130 referime në Prokurori, asnjë procedim penal i regjistruar

Policia e Shtetit ka referuar në Prokurorinë e Tiranës rreth 130 shtetas për vepra penale që lidhen me protestat e zhvilluara në kryeqytet, ndërsa deri më tani nuk rezulton të jetë regjistruar asnjë procedim penal.

24
Policia duke shoqëruar dhunshëm protestuesit para Kuvendit
Credits: LSA - Policia duke shoqëruar dhunshëm protestuesit para Kuvendit

Pas përplasjes së dhunshme mes protestuesve dhe policisë përpara Kuvendit të Shqipërisë, autoritetet kanë reaguar me një valë arrestimesh dhe procedimesh penale që duket se po zgjerohet përtej ngjarjeve të një dite të vetme. Deri më tani, Policia e Shtetit ka proceduar rreth 130 persona në lidhje me protestat e javëve të fundit, ndërsa vetëm për protestën e së enjtes arrestoi 19 persona dhe procedoi penalisht edhe 12 të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, të arrestuarit akuzohen për një sërë veprash penale, nga kundërshtimi i punonjësve të policisë dhe shkatërrimi i pronës, deri te organizimi i grumbullimeve të paligjshme dhe pengimi i qarkullimit. Policia deklaron se gjatë protestës u plagosën 15 efektivë dhe u dëmtua një automjet policie. Një prej të arrestuarve akuzohet se goditi një gazetar.

Autoritetet thonë se po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të filmuar gjatë akteve të dhunës, ndërsa materialet janë referuar Prokurorisë së Tiranës.

Por, ndërsa shteti ka vepruar me shpejtësi ndaj protestuesve, duke referuar në Prokurori rreth 130 shtetas për vepra penale që lidhen me protestat e javëve të fundit, Prokuroria e Tiranës thotë se deri më tani janë regjistruar gjashtë kallëzime penale, të cilat ndodhen në fazën e verifikimeve, ndërsa materialet e tjera janë ende në proces regjistrimi.

“Nga verifikimi i kryer në Zyrën e Regjistrit rezulton se nga Policia e Shtetit janë referuar disa materiale në lidhje me tubimet e zhvilluara. Deri në këto momente janë regjistruar 6 kallëzime penale, të cilat janë në fazën e verifikimeve, ndërsa pjesa tjetër është në proces regjistrimi”, thuhet në përgjigjen zyrtare që “shteg.org” mori nga Prokuroria e Tiranës.

Prokuroria e Tiranës konfirmon se ka regjistruar gjashtë kallëzime penale që lidhen me tubimet e zhvilluara në kryeqytet dhe se materialet e tjera të referuara nga policia janë ende në proces regjistrimi.

“Deri në këto momente nuk është regjistruar ndonjë procedim penal në lidhje me këto raste”, saktëson prokuroria.

Megjithatë, ky reagim nuk përfshin procedimet e dërguara nga policia për protestën e së enjtes para Kuvendit, ku u arrestuan 19 persona.

Megjithatë, në përgjigjen zyrtare të institucionit nuk rezulton të jetë regjistruar ndonjë procedim penal që lidhet me pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga punonjësit e policisë gjatë protestave.

Deri në këtë moment nuk rezulton të jetë regjistruar ndonjë procedim penal për përdorimin e forcës nga efektivët e policisë, pavarësisht pamjeve filmike që qarkulluan gjerësisht në media dhe rrjetet sociale, ku shfaqen protestues të shtrirë në tokë duke u goditur me shkopinj gome, qytetarë të tërhequr zvarrë dhe raste të përdorimit të gazit lotsjellës e të sprajit djegës.

Kjo do të thotë se, ndërsa dhjetëra protestues po përballen me hetime penale, deri në këtë fazë nuk rezulton të jetë hapur një hetim penal për veprimet e efektivëve të policisë, pavarësisht pamjeve filmike që kanë ngritur pikëpyetje mbi proporcionalitetin e përdorimit të forcës.

Për juristen Irena Dule, kjo ngre një problem që shkon përtej debatit politik.

“Trajtimi çnjerëzor nga policia nuk justifikohet nga asnjë interes publik dhe duhet të hetohet si krim”, argumenton ajo. Sipas saj, në momentin kur një person është neutralizuar dhe nuk përbën më rrezik, çdo përdorim i mëtejshëm i forcës mund të përbëjë trajtim çnjerëzor ose poshtërues, një ndalim absolut sipas Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Dule bën një dallim të qartë mes përgjegjësisë individuale të protestuesve dhe përgjegjësisë së shtetit. Dhuna e një individi, thotë ajo, nuk e kriminalizon një protestë të tërë. Po ashtu, aktet e dhunshme të disa protestuesve nuk mund të përdoren si justifikim për tejkalimin e kompetencave nga policia.

“Nëse Prokuroria do të vazhdojë të mbajë akuza penale ndaj protestuesve, por nuk do të zhvillojë një hetim efektiv për dhunën e policisë, atëherë ajo nuk po qëndron mes qytetarit dhe pushtetit. Po bëhet palë me një pushtet tashmë të delegjitimuar”, thotë ajo.

Në të njëjtën kohë, juristja distancohet nga çdo akt dhune ndaj policisë, deputetëve apo pronës publike, duke theksuar se përgjegjësia penale duhet të jetë gjithmonë individuale dhe e provuar për secilin person. Por, sipas saj, dhuna e ushtruar nga shteti ka një peshë krejt tjetër, sepse kryhet nga institucione të pajisura me autoritet ligjor dhe me detyrimin për të mbrojtur qytetarët.

Arrestimet masive dhe akuzat penale tregojnë se autoritetet po ndjekin penalisht protestuesit. Ajo që mbetet e paqartë është nëse i njëjti standard do të zbatohet edhe ndaj efektivëve të policisë, nëse hetimet provojnë se forca e përdorur ka tejkaluar kufijtë e lejuar nga ligji.

Në një demokraci, legjitimiteti i shtetit nuk matet vetëm nga aftësia për të ndëshkuar shkelësit e ligjit. Ai matet edhe nga gatishmëria për të hetuar dhe mbajtur përgjegjëse institucionet e veta, kur dyshohet se kanë shkelur të njëjtin ligj.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.