Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen që dokumenton konfliktet dhe përplasjet mes grupeve kriminale në vend. Në seancën e zhvilluar më 17 mars 2026, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela vendosi kalimin e çështjes në gjykim themelor, duke pranuar provat e mbledhura nga Prokuroria e Posaçme si të mjaftueshme për të nisur procesin.
Në dhjetor të vitit të shkuar, prokuroria mbylli hetimet. Sipas saj, dosja ka dokumentuar 12 ngjarje kriminale që ndodhën, u përgatitën ose dështuan gjatë vitit 2020 nga 7 grupe kriminale, të cilat vepronin në qytete si Lezha, Durrësi, Kruja, Tirana, Vlora dhe Burreli. Në total, Prokuroria lëshoi 50 urdhër-arreste, dhe në operacionin policor të quajtur “Revanshi” u zhvillua në mbarë vendin. Pothuajse gjysma e urdhër-arresteve janë ekzekutuar deri tani.
Në dosjen e prokurorisë përfshihen edhe persona me lidhje me strukturat e policisë, të cilët dyshohen se kanë përdorur pozicionin e tyre për të favorizuar aktivitetet kriminale. Altin Morina, ish-efektiv i RENEA-s, dyshohet se ka ndihmuar grupin e Durim Bamit në kultivimin e kanabisit, duke siguruar informacione mbi operacionet policore dhe duke lehtësuar shmangien e kontrolleve në parcelat e drogës. Ai akuzohet gjithashtu për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Henerigert Mitri, ish-drejtues në Policinë e Lezhës, ka përdorur rolin e tij zyrtar për të favorizuar kultivimin e lëndëve narkotike dhe për të dhënë informacion që ndihmonte grupet kriminale të shmangnin aksionet e policisë. Ai dyshohet të ketë përdorur edhe aplikacionin e enkriptuar SkyECC për komunikime të fshehta dhe është akuzuar për shpërdorim detyre dhe tolerim të aktiviteteve të paligjshme si lojërat e fatit.
Një numër i madh i të akuzuarve vijon të jetë në kërkim, ndërsa gjykata ka vendosur kalimin për gjykim të 8 personave që tashmë ndodhen në paraburgim. Mes të pandehurve që do të përballen me drejtësinë janë Durim Bami, Aldo Avdyli, Marklen Haka, Altin Morina, Jozi Kraja, Henerigert Mitri dhe Edson Jozwik. Ata përballen me akuza të rënda, duke përfshirë sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve, tentativa për vrasje, trafik dhe kultivim narkotikësh, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas dosjes hetimore, një pjesë e akuzave lidhen me ngjarje të vitit 2021, ku dyshohet se janë ndërmarrë hapa për eliminimin e disa personave, mes tyre ish-deputeti Arben Ndoka, si edhe shtetasit Tori Xheçuku dheErigers Mihasi. Prokuroria pretendon se këto veprime janë kryer në bashkëpunim me individë të tjerë të njohur për botën e krimit.
Hetimet përshkruajnë gjithashtu një aktivitet të organizuar në fushën e kultivimit të kanabisit në zonën e Niklës dhe Bubqit gjatë viteve 2019–2020, ku rolet brenda grupit janë të ndara mes organizimit, financimit dhe sigurimit të informacionit për të shmangur ndërhyrjet e policisë.
Një nga elementët kyç të dosjes lidhet me përplasjen mes grupeve rivale, ku hetimet kanë zbuluar se një strukturë me rreth 16 persona ishte angazhuar për eliminimin e Durim Bamit dhe vëllait të tij, Valter Bamit, i cili u arrestua në Dubai në tetor 2024 dhe u ekstradua në Shqipëri vetëm pak ditë më parë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo strukturë vepronte për llogari të ish-deputetit Arben Ndoka, ndërsa financimi dhe mbështetja logjistike dyshohet se siguroheshin nga Ervis Martinaj. Motivi i dyshuar lidhet me vrasjen e Aleksandër Ndokës në vitin 2017, për të cilën ekzistonin dyshime se mund të ishte përfshirë edhe Durim Bami.
Hetimet përshkruajnë një seri përpjekjesh për atentat, përfshirë ndjekjen e Bamit nga Nikla deri në Sarandë, si dhe tentativa për ta joshur në një takim në Shkodër, që do të përfundonte me eliminimin e tij, plan që dështoi. Prokuroria ka detajuar ndarjen e roleve brenda grupit. Arben Ndoka dyshohet si porositës dhe financues, ndërsa familjarë dhe bashkëpunëtorë të tij kanë pasur funksione organizuese, koordinuese dhe operative në terren. Emra të njohur të botës së krimit përmenden si pjesë e zinxhirit të ekzekutimit, lokalizimit dhe sigurimit të kushteve për atentat.
Hetimet zbulojnë se janë përdorur metoda të ndryshme për realizimin e planit, përfshirë vëzhgimin e vazhdueshëm, sigurimin e armëve dhe automjeteve, si dhe tentativa për infiltrimin e një personi të afërt me objektivin, në formën e një informatoreje. Megjithatë, të gjitha përpjekjet për eliminimin e Bamit rezultuan të dështuara.
Një grup prej 16 vetash ishte mobilizuar për “kokën” e Durim Bamit për llogari të ish-deputetit Arben Ndoka, me financim të Ervis Martinaj, i cili dyshohej se kishte dyshime të forta se Bami kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të deputetit, Aleksandër Ndoka. Durim Bami i kishte kërkuar pajtim me Ndokën, por ai nuk e ka besuar, ndaj e ka gjurmuar për ta vrarë, nga Nikla deri në Sarandë.
Prokuroria pretendon se ka dokumentuar rolin e të pandehurve ndaj të cilëve janë ngritur akuza për “Sigurimin e kushteve për të kryer vrasje” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, në maj 2024 janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 4.5 milionë euro, që përfshijnë bizhuteri dhe orë të shtrenjta, flori, euro cash, armë zjarri, automjete luksoze të blinduara, sisteme vrojtimi me kamera, tavolinë pokeri dhe sende të tjera me vlerë.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.

























