Mëngjesi i së hënës, në sallën e Gjykatës së Posaçme, atmosfera të kujtonte më shumë një skenë të ngarkuar politike sesa një seancë tipike gjyqësore.
Që në minutat e para, salla u mbush me përkrahës të Partisë së Lirisë, familjarë dhe të akuzuar të tjerë, duke krijuar një tension të dukshëm mes publikut dhe trupës gjykuese.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u shfaq për herë të parë publikisht pas arrestimit të tij në tetor 2024.
I veshur me kostum dhe kollare të kuqe, Meta u soll në sallë i shoqëruar nga forcat e policisë dhe u vendos brenda një strukture xhami të sigurisë. Prania e tij shkaktoi menjëherë reagime nga mbështetësit, të cilët e përshëndetën me duartrokitje, dy gishta lart dhe simbolin e shqiponjës.
Në një moment, Meta iu drejtua të pranishmëve me një deklaratë të fortë, duke e cilësuar procesin ndaj tij të padrejtë.
“Unë jam në pozita të pabarabarta. Në pozita të pabarabarta janë ata që i ka përzgjedhur Charls McGonigal për të montuar me shpifje me gënjeshtra, me kallëzues të rremë një proces të turpshëm kundër shtetit shqiptar, jo kundër Ilir Metës, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit të Republikës. Prandaj ju ftoj që nga sot deri në sekondën të transmetoni live këtë proces.” – deklaroi Meta.
Pas kësaj atmosfere të ndezur, gjykata kaloi në shqyrtimin procedural të çështjes, e cila lidhet me dosje hetimore për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ku i përfshirë është edhe vetë Meta, si dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, e cila ishte e pranishme në sallë.
Megjithatë, procesi nuk vijoi normalisht. Një kërkesë procedurale e mbrojtjes, e lidhur me mungesën e një prokure për një kërkesë për gjykim të shkurtuar, u bë shkak për ndërprerjen e seancës. Gjykata vendosi shtyrjen e saj për datën 11 maj, në orën 12:00.
Pas seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, e kritikoi ashpër mënyrën e zhvillimit të procesit dhe vendimin për mostransmetim publik.
Ai deklaroi se një praktikë e tillë është e papranueshme në një shtet demokratik.
“Edhe në kohën e diktaturës gjyqet transmetoheshin publikisht… fakti që nuk jepet gjyqi online tregon se kanë frikë nga e vërteta.” – tha avokati Cakrani.
Sipas mbrojtjes, mungesa e transparencës dhe mënyra e trajtimit të të pandehurit ngrejnë pikëpyetje mbi standardet e procesit, ndërsa pala tjetër e sheh çështjen si një procedurë të rregullt penale në kuadër të hetimeve të SPAK.
Ilir Meta u arrestua në tetor të vitit 2024 dhe ndodhet ende në paraburgim në pritje të përfundimit të hetimeve, ndërsa ka kërkuar disa herë zëvendësimin e masës së sigurisë me një më të lehtë, kërkesa që janë rrëzuar nga gjykata.
Hetimi ndaj Metës dhe Kryemadhit ka si pikënisje aferën CEZ-DIA, një marrëveshje e vitit 2009 mes kompanisë çeke CEZ dhe asaj shqiptare DIA, për mbledhjen e borxheve të energjisë. SPAK dyshon se marrëveshja është përdorur për të përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 6.5 milionë euro, nga të cilat Meta dyshohet se ka marrë pagesa të konsiderueshme.
Akuzat përfshijnë gjithashtu ndërhyrje në tregun e fibrave optike gjatë vitit 2014, ku çifti Meta-Kryemadhi dyshohet se ka favorizuar një kompani të huaj për të hyrë në tregun shqiptar, duke përfituar financiarisht përmes kartave krediti të padeklaruara. Ish-drejtuesi i AKEP, Pirro Xhixho, akuzohet për ndihmë në këtë proces në kundërshtim me ligjin.
SPAK gjithashtu ka hetuar kontratat e lobimit të lidhura nga Meta si kryetar i LSI-së me kompani amerikane gjatë viteve 2016–2017. Një shumë prej 463 mijë dollarësh dyshohet se nuk është deklaruar dhe nuk është pasqyruar në bilancet zyrtare të partisë në KQZ.
Ndërkaq, një tjetër pistë hetimi lidhet me blerjen e një apartamenti me vlerë 310 mijë euro në emër të nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, e paguar tërësisht në cash. SPAK dyshon se kredia e përdorur ishte një mbulesë për pastrimin e parave që vinin nga aktiviteti i paligjshëm i çiftit.
Akuzat për mosdeklarim pasurie përfshijnë edhe shpenzime mjekësore të padeklaruara gjatë viteve 2013-2019 në vlerën e 106 mijë euro, nga të cilat 86 mijë janë paguar në cash.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.



























