronën tënde do të kalojë rruga ose do të ndërtohet një lulishte, prandaj duhet të shpronësohesh’, ndërsa toka e biznesmenit të madh lejohet të zhvillohet dhe të ndërtohet,” thotë Azmi Stringa.
Ola Xama është gazetare në fushën e ekonomisë prej 15 vitesh, e fokusuar së fundi në zhanrin e analizave dhe investigimeve. Është autore e emisionit investigativ ‘Kronos’ në MCN Tv, dhe më parë ka punuar si gazetare në fushën e ekonomisë në televizionet Euronews Albania, Klan Tv dhe Vizion Plus. Është autore e dhjetra investigimeve që lidhen me financat, pastrimin e parave dhe abuzimet e autoriteve publike me qytetarët. Është diplomuar pranë Universitetit të Tiranës në degën Gazetari dhe ka përfunduar studimet master në të njëjtën degë.


























