Akuzë e re për pastrim parash ndaj Ballukut, SPAK sekuestron vilën 145 mijë euro në Dhërmi

Ish-zëvendëskryeministrja, e marrë më herët e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, tashmë dyshohet se përfitoi një vilë luksoze në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në një tender të Albcontrol.

20
Balluku Vila Dhërmi
Credits: shteg.org - Balluku Vila Dhërmi

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zgjeruar hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i shtuar akuzat e reja për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, ndërsa ka vendosur edhe sekuestro preventive mbi një vilë luksoze në Dhërmi, me vlerë 145 mijë euro.

Përmes një njoftimi zyrtar të SPAK, bëri të ditur me dije se Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e prokurorisë për sekuestrimin e një vile dykatëshe të tipit “Begonia”, e ndodhur në resortin turistik “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut.

Pasuria dyshohet se është përfituar në mënyrë të parregullt në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” sh.p.k. gjatë një procedure prokurimi të zhvilluar nga Albcontrol, institucion që drejtohej nga Balluku në periudhën kur janë kryer veprimet e hetuara.

“Ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurorimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a.”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Balluku është aktualisht e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, por hetimet e mëtejshme kanë çuar prokurorët drejt dyshimeve për vepra të tjera penale.

Çështja lidhet me procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88.6 milionë lekë, si dhe me një shtesë kontrate prej mbi 14.1 milionë lekësh pa TVSH.

Sipas SPAK, gjatë përgatitjes së dokumenteve të tenderit dhe zhvillimit të procedurës, janë kryer veprime në kundërshtim me legjislacionin e prokurimeve publike, duke krijuar avantazhe të padrejta për operatorin ekonomik fitues, “Eurocol” sh.p.k.

“Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor ‘Albcontrol’ sh.a., në bashkëpunim me persona të tjerë nën hetim, kanë kryer veprime të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit”, thuhet në dosjen hetimore.

Prokuroria pretendon se favorizimi i kompanisë fituese ka vijuar edhe pas shpalljes së tenderit, përmes parapagimit të menjëhershëm në masën 50% të kontratës dhe gjatë zbatimit të saj.

Komplesi ku dyshohet se ka vilen Balluku
Credits: Google Maps – Komplesi ku dyshohet se ka vilen Balluku

Sipas hetimit, përfitimi i dyshuar i paligjshëm për Ballukun konsiston në vilën e sekuestruar në Dhërmi, e cila sipas kontratës së porosisë ka një vlerë prej 145 mijë eurosh.

“Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a., në këmbim të favorizimit të shoqërisë ‘Eurocol’ sh.p.k., ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6 në resortin turistik ‘White Rocks’”, deklaron SPAK.

Pasuria e sekuestruar është një vilë individuale dykatëshe me sipërfaqe ndërtimi 103 metra katrorë, verandë 34 metra katrorë dhe parcelë në përdorim prej të paktën 300 metrash katrorë.

Prokurorët kanë dyshime se janë përdorur kontrata dhe veprime juridike fiktive për të fshehur pronësinë reale të vilës.

Balluku dyshohet se ka përdorur shtetasin I.T. dhe vartësen e saj në Albcontrol, J.B., për të fshehur origjinën e pasurisë.

“Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.”, thuhet në njoftim.

SPAK pretendon se fillimisht është përdorur një kontratë porosie e vitit 2018 mes I.T. dhe pronarit të “Eurocol”, ndërsa më pas janë kryer edhe veprime të tjera të dyshuara si fiktive, përfshirë një kontratë qiraje të vitit 2022 dhe një amendament të saj në vitin 2024.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se SPAK ka administruar prova të shumta, përfshirë materiale dixhitale dhe përgjime të realizuara me metoda speciale hetimi.

Në kuadër të verifikimeve janë marrë në pyetje persona të ndryshëm që kanë pasur lidhje me vilën, nga punonjës të mirëmbajtjes dhe personel shërbimi deri te shoferë dhe zyrtarë të afërt me Ballukun.

Sipas të njëjtave burime, një rol të rëndësishëm në hetim kanë pasur edhe analizat e qelizave telefonike, të cilat dyshohet se kanë ndihmuar në dokumentimin e lëvizjeve dhe kontakteve të personave të përfshirë.

Belinda Balluku u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK më 31 tetor 2025, nën akuzën për shkelje të barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

Por, sipas dokumenteve dhe njoftimit të SPAK, hetimi është zgjeruar ndjeshëm dhe tashmë përfshin pothuajse të gjithë investimet në Unazën e Madhe, si dhe procedurën koncesionare PPP për aksin Thumanë – Kashar, me vlerë të parashikuar rreth 245 milion euro.

Më 16 Dhjetor 2025 SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit për Belinda Ballukun, për ti hapur rrugë masës së arrestit ndaj saj, por pas një zvarritjeje prej 3 muajsh, socialistët të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, rrëzuan kërkesën e SPAK.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.