Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dënoi të premten pesë persona me një total prej mbi 31 vitesh burg në një prej çështjeve që buron nga dosja penale “Revanshi”, pasi i shpalli fajtorë për vepra që lidhen me përgatitjen e vrasjeve, kultivimin e lëndëve narkotike dhe trafikimin e armëve.
Të gjithë të pandehurit përfituan ulje të dënimit me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sipas vendimit, ish-efektivi i forcave speciale RENEA, Adrian Pikli, dhe Devis Bajramaj u dënuan fillimisht me nga 10 vjet burg, të reduktuara në 6 vjet e 8 muaj secili. Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, u dënua me 11 vjet burg, të reduktuara në 7 vjet e 4 muaj. Elvis Ndreca, kushëri i tij, dhe Edison Muçeku u dënuan fillimisht me nga tetë vjet burg, dënime që u ulën në 5 vjet e 4 muaj secili.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) i akuzoi të pandehurit për një sërë veprash penale, përfshirë sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve, kultivimin e bimëve narkotike dhe armëmbajtjen pa leje.
Sipas dosjes hetimore të SPAK-ut, hetimet dokumentuan veprimtari kriminale gjatë viteve 2020–2021, duke përfshirë përgatitjen e atentateve, trafikimin e armëve dhe kultivimin e kanabisit.
Prokuroria pretendon se, gjatë periudhës maj–korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku siguruan mjete logjistike për vrasjen e Hamza Terziut, ndërsa gjatë muajve korrik–gusht 2020, Elvis Ndreca siguroi mjete për një atentat ndaj Durim Bamit.
Hetimet lidhen gjithashtu me atentatin e 4 nëntorit 2020 pranë Urës së Tapizës, ku u qëllua ndaj automjetit me të cilin udhëtonin Durim Bami dhe Ervin Kodra. Kodra mbeti i plagosur, ndërsa Bami shpëtoi pa lëndime. SPAK pretendon se ngjarja ishte pjesë e një konflikti mes grupeve kriminale.
Sipas akuzës, Armando Ndreca organizoi dhe financoi kultivimin dhe shitjen e 243 kilogramëve kanabis në qarkun e Lezhës gjatë tetorit 2020. Ndërkohë, Adrian Pikli dhe Devis Bajramaj akuzohen se, gjatë viteve 2020–2021, u përfshinë në trafikimin e armëve dhe municioneve, të cilat, sipas SPAK-ut, iu shitën edhe personave me precedentë penalë.
Hetimet u mbështetën, ndër të tjera, në komunikime të përgjuara nga platforma e koduar Sky ECC, të cilat, sipas prokurorisë, zbuluan planifikimin e atentateve dhe lidhje mes të pandehurve. Disa episode të tjera të dosjes mbeten nën hetim ose janë ndarë në procese të veçanta gjyqësore.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























