Përpjekjet e Shqipërisë për të organizuar një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore të vitit në rajon po përballen me një sfidë të papritur logjistike dhe financiare. Koncerti i reperit kontrovers amerikan Kanye West (Ye), i planifikuar për u mbajtur në një stadium të përkohshëm përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, po shënon shitje jashtëzakonisht të ulëta të biletave, duke nxitur raportime për një mobilizim të paprecedentë në prapaskenë nga autoritetet shtetërore për të shmangur një dështim publik.
Ndërsa koncertet e fundit të Kanye West në Stamboll dhe Tbilisi shitën dhjetëra mijëra bileta brenda pak orësh, situata në Tiranë paraqitet krejtësisht ndryshe. Një analizë e platformës zyrtare të shitjeve, ticket.io, tregon se të 14 kategoritë e biletave, që variojnë nga 177 euro për zonat në këmbë deri në mbi 339 euro për tribunat VIP, janë ende plotësisht të disponueshme.
Në faqe janë gjithsej 14 kategori të ndryshme biletash. Fakti që të gjitha kategoritë (që nga biletat më të lira në këmbë Bronze Circle 177 €, e deri tek ato më të shtrenjtat Premium Seat Cat 1 339 €) janë ende aktive dhe të hapura për blerje, tregon se stadiumi nuk është as afër të qenit “Sold Out” (i shitur plotësisht).
Nëse shitjet do të kishin ecur me ritme shumë të larta për një kapacitet prej 60 000 vetash, të paktën kategoritë më ekonomike ose ato më ekskluzive VIP do të ishin mbyllur apo shfaqur si të ezauruara.
Kur klikoni mbi kategoritë e ulëseve (p.sh. SEATED CAT 1 ose PREMIUM SEAT), sistemi nxjerr një dritare ku mund të zgjidhni një numër nga 0 deri në 10.
Kjo nuk tregon se kanë mbetur vetëm 10 karrige të lira!
Ky është thjesht një limit teknik për transaksion që përdorin sistemet e biletave (ticket.io). Ai vendoset që një person i vetëm të mos blejë dot qindra bileta menjëherë për t’i rishitur në treg të zi. Pra, ju mund të blini maksimumi 10 bileta në një blerje, por vende në sistem ka shumë më tepër.
Sipas burimeve nga tregu lokal, më shumë se gjysma e kapacitetit prej 60 000 vendesh të “Eagle Stadium” mbetet e pashitur, një shifër kjo shumë larg pragut të rentabilitetit të nevojshëm për të mbuluar kostot e larta të infrastrukturës dhe pagesën e artistit. Çmimet, të konsideruara tepër të larta për tregun vendas, dhe mungesa e një fluksi të pritshëm të turistëve të huaj kanë bërë që interesi të jetë minimal.
Për t’u konsideruar i suksesshëm financiarisht, për të mbuluar kostot e çmendura të ndërtimit të stadiumit të përkohshëm në Kashar dhe pagesën prej rreth 7 milionë eurosh të vetë Kanye West-it, koncerti duhet të shesë të paktën 40 000 bileta (rreth 67% të kapacitetit prej 60 mijë vendesh). Aktualisht, ky prag duket i vështirë për t’u arritur.
Në skenën ndërkombëtare, Kanye West ka shënuar një periudhë të jashtëzakonshme suksesi muajt e fundit, e nxitur edhe nga fakti se performancat e tij janë kufizuar ose ndaluar në disa vende të Evropës Perëndimore, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën dhe Poloninë. Këto kufizime kanë rritur interesin e publikut dhe kanë kthyer shfaqjet e tij në evente të rralla për fansat, të cilët udhëtojnë në vende të ndryshme për ta parë nga afër. Në maj 2026, koncerti i tij në Stadiumin Olimpik Atatürk në Stamboll të Turqisë tërhoqi mbi 118 mijë spektatorë, duke u regjistruar si koncerti më i madh i karrierës së tij solo. Një muaj më pas, në Tbilisi të Gjeorgjisë, të 70 mijë biletat për koncertin në stadium u shitën brenda vetëm tetë orësh nga hapja e shitjeve.
Fenomeni i kërkesës së lartë për performancat e Kanye West ishte shfaqur edhe më herët në tregjet aziatike. Në fund të vitit 2024, Listening Parties të organizuara në Kinë dhe Korenë e Jugut tërhoqën mijëra fansa, me rreth 70 mijë bileta të shitura në Kinë dhe 39 mijë në Korenë e Jugut brenda pak minutash. Këto shifra kanë forcuar perceptimin se çdo paraqitje publike e artistit është kthyer në një ngjarje me ndikim të madh, jo vetëm muzikor, por edhe ekonomik e turistik për vendet pritëse.
