Gjykata Penale e Tiranës urdhëroi të dielën lirimin e shumicës së protestuesve të arrestuar pas përplasjeve me policinë gjatë tubimit të 2 korrikut pranë Kuvendit, duke vendosur masa më të lehta sigurie sesa ato të kërkuara fillimisht nga prokuroria.
Gjykata shqyrtoi masat e sigurisë për 21 persona të paraqitur në seancë, ndërsa avokatët thanë se vetëm 19 prej tyre kishin lidhje me protestën. Dy protestues, Everest Bardhi dhe Ervin Gega, u vendosën në arrest shtëpie, ndërsa 12 të tjerë u lanë me masën “detyrim paraqitjeje”. Për pesë persona gjykata nuk caktoi asnjë masë sigurie.
Prokuroria kishte kërkuar fillimisht masën “arrest me burg” për Bardhin dhe Gegën, duke i akuzuar për akte dhune dhe dëmtim të një automjeti të policisë, ndërsa për protestuesin Altin Hila kërkesa për burg u ndryshua gjatë seancës.
Në përfundim, Hila u la me masën “detyrim paraqitjeje”, pasi prokuroria mori parasysh rrethanat e tij familjare, përfshirë faktin se është baba i dy fëmijëve të mitur, njëri prej të cilëve ka probleme shëndetësore.
Organi i akuzës ka ngritur pesë akuza ndaj protestuesve, përfshirë kundërshtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, shkatërrimin e pronës, prishjen e qetësisë publike, organizimin e tubimit të paligjshëm dhe bllokimin e mjeteve të transportit.
Avokati Dorian Matlija tha pas seancës se mbrojtja kundërshtoi ligjshmërinë e arrestimeve, duke argumentuar se policia nuk kishte individualizuar veprimet e secilit prej të ndaluarve. Ai shtoi se gjykatës iu kërkua të mos përdorej për të dhënë një mesazh frikësues ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta.
“Vetëm 19 persona lidheshin me protestën, dy ishin më vete. Dy persona kërkoi arrest me burg, për të tjerët kërkoi detyrim paraqitje. Për personat me mbiemrat Bardhi e Gega u la arrest shtëpie nga burg që u kërkua dhe gjithë të tjerët detyrim paraqitje, kurse për 5 nuk u la masë fare. Disa e kanë një herë në muaj dhe disa dy herë në muaj. Arrestimi u cilësua i ligjshëm, megjithë kundërshtimin tonë, sepse Policia nuk kishte konkretizuar sjelljen e shumë personave, por vetëm për pak persona”, deklaroi avokati Dorian Matlija.
Sipas Matlijës, gjatë seancës u konstatuan edhe protestues me shenja dhune në trup, ndërsa ai përsëriti akuzat për tejkalim të kompetencave nga ana e policisë. Gjykata, megjithatë, e konsideroi të ligjshëm arrestimin e të ndaluarve.
“Gjykatës iu kërkua që të mos instrumentalizohej për të mos dhënë mesazh ndaj protestuesve, se nuk kanë pse të kenë frikë dhe të kapen në mënyrë kolektive e të vuajnë 72 orëshin në komisariat. Gjykata e la të padiskutueshme këtë pjesë në lidhje me raportin e policisë”, tha avokati.
Seanca, e zhvilluar me dyer të mbyllura dhe e drejtuar nga gjyqtari i gatshëm Sokol Mara, zgjati më shumë se pesë orë. Ajo u ndërpre përkohësisht pasi një prej protestuesve, Niko Qarkaj, i cili vuan nga epilepsia, pati shqetësime shëndetësore dhe mori ndihmë mjekësore.
Jashtë gjykatës, qindra qytetarë dhe aktivistë qëndruan për rreth gjashtë orë në mbështetje të të arrestuarve, duke kërkuar lirimin e tyre dhe duke akuzuar policinë për përdorim të tepruar të forcës. Pas shpalljes së vendimit, turma brohoriti “Fitore, fitore” dhe “Arresto Ballukun”, duke e cilësuar vendimin një fitore për protestuesit.
Arrestimet u kryen pas përplasjes së dhunshme mes protestuesve dhe policisë përpara Kuvendit të Shqipërisë. Autoritetet kanë reaguar me një valë arrestimesh dhe procedimesh penale që duket se po zgjerohet përtej ngjarjeve të një dite të vetme. Deri më tani, Policia e Shtetit ka proceduar rreth 130 persona në lidhje me protestat e javëve të fundit, ndërsa vetëm për protestën e së enjtes arrestoi 19 persona dhe procedoi penalisht edhe 12 të tjerë.
Protesta e njohur si “Revolucioni i Flamingove” zhvillohet çdo mbrëmje para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku mijëra qytetarë mblidhen prej më shumë se një muaj.
Lëvizja, e cila nisi më 23 maj në Zvërnec si kundërshtim ndaj projekteve turistike të planifikuara në zonën e Lagunës së Nartës dhe ishullit të Sazanit, është shndërruar në një protestë masive kundër qeverisë.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike, zgjedhje të parakohshme, ndalimin e projekteve të kontestuara në bregdet dhe lirimin e protestuesve të arrestuar gjatë përplasjeve të fundit me policinë. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo mbrëmje deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.






















