Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim një tjetër grup të pandehurish në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, një nga hetimet më të mëdha të ndërtuara mbi komunikimet e platformës së koduar Sky ECC, duke i akuzuar për vrasje, organizatë kriminale dhe përgatitje atentatesh.
Mes të pandehurve janë Ervis Martinaj, i shpallur i zhdukur që prej gushtit 2022, Nuredin Dumani, i cili ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve”, si dhe pesë persona të tjerë që, sipas SPAK-ut, lidhen me grupin kriminal “Bajri”.
Prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti përfunduan hetimet dhe dorëzuan aktet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila pritet të caktojë gjyqtarin që do ta shqyrtojë çështjen në seancën paraprake.
Sipas akuzës, grupi mban përgjegjësi për vrasjen e Gjin Boricit Ndoj në Vaun e Dejës në vitin 2020, ndërsa akuzohet gjithashtu për krijimin e kushteve për vrasjen e Ibrahim Licit, Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Kleant Musabelliut.
SPAK-u i akuzon të pandehurit për “vrasje me paramendim” në formën e posaçme të bashkëpunimit, “grup të strukturuar kriminal”, “sigurim të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes”, si dhe vepra të tjera penale.
Sipas dosjes hetimore, Gjin Ndoji, i njohur edhe me mbiemrin Boriçi, u vra në gusht 2020 me dy plumba në kokë dhe një në shpatull. Prokuroria dyshon se ai u ekzekutua pasi kishte dështuar të përmbushte një detyrë kriminale dhe ishte konsideruar tradhtar nga Ervis Martinaj. Hetuesit thonë se motivi lidhej edhe me një borxh prej 100 mijë eurosh që viktima dyshohej se kishte ndaj Martinajt.
SPAK-u pretendon se vrasja ndodhi në një periudhë kur grupet e Ervis Martinajt dhe Behar Bajrit bashkëpunonin ngushtë, duke koordinuar veprimtari kriminale dhe ekzekutime për interesa të përbashkëta.
Për të njëjtat ngjarje janë duke u gjykuar, në një proces të ndarë, edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, Behar Bajri dhe disa të pandehur të tjerë.
Dosja “Metamorfoza” është hetimi i parë i SPAK-ut që mbështetet gjerësisht në komunikimet e siguruara nga platforma e koduar Sky ECC dhe është ndarë në disa fraksione. Për një pjesë të të pandehurve janë dhënë tashmë vendime përfundimtare, ndërsa proceset për të tjerët vijojnë.
Të pandehurit e dërguar për gjykim në këtë fraksion janë Ervis Martinaj, Denis Brajoviq, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Nuredin Dumani, Eljon Hato, Arsad Bashli dhe Bardhyl Mavraj.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