Bileta Falas për “Nxënësit e Mirë”
Përballë rrezikut të një stadiumi gjysmë të zbrazët, strukturat qeveritare janë angazhuar drejtpërdrejt për të mbushur shkallët e stadiumit. Ditët e fundit, në rrjetet sociale kanë qarkulluar gjerësisht dëshmi dhe mesazhe telefonike (SMS) që tregojnë se si drejtues të institucioneve arsimore po u shpërndajnë bileta falas nxënësve.
Shpërndarja e biletave po bëhet e kamufluar nën petkun e “vlerësimit për nxënësit e mirë”, në një kohë kur interesi real i të rinjve për të paguar për këtë event ka qenë pothuajse zero.
“Po tentohet me çdo kusht të krijohet iluzioni i një suksesi masiv, duke detyruar administratën dhe sistemin arsimor të funksionojnë si distributorë biletash,” deklaroi një burim i brendshëm në kushte anonimati.
Përpjekjet për të shpëtuar imazhin e koncertit nuk janë ndalur vetëm te nxënësit e shkollave. Burime mediatike bëjnë me dije se strategjia e zgjedhur përfshin edhe rekrutimin e figurave publike në rrjetet sociale.
Në shënjestër kanë rënë kryesisht influencues dhe personazhe publikë të cilët deri dje njiheshin për qëndrimet e tyre kritike ndaj qeverisë ose mbështetjen e protestave qytetare. Atyre u janë ofruar “mundësi bashkëpunimi” të paguara dhe paketa biletash falas, me qëllim që të ndryshojnë narrativën në rrjetet sociale dhe të nxisin artificialisht audiencën për të marrë pjesë në koncert.
Kompania që menaxhon eventin dhe Ministria e Kulturës nuk iu përgjigjën kërkesave të përsëritura për të komentuar mbi ecurinë e shitjeve, shpërndarjen e biletave falas apo ligjshmërinë e përdorimit të fondit të emergjencave të shtetit për këtë qëllim.
Ajo që deri pak ditë më parë paraqitej si një sipërmarrje tërësisht private, rrezikonte të mos zhvillohej nëse shteti nuk do të ndërhynte me një fond prej 4.2 milionë eurosh nga fondi i emergjencave. Kryeministri Edi Rama deklaroi se ndërhyrja ishte e nevojshme për të mos humbur një mundësi ekonomike për qytetin, ndërsa dokumentet zyrtare tregojnë se qeveria nuk miratoi thjesht një subvencion, por përdori një Akt Normativ, një instrument kushtetues i rezervuar për raste nevoje dhe urgjence, për të krijuar bazën ligjore për financimin e një aktiviteti privat. Në relacionin shpjegues pranohet se ligji nuk e lejonte një financim të tillë, por kjo u përdor si arsye për krijimin e përkohshëm të një baze të re ligjore. Edhe pse qeveria argumentoi se problemi u shfaq më 3 korrik dhe procedurat normale parlamentare nuk mund të ndiqeshin për shkak të afërsisë së koncertit më 11 korrik 2026, ekspertët vlerësojnë se aktiviteti ishte bërë publik që në fund të prillit dhe organizimi kishte nisur prej muajsh, duke ngritur pikëpyetje mbi natyrën e vërtetë të urgjencës.
Vetëm pak ditë para miratimit të fondit, përfaqësues të qeverisë kishin deklaruar se koncerti ishte një organizim tërësisht privat dhe se shteti nuk kishte rol financiar, por më 6 korrik Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ që transferoi 400 milionë lekë nga fondi rezervë i shtetit për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me qëllim bashkëfinancimin e aktivitetit. Qeveria argumenton se koncerti nuk duhet parë si një ngjarje private muzikore, por si një aktivitet me interes publik dhe një instrument për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Në relacionin shpjegues theksohet ndikimi global i artistit, numri i lartë i vizitorëve të huaj dhe përfitimet e pritshme për hotelerinë, transportin, gastronominë dhe ekonominë lokale. Gjuha e përdorur në dokument shmang termin “koncert” dhe fokusohet te përkufizime si “aktivitet kulturor-turistik”, “promovim ndërkombëtar” dhe “zhvillim ekonomik”, duke synuar të justifikojë përdorimin e një instrumenti të jashtëzakonshëm ligjor për financimin e një aktiviteti që fillimisht ishte paraqitur si privat.
Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.




























