Rroftë keqqeverisja!

Keqqeverisja nuk është thjesht një mënyrë për të qeverisur. Është industria më produktive e vendit. Ajo mban në punë mijëra njerëz, vë në qarkullim miliona euro dhe ushqen një ekonomi të tërë: politike, mediatike, juridike dhe civile.

12
Qeveria e kryeministrit Rama
Credits: Kyeministria.al - Qeveria e kryeministrit Rama

Ekonomistët vazhdojnë të na flasin për industrinë e ndërtimit, turizmin, bujqësinë, teknologjinë dhe energjinë. Por të gjithë harrojnë sektorin më të madh prodhues të vendit: keqqeverisjen.

Ndërkohë që bota shqetësohet se Inteligjenca Artificiale do t’u marrë njerëzve punën, këtu mund të vijë kiameti në qoftë se një ditë vendi qeveriset mirë. Mendoni pak: po të mos kishim keqqeverisje, sa profesione do të zhdukeshin brenda natës?

Së pari, do të mbeteshin pa punë analistët. Ç’do të analizonin çdo mbrëmje 33 emisionet që zgjasin nga tri orë rresht (pak më shumë se protesta)? Po 1,500 të ftuarit që bredhin studio më studio nga mëngjesi deri në mesnatë? Ekrani ka nevojë për krizën si peshku për ujin. Problemi është se peshku këtu nuk noton, komenton.

Gazetaria investigative do të hynte në krizën më të madhe në historinë e saj. Në mungesë të aferave, gazetarët do të detyroheshin të raportonin për rrugë që mbarojnë në afat, tendera që fitohen pa mik dhe spitale ku ilaçet gjenden po aq lehtë sa kafenetë në Tiranë. Një gazetar pa skandal është si peshkatari pa det: teorikisht profesionist, praktikisht i papunë.

Opozita, e vjetra, e reja dhe ajo që ende nuk po lind, do të përballej me sfidën më të madhe: do t’i duhej të prodhonte ide. Dhe kjo, siç e dimë, është një zeje shumë më e vështirë sesa prodhimi i deklaratave.

Dhe këto janë vetëm dëmet e para. Sepse keqqeverisja nuk prodhon vetëm skandale. Ajo prodhon treg.

SPAK-u dhe GJKKO-ja do të përballeshin me një krizë ekzistenciale. Në vend të dosjeve me miliona euro, prokurorët do të merreshin me parkimet dyshe, volumin e muzikës në lokale dhe fishekzjarrët pas mesnate. Për herë të parë në historinë e drejtësisë botërore do të dëgjohej ankesa më dramatike: “Nuk kemi çështje.” Ndërsa Komisioni Xhafaj do të mbyllej pa nisur punë.

Avokatët penalistë do të detyroheshin të hapnin pastiçeri, ndërsa ekspertët e antikorrupsionit do të rikualifikoheshin në shefa kuzhine, instruktorë palestre ose mësues joge.

Edhe gjuha jonë, e ëmbël dhe e dëlirë, do të varfërohej. Nuk do të kishim më nevojë për perla komunikimi si: “Kjo është propagandë”, “Sulm i orkestruar”, “Nuk ka korrupsion, ka vetëm perceptim”, “Faji është i algoritmit” apo “Janë armiqtë e jashtëm”. Fjalori politik do ta humbiste gjysmën e pasurisë së vet.

Ushtria e patronazhistëve dhe profileve false do të mbetej pa mision. Është shumë më e vështirë të lavdërosh një rrugë që nuk shembet sesa të shpjegosh pse u shemb menjëherë pas inaugurimit.

Edhe protesta e bukur 44-ditore do të mbetej pa estetikë. Nuk do të kishte më pankarta kreative, megafonë, meme, marshime dhe ekspertë që numërojnë protestuesit sipas këndit dhe lartësisë së dronit.

Shkrimtarët dhe satiristët do të ishin viktimat e radhës. Çfarë do të shkruanin? Alegori për funksionimin normal të shtetit? Barcaleta për transparencën? Poezi për konkurrencën e ndershme? Satira është si zogu: ka nevojë për erë kundër vetes. Pa rezistencë, nuk fluturon; bie në tokë si euro përballë lekut.

Në fund, edhe vetë qeveria do të përballej me krizë identiteti. Për dekada është stërvitur të luftojë pasojat e keqqeverisjes. Po t’i heqësh shkakun, çfarë do të mbetet për të bërë? Të qeverisë? Mos o Zot!

Prandaj, ndoshta duhet të jemi jo vetëm me këmbë në tokë, por edhe mirënjohës ndaj keqqeverisjes. E kemi kufizuar dhe banalizuar debatin vetëm te korrupsioni dhe skandalet. Në fakt, keqqeverisja prodhon përplasje parlamentare, komisione hetimore, konferenca shtypi, deklarata, mohime, përgënjeshtrime, relativizime, ekspertë, analistë, aktivistë, emisione, meme, podkaste, reforma, kundërreforma, strategji, plane veprimi dhe pafund justifikime pse gjërat nuk janë ashtu siç u premtuan.

Madje edhe lufta kundër keqqeverisjes jeton falë ekzistencës së saj. Fondet nga jashtë dhe brenda, projektet antikorrupsion, konsulentët, trajnimet për transparencë – të gjitha kanë nevojë për një armik që të justifikojnë ekzistencën e vet. Kush do të financonte një luftë në mungesë të armikut?

Me një fjalë, keqqeverisja nuk është thjesht një mënyrë për të qeverisur. Është industria më produktive e vendit. Ajo mban në punë mijëra njerëz, vë në qarkullim miliona euro dhe ushqen një ekonomi të tërë: politike, mediatike, juridike dhe civile.

Prandaj kujdes me luftën kundër saj, se mund të shkaktojmë papunësi masive, një ’97 të dytë.

Ndaj…

Rroftë keqqeverisja!

Lutfi Dervishi
+ posts