Gjykata e Lartë refuzon rekursin e Ballukut

Vendimi konfirmon masën e GJKKO-së për ndalim të daljes jashtë vendit, ndërsa hetimet e SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres vijojnë për çështje të tenderave publikë.

435
Hetimet e prokurorisë për Belinda Ballukun
Credits: shteg.org - Hetimet e prokurorisë për Belinda Ballukun

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku lidhur me masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Kjo masë ishte vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas kërkesës së SPAK.

Vendimi i Gjykatës së Lartë është marrë nga gjyqtari Ilir Panda, duke lënë në fuqi sekuestrimin e pasaportës së ish-zyrtares së lartë. Dokumenti i saj i udhëtimit është bllokuar që prej 19 nëntorit të vitit të shkuar, në kuadër të masave të sigurisë të vendosura nga gjykata e posaçme.

Më 16 nëntor 2025, SPAK kishte kërkuar heqjen e imunitetit të atëhershëm të zëvendëskryeministres Balluku, në lidhje me një hetim për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Hetimet lidhen, ndër të tjera, me projektin e Tunelit të Llogarasë dhe procedura të tjera të Unazës së Madhe të Tiranës.

Balluku e ka kundërshtuar këtë vendim duke e ankimuar në Apelin e Posaçëm, ku kërkoi edhe rikthimin në detyrë. Shqyrtimi i çështjes u shty për një periudhë, për shkak të pritjes së vendimeve nga Gjykata Kushtetuese.

Më pas, më 20 nëntor 2025, Gjykata e Shkallës së Parë e Posaçme vendosi pezullimin e saj nga funksionet shtetërore dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, duke argumentuar ekzistencën e rrezikut të largimit. Këto masa u lanë në fuqi edhe në vijim të procesit gjyqësor.

Në 9 mars 2026, Apeli i Posaçëm u mblodh për të shqyrtuar ankimin e saj, duke konfirmuar vendimet e mëparshme të gjykatës së shkallës së parë. Në këtë mënyrë, Balluku mbetet e pezulluar nga detyrat publike dhe nën masën e ndalimit të udhëtimit jashtë vendit, ndërsa hetimet ndaj saj vijojnë.

Në ndërkohë, përfaqësues të mazhorancës kanë argumentuar se masat e marra ndaj saj janë të pajustifikuara pa një vendim përfundimtar gjyqësor dhe çështja është dërguar për shqyrtim edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila më vonë ka mbështetur vlefshmërinë e masave të vendosura.

Sipas dosjes hetimore të bërë publike në media, Balluku po hetohet për veprime të dyshuara në procedurat e tenderit për Tunelin e Llogarasë, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit, me vlerë rreth 18.9 miliardë lekë pa TVSH. Hetimet janë zgjeruar edhe në disa projekte të tjera infrastrukturore, përfshirë segmente të Unazës së Madhe dhe kontrata të tipit PPP.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.