Prej gjashtë ditësh me radhë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, qytetarë të shumtë janë mbledhur në protestë masive, duke e mbushur bulevardin me flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrje të ndryshme politike e sociale. Atmosfera e protestës është karakterizuar nga pjesëmarrje e lartë dhe mesazhe të forta kundër qeverisjes aktuale.
Protestuesit kanë mbajtur pankarta me përmbajtje të ndryshme, disa prej të cilave synojnë të theksojnë distancimin nga partitë politike, si “Rama n’burg, Berisha n’burg”, ndërsa të tjera shprehin kërkesa të drejtpërdrejta politike dhe sociale si “Edi Rama dorëhiqu”, “Atdheu nuk është në shitje”, “Ju jeni hajdutë”.
Mesazhet e protestuesve kanë varijuar nga kërkesa për dorëheqje të qeverisë deri te sloganet që theksojnë pakënaqësinë ndaj situatës ekonomike dhe çmimeve të larta të jetesës. Në qendër të tyre qëndron një ndjenjë e përgjithshme pakënaqësie dhe kërkesa për ndryshim politik, ndërsa protestuesit theksojnë se lëvizja e tyre është qytetare dhe jo e lidhur me parti politike.
Ndërkohë që në Tiranë turma vazhdon të protestojë, në Vlorë Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime me banorë të zonës dhe ka reaguar publikisht mbi çështje që lidhen me projektet investuese në jug të vendit. Ai ka sqaruar se projektet në zona si Sazani dhe Zvërneci nuk janë rezultat i vendimmarrjes politike direkte, por procese të bazuara në marrëdhënie private mes investitorëve dhe pronarëve të tokës, të cilat më pas verifikohen nga institucionet shtetërore.
Rama ka theksuar gjithashtu se shteti ndërhyn vetëm në aspektin ligjor dhe administrativ, përmes verifikimit të dokumentacionit dhe procedurave të pronësisë, ndërsa çdo marrëveshje mes palëve private mbetet jashtë ndërhyrjes së qeverisë. Sipas tij, disa fonde investitorësh janë bllokuar për shkak të një hetimi në zhvillim, por jo për shkak të projektit në vetvete.
Ndërkohë, protesta për mbrojtjen e zonave të Pishë Poros, Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës është zgjeruar ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit. Ajo ka kaluar kufijtë e Vlorës dhe është shtrirë në qytete të tjera si Tirana, Durrësi dhe Korça, si dhe në disa qytete jashtë Shqipërisë, në Europë dhe Amerikën e Veriut.
Qytetarët, aktivistët dhe ambientalistët shprehen të shqetësuar për projektet ndërtimore në këto zona të mbrojtura, duke i konsideruar ato një rrezik për ekosistemin, biodiversitetin dhe pasurinë natyrore të bregdetit shqiptar. Kërkesat kryesore të protestuesve përfshijnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve, transparencë mbi projektet, respektimin e ligjeve mjedisore dhe mbrojtjen e zonave me status të veçantë.
Lëvizja ka evoluar nga protestë lokale në një mobilizim më të gjerë qytetar. Ditët e fundit janë organizuar tubime të njëpasnjëshme në disa qytete të vendit, ndërsa diaspora shqiptare ka paralajmëruar ose zhvilluar protesta në qytete si Londra, Berlini, Milano, Vjena dhe Toronto.
Për ditën e nesërme janë paralajmëruar dy protesta të tjera, një në Zvërnec në orën 10:00 dhe një tjetër në Tiranë në orën 18:00. Organizatorët dhe pjesëmarrësit theksojnë se, pavarësisht ndarjes në dy lokacione dhe orare të ndryshme, kërkesa e tyre mbetet e njëjtë: dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime të thella politike në vend.
Sipas qytetarëve pjesëmarrës, protesta përfaqëson një reagim ndaj pakënaqësive të akumuluara sociale dhe politike dhe është shndërruar në një lëvizje të qëndrueshme qytetare që synon ndryshime në qeverisje dhe mbrojtje më të madhe të interesit publik.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.


































