Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi të rrëzojë kërkesat e ish-Presidentit Ilir Meta dhe mbrojtjes së tij për transmetimin drejtpërdrejt të procesit gjyqësor, si dhe për ndryshimin e kushteve të qëndrimit të tij në sallën e gjyqit.
Seanca ndaj Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, e cila po vijon në GJKKO, lidhet me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Që në fillim të seancës, mbrojtja ngriti disa kërkesa procedurale, duke vënë në qendër mënyrën se si zhvillohet procesi dhe kushtet në të cilat qëndron i pandehuri në sallë.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, kërkoi që klienti i tij të mos qëndrojë më në kabinën e xhamit në sallën e gjyqit, por të ulet pranë mbrojtjes, duke argumentuar se kjo pengon komunikimin efektiv mes tyre dhe cenon dinjitetin njerëzor. Sipas tij, një masë e tillë nuk është e justifikuar për natyrën e çështjes që po gjykohet.
“Kam paraqitur kërkesa edhe pranë institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Komitetin e Helsinkit dhe ambasadat. Kërkojmë që procesi të jetë i hapur për publikun”, deklaroi avokati Cakrani.
Po ashtu, mbrojtja kërkoi që procesi të transmetohej drejtpërdrejt, me argumentin se transparenca është thelbësore për rritjen e besimit të publikut në drejtësi. Avokati Cakrani deklaroi gjithashtu se kërkesa i ishte drejtuar edhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Komitetin e Helsinkit dhe disa ambasada.
Kërkesën për transmetim live e mbështeti edhe vetë Ilir Meta, i cili në sallën e gjyqit tha se publiku duhet të informohet pa ndërmjetësim dhe se një proces i tillë duhet të jetë plotësisht transparent.
“Nuk shoh arsye pse ky proces të mos jepet drejtpërdrejt. Publiku duhet të informohet pa ndërmjetësim”, tha Meta në sallën e gjyqit.
Ndërkohë, Monika Kryemadhi kërkoi akses të plotë në të gjitha materialet hetimore, përfshirë përgjimet dhe dokumentacionin e dosjes, duke pretenduar mungesë transparence në administrimin e provave.
Pas shqyrtimit të kërkesave në dhomën e këshillimit, trupi gjykues vendosi t’i rrëzojë ato, si për transmetimin live të seancave, ashtu edhe për ndryshimin e kushteve të qëndrimit të Metës në sallë.
Në arsyetimin e saj, GJKKO theksoi se masat e sigurisë në sallën e gjyqit nuk lidhen me individin në veçanti, por janë të përcaktuara për të garantuar mbarëvajtjen e procesit dhe sigurinë e të gjitha palëve të përfshira.
Vendimi u shoqërua me debate në sallën e gjyqit, ku avokati i Metës kundërshtoi arsyetimin e gjykatës dhe u paralajmërua për respektimin e etikës profesionale, me mundësinë e largimit nga seanca në rast përsëritjeje të sjelljeve të ngjashme.
Pas përfundimit të këtyre debateve procedurale, gjykata vijoi me fazën e shqyrtimit gjyqësor, duke i dhënë fjalën prokurorisë për paraqitjen e provave.
Hetimet ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit kanë nisur mbi disa dosje të ndërlidhura që SPAK i ka bashkuar në një procedim të vetëm penal.
Një nga çështjet kryesore lidhet me aferën CEZ-DIA, një marrëveshje e vitit 2009 mes kompanisë çeke CEZ dhe kompanisë shqiptare DIA për mbledhjen e borxheve të energjisë. Sipas hetimeve, kjo marrëveshje dyshohet se është përdorur si mekanizëm për përfitime të paligjshme financiare në vlera milionëshe, ku një pjesë e fondeve dyshohet se ka përfunduar në mënyrë indirekte te persona të lidhur me Metën.
Një tjetër pistë hetimore lidhet me kontratat e lobimit të lidhura gjatë kohës kur Meta drejtonte LSI-në, ku dyshohet se shuma të konsiderueshme nuk janë deklaruar në mënyrë të plotë në institucionet përkatëse dhe në bilancet zyrtare të partisë.
SPAK po heton gjithashtu pretendime për përfitime financiare përmes ndërhyrjeve në tregun e telekomunikacionit dhe fibrave optike gjatë vitit 2014, ku janë ngritur dyshime për favorizim të operatorëve të caktuar në këmbim të përfitimeve të tërthorta financiare.
Në dosje përfshihet edhe blerja e një apartamenti me vlerë rreth 310 mijë euro në emër të familjarëve të Kryemadhit, si dhe shpenzime të konsiderueshme të padeklaruara, për të cilat prokuroria dyshon se janë mbuluar me burime të parregullta financiare.
Një tjetër element i hetimit lidhet me shpenzime dhe transaksione të kryera përmes kartave bankare dhe pagesave cash, të cilat sipas SPAK nuk janë pasqyruar në deklarimet zyrtare të pasurisë.
Meta dhe Kryemadhi i kanë mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht dhe pjesë e një procesi të ndikuar.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.



























