Zvërneci rikthen alarmin për Vjosë-Nartën

Organizata ndërkombëtare e biodiversitetit paralajmëron për shkatërrimin e habitatit në Pishë-Poro, ndërsa Sekretariati i Konventës së Bernës konfirmon se zhvillimet në Vjosë-Nartë vijojnë të monitorohen në kuadër të një procedure të hapur prej vitit 2016.

19
Qytetarë duke protestuar kundër projektit në Zvërnec
Credits: LSA - Qytetarë duke protestuar kundër projektit në Zvërnec

Vjosë-Narta është kthyer në shqetësimin kryesor të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që prej ditës kur dunat shekullore dhe pishat mesdhetare nisën të betonizoheshin nga buldozerët e ndërtimit.

Sekretariati i Konventës së Bernës ka konfirmuar për “shteg.org” se çështja e Vjosë-Nartës vijon të trajtohet në kuadër të një dosjeje ndërkombëtare të hapur që prej vitit 2016, e cila monitoron ndikimet e zhvillimeve infrastrukturore në këtë kompleks ekologjik.

BirdLife International, një rrjet ndërkombëtar organizatash për mbrojtjen e shpendëve dhe biodiversitetit, paralajmëron në një përgjigje zyrtare për “shteg.org” se dëmet e shkaktuara deri më tani janë të rënda dhe, në disa raste, “potencialisht të pakthyeshme”.

Organizata bën të ditur se përfaqësues nga 19 vende të ndryshme vizituan zonën rreth një muaj më parë dhe ishin dëshmitarë të hyrjes së mjeteve të rënda në zemër të Peizazhit të Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, ku po hapeshin rrugë përmes pyllit me pisha dhe dunave bregdetare shekullore.

“Me buldozerët që po e shkatërrojnë zonën pa asnjë vlerësim ndikimi, dëmi ekologjik është i rëndë dhe në disa raste tashmë i pakthyeshëm”, thuhet në përgjigjen për “shteg.org”.

Sipas organizatës, ndërhyrjet janë kryer pa vlerësime mjedisore të miratuara, pa konsultim publik dhe pa procedura transparente lejesh, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende shpjegime të qarta mbi natyrën e projektit dhe subjektet që po kryejnë punimet.

Dokumentet e vetme publike të disponueshme deri më tani janë ato të tenderave, të cilat tregojnë përmasat e mëdha të ndërhyrjes dhe që, sipas tyre, ngrenë shqetësime serioze për një nga ekosistemet më të rëndësishme, jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë Mesdheut.

“Nëse shkatërrimi vazhdon, ai do të shkatërrojë de facto të gjithë ekosistemin dhe do ta zëvendësojë atë me një zonë urbane që nuk do të strehojë më speciet kryesore të zonës”, thuhet në përgjigjen zyrtare për “shteg.org”.

Ata vlerësojnë se hedhja e zhavorrit dhe materialeve të tjera ndërtimore mbi dunat shekullore të rërës, të mbrojtura nga legjislacioni shqiptar si Monument Natyre, shkakton dëme që kërkojnë qindra vite për t’u rikuperuar. Edhe bllokimi i një prej hyrjeve natyrore që lidh Lagunën e Nartës me detin ka ndërprerë shkëmbimin natyror të ujërave, duke ndikuar drejtpërdrejt te peshqit, shpendët dhe i gjithë zinxhiri ushqimor.

Nën vëzhgim ndërkombëtar

Flamingo, simbol i protestave
Credits: LSA – Flamingo, simbol i protestave

Një dosje e hapur për Shqipërinë, e cila lidhej fillimisht me hidrocentralet në lumin Vjosë, daton që në vitin 2016. Më pas, ajo u zgjerua shtatë vite më vonë për të përfshirë projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe ndikimet e tij në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Konventa e Bernës ka kryer dy misione verifikimi në terren për këtë dosje, ndërsa në vitin 2023 Komiteti i Përhershëm i saj miratoi një rekomandim, në të cilin u kërkonte autoriteteve shqiptare pezullimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës deri në kryerjen e një procedure të plotë të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.

Edhe BirdLife International thekson se ndërhyrjet e fundit në kuadër të projektit të lidhur me “Affinity Partners” të Jared Kushner, Zvërnec Peninsula, pasojnë ndërtimin e aeroportit në të njëjtën zonë të mbrojtur.

“Shkatërrimi aktual në zemër të Vjosë-Nartës pason ndërtimin e paligjshëm të aeroportit në të njëjtën zonë, të cilin e kemi dënuar publikisht dhe e kemi kundërshtuar në gjykatë”, deklaroi BirdLife International.

Organizata e konsideron zonën e Vjosë-Nartës si një prej ligatinave më të rëndësishme të Mesdheut. Zona strehon më shumë se 200 lloje shpendësh dhe mbi 70 specie të rrezikuara, përfshirë flamingot dhe pelikanin kaçurrel. Vendndodhja në Adriatik bën që të jetë një nga korridoret më të rëndësishme migratore për miliona shpendë që lëvizin çdo vit mes Afrikës dhe Europës.

Kjo sjell që pasojat të mos jenë të izoluara vetëm në vendin tonë, por efektet që do të prodhohen të ndihen në zinxhir edhe në kapacitetet e vendeve fqinje për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e saj, çdo dëmtim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të rëndë mbi këto specie, duke rrezikuar gjithashtu aftësinë e vendeve të tjera për të përmbushur angazhimet e tyre për biodiversitetin sipas ligjeve kombëtare, europiane dhe ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Përtej pasojave ekologjike, BirdLife International argumenton se zhvillimet aktuale bien ndesh me detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Ndërtimet aktuale përbëjnë një shkelje të qartë të procesit të anëtarësimit në BE, i cili kërkon që Shqipëria të përafrojë legjislacionin kombëtar me acquis-in e BE-së për mbrojtjen e natyrës. Pozicioni më i fundit i përbashkët për Kapitullin 27 (Mjedisi) kërkon shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligji nr. 21/2024), i cili konsiderohet i papajtueshëm me legjislacionin e BE-së dhe po përdoret nga qeveria për të justifikuar punimet aktuale”, thekson organizata, duke ngritur shqetësime serioze mbi mundësinë e përputhshmërisë me ligjin mjedisor, që mbase mund t’i kushtojë Shqipërisë aderimin në BE.

Në përgjigjen zyrtare për “shteg.org”, rrjeti ndërkombëtar bën me dije se ka adresuar shqetësimet e tij pranë institucioneve europiane nëpërmjet takimeve të zhvilluara me Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, si dhe duke informuar për situatën Komisioneren për Zgjerimin Marta Kos dhe Komisioneren për Mjedisin Jessika Roswall.

Përtej paralajmërimeve të organizatave, Qeveria Shqiptare ka deklaruar vendosmëri në realizimin e projektit, ndërsa ambientalistët vlerësojnë se shkalla e ndërhyrjes aktuale përbën “dëmin më të madh të regjistruar ndonjëherë në zonat e mbrojtura të Shqipërisë”.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.