Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta, ku përfshihen gjithashtu Monika Kryemadhi dhe tre të pandehur të tjerë.
Akuzat për ish-presidentin Meta dhe familjarët e tij përfshijnë korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimet sugjerojnë se Meta, në rolin e tij si kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, përdori pozitat shtetërore për përfitime personale dhe manipulim të burimeve financiare.
Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim, pastrim parash dhe deklarime të rreme të pasurive. Hetimet tregojnë se bashkëpunimi i saj me Metën ka shërbyer për të fshehur burimet dhe destinacionin e fondeve të përfituara në mënyrë të dyshimtë. E ëma, Fatime Kryemadhi, akuzohet për pastrim parash, duke ngritur dyshime për një skemë korrupsioni brenda familjes.
Gjithashtu, ish-kreu i AKEP, Piro Xhixho, është akuzuar për korrupsion pasiv, ndërsa Ema Çoku për pastrim të produkteve të veprës penale.
Ish-presidenti Meta dhe avokati i tij, Kujtim Cakrani, kanë mohuar akuzat e SPAK, duke i konsideruar të pabaza dhe me motiv politik.
“Zonja Kryemadhi dhe zoti Meta kanë dorëzuar edhe pasqyrat financiare, nuk ka asnjë shkelje. Gjykim të shkurtuar kërkuan 3 nga të bashkëpandehurit. Keni dëgjuar ju që ka korrupsion pasiv, por nuk ka aktiv. Nuk ka pasqyrë se sa është dëmi dhe kujt i është bërë ai dëm”, – deklaroi Cakrani.
Ish-presidenti Ilir Meta, një nga figurat më të ndikimit në politikën shqiptare të tre dekadave të fundit, u arrestua mesditën e së hënës, më 21 tetor 2024 dhe që atëherë ndodhet në paraburgim, duke pritur përfundimin e hetimeve. Ai ka kërkuar disa herë që masa e sigurisë të zëvendësohet me një më të lehtë, por kërkesat e tij janë refuzuar sërish nga gjykata.
Hetimi ndaj Metës dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, ka si pikënisje aferën CEZ-DIA, një marrëveshje e vitit 2009 midis kompanisë çeke CEZ dhe asaj shqiptare DIA për mbledhjen e borxheve të energjisë. Sipas SPAK, kjo marrëveshje dyshohet të jetë përdorur për përfitime të paligjshme, duke u përvetësuar rreth 6.5 milionë euro, nga të cilat Meta dyshohet se ka marrë pagesa të konsiderueshme.
Hetimet përfshijnë edhe ndërhyrje të dyshuara në tregun e fibrave optike në 2014, favorizime për kompani të huaja dhe mosdeklarime të fondeve nga kontratat e lobimit me kompani amerikane gjatë viteve 2016–2017 (rreth 463 mijë dollarë).
SPAK dyshon gjithashtu për pastrim parash përmes blerjes së një apartamenti në emër të Fatime Kryemadhit, paguar tërësisht me cash (310 mijë euro), si dhe shpenzime mjekësore të padeklaruara gjatë viteve 2013–2019, në një vlerë totale prej 106 mijë euro, ku 86 mijë euro janë paguar cash. Hetimi evidenton një rrjet të ndërlikuar transaksionesh dhe fshehjesh financiare mes të gjithë të përfshirëve. Arrestimi i Metës dhe hetimi i detajuar ndaj tij dhe Kryemadhi konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare në vitet e fundit, duke pasqyruar tensionin midis politikës dhe ligjit në vend.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.


























