Dy deputetë shqiptarë lobuan kundër amendamenteve për Zvërnecin në Parlamentin Evropian

32
Letra e dy deputeteve
Credits: shteg.org - Letra e dy deputeteve

Dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë u kanë kërkuar anëtarëve të Parlamentit Evropian të mos mbështesin dy amendamente të Raportit për Shqipërinë 2025, të cilat lidhen me një projekt turistik në zonën e Zvërnecit, sipas një emaili të siguruar nga shteg.org.

Emaili, i dërguar më 16 qershor nga Taulant Balla, bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, dhe Bora Muzhaqi, nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme, argumenton se amendamentet 4 dhe 17 janë “rezultat i një fushate dezinformimi që synon të shtrembërojë të vërtetën” dhe u kërkon eurodeputetëve të mos i mbështesin ato.

Emaili u dërgua pak përpara votimit të Parlamentit Evropian për Raportin mbi Shqipërinë.

Amendamentet kishin të bënin me projektin e planifikuar turistik në zonën e Zvërnecit, i cili është kundërshtuar nga organizatat mjedisore, të cilat argumentojnë se zhvillimi rrezikon një nga ekosistemet më të ndjeshme bregdetare të Shqipërisë.

Në email, Balla dhe Muzhaqi shkruajnë se projekti “nuk ka asnjë lidhje me Deltën e Vjosës” dhe theksojnë se për të nuk është dhënë leje ndërtimi. Sipas tyre, është miratuar vetëm një leje zhvillimi, e cila lejon përgatitjen e projektit, por jo nisjen e punimeve.

Deputetët shtojnë se çdo ndërtim i mundshëm do të duhet t’i nënshtrohet një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian.

Në email thuhet gjithashtu se statusi i mbrojtur i zonës Pishë Poro–Nartë nuk ka ndryshuar dhe se ajo vazhdon të jetë një Peizazh i Mbrojtur i Kategorisë V, sipas IUCN-së, që prej vitit 2004. Gjithashtu, autorët theksojnë se toka ku parashikohet zhvillimi është pronë private dhe se qeveria shqiptare nuk është palë në transaksionet e pronësisë që lidhen me projektin.

“Ju kërkojmë me respekt të mos mbështesni këto dy amendamente”, shkruhet në email, ku autorët falënderojnë gjithashtu raportuesin Andreas Schieder dhe raportuesit në hije për punën në hartimin e Raportit për Shqipërinë 2025.

Organizatat mjedisore kanë argumentuar se projekti mund të dëmtojë habitatet e mbrojtura dhe kanë lobuar pranë eurodeputetëve për të mbështetur amendamentet që kërkonin mbrojtje më të fortë të zonës.

Emaili nxjerr në pah përpjekjet paralele të palëve për të ndikuar në debatin përpara votimit në Parlamentin Evropian: nga njëra anë, përfaqësues të shumicës qeverisëse që mbrojnë projektin dhe, nga ana tjetër, organizatat mjedisore që kërkojnë rritjen e vëmendjes së institucioneve evropiane ndaj ndikimit të tij në mjedis.

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025, ku shpreh shqetësim të thellë për ndërhyrjet në zonën e mbrojtur Vjosa–Nartë dhe kërkon forcimin e respektimit të sundimit të ligjit dhe standardeve mjedisore të BE-së në procesin e anëtarësimit.

Rezoluta kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke i konsideruar ato si një dobësim të mbrojtjes së ekosistemeve të rëndësishme, që kanë hapur rrugë për zhvillime turistike në zona të ndjeshme. Po ashtu, kërkohet edhe vendosja e një moratoriumi për leje dhe ndërhyrje të reja në këto zona deri në përputhje të plotë me standardet e BE-së.

Përfaqësues të organizatave mjedisore dhe ekspertë e kanë përshëndetur rezolutën si një sinjal të fortë politik nga BE-ja, duke theksuar se çështja nuk lidhet vetëm me mjedisin, por edhe me sundimin e ligjit, transparencën dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Ata theksojnë se situata në Vjosa–Nartë po shihet si një test për gatishmërinë e Shqipërisë për të zbatuar ligjet dhe standardet e BE-së, ndërsa kritikojnë vazhdimin e punimeve dhe mungesën e vlerësimeve mjedisore dhe konsultimeve publike.

Rezoluta gjithashtu vë në dukje shqetësime për Ligjin për Investimet Strategjike dhe mungesën e kontrollit mjedisor në procedurat e përshpejtuara të lejeve.

Në përfundim, Parlamenti Evropian e konsideron mbrojtjen e Vjosa–Nartës dhe përputhjen me legjislacionin mjedisor të BE-së si kusht thelbësor në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit, duke theksuar se zhvillimi ekonomik nuk mund të vijë në kurriz të zonave të mbrojtura dhe të sundimit të ligjit.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.