Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, la të hapur mundësinë e një kërkese të re drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar të deputetes së Partisë Socialiste, Belinda Balluku, duke theksuar se çdo vendimmarrje do të bazohet në prova dhe në kuadrin ligjor në fuqi.
Duke raportuar në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, tha se institucioni nuk mund të parashikojë hapat e ardhshëm hetimorë, por se çdo veprim do të marrë në konsideratë edhe arsyet e rrëzimit nga Kuvendi të kërkesës së mëparshme për caktimin e masës së sigurimit.
“Vendimmarrja do të jetë e bazuar në ligj dhe prova,” u shpreh ai, duke shtuar se mosmiratimi i masës së mëparshme nuk i ka ndalur hetimet.
Braho theksoi se SPAK-u ka rritur kapacitetet hetimore dhe se korrupsioni mbetet i përhapur në administratën publike, sistemin e drejtësisë dhe institucionet shtetërore.
Ai tha se mungesa e masave të sigurimit mund t’i vështirësojë hetimet, por se institucioni “i bindet kuadrit ligjor aktual”.
Deklaratat u shoqëruan me reagime nga opozita. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi SPAK-un për standarde të dyfishta, duke argumentuar se institucioni duhej të kishte kërkuar sërish masa sigurimi ndaj Ballukut pas shtimit të akuzave.
Kryeprokurori Braho tha se imuniteti parlamentar mbron nga arrestimi, por jo nga hetimi, dhe shtoi se, në planin parimor, sistemi mund të funksiononte më mirë pa të.
Në mars, mazhoranca socialiste, e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Ballukut, duke e cilësuar të pamjaftueshëm argumentimin lidhur me rrezikun e prishjes së provave.
Deklaratat mbi çështjen Balluku u bënë gjatë një seance ku kreu i SPAK-ut prezantoi raportin vjetor për vitin 2025, një dokument që pasqyron rritjen e aktivitetit hetimor dhe zgjerimin e qasjes së institucionit ndaj çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Drejtuesi i SPAK-ut theksoi se viti 2025 ka qenë “një vit pune intensiv”, ku prokuroria është përballur me “një volum të lartë çështjesh penale, shpesh me natyrë komplekse dhe me lidhje ndërkombëtare”. Sipas tij, krimi i organizuar ka marrë gjithnjë e më shumë një dimension transnacional, duke e bërë hetimin më të varur nga bashkëpunimi ndërkombëtar dhe nga kapacitetet e specializuara financiare e digjitale.
Sipas të dhënave të raportit, SPAK-u ka hetuar gjatë vitit 2025 gjithsej 871 procedime penale, ka regjistruar 294 çështje të reja dhe ka përfunduar hetimet për 216 prej tyre.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme është rritja e hetimeve të nisura kryesisht me iniciativë të vetë prokurorisë.
Braho theksoi se “rreth 37 për qind e procedimeve të reja janë regjistruar kryesisht nga Prokuroria e Posaçme”, duke e konsideruar këtë një tregues të forcimit të analizës kriminale dhe hetimit financiar. Sipas tij, në vitin paraardhës kjo përqindje ishte pothuajse përgjysmë.
Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë

Raporti vë në dukje një rritje të çështjeve të korrupsionit, me rreth 18 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024. SPAK-u ka zhvilluar hetime ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, ndërsa disa prej tyre janë dërguar për gjykim.
Në raport, institucioni nënvizon se “korrupsioni në institucionet publike dhe në sistemin e drejtësisë mbetet një fenomen shqetësues”, që përfshin funksionarë vendorë, administratën publike, si dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë.
Në total, sipas të dhënave të raportuara, 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë kanë qenë nën hetim gjatë vitit 2025, ndërsa më shumë se gjysma e tyre janë dërguar për gjykim.
Në fushën e krimit të organizuar, SPAK-u ka hetuar 261 procedime penale, me 445 persona nën hetim. Sipas raportit, strukturat kriminale po funksionojnë gjithnjë e më shumë me “ndarje të qartë rolesh, komunikime të enkriptuara dhe investime në pasuri të paluajtshme”.
Institucioni vlerëson se trafikimi i narkotikëve dhe pastrimi i parave mbeten prioritetet kryesore, ndërsa Shqipëria, në disa raste, shërben si vend tranziti dhe koordinimi për aktivitete kriminale ndërkombëtare.
Një nga elementët më të spikatur të raportit është intensifikimi i goditjes ndaj pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal. Gjatë vitit 2025, SPAK-u ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 43.49 milionë euro, ndërsa ka konfiskuar pasuri me vlerë rreth 1.91 milionë euro.
Në raport përmendet edhe sekuestrimi i kriptomonedhës USDT me vlerë të konsiderueshme. Sipas SPAK-ut, diferenca mes pasurive të sekuestruara dhe atyre të konfiskuara lidhet me faktin se shumë çështje janë ende në proces gjyqësor.
“Goditja e përfitimit kriminal dobëson fuqinë ekonomike të grupeve kriminale”, thuhet në raport, ku theksohet se hetimi financiar është kthyer në një shtyllë qendrore të ndjekjes penale.
Raporti vë në dukje edhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjatë vitit 2025, SPAK-u ka dërguar 156 kërkesa për ndihmë juridike në 31 shtete dhe ka marrë 95 të tilla nga 17 vende të ndryshme. Po ashtu, janë ngritur 32 skuadra të përbashkëta hetimore.
Institucioni thekson se “krimi i organizuar nuk kufizohet nga kufijtë shtetërorë”, duke e konsideruar bashkëpunimin me Europol-in, Eurojust-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë si thelbësor për hetimet komplekse.
Pavarësisht rezultateve, raporti identifikon një sërë sfidash strukturore. Ndër to përfshihen mungesa e kapaciteteve njerëzore të specializuara, nevoja për këshilltarë ligjorë, konsolidimi i sistemit digjital të menaxhimit të çështjeve dhe zgjerimi i aksesit në databazat shtetërore.
Një çështje e ndjeshme mbetet edhe statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit nëntëvjeçar, i cili, sipas SPAK-ut, mund të rrezikojë ruajtjen e ekspertizës së ndërtuar në hetimet komplekse.
Institucioni ngre gjithashtu shqetësime për vështirësitë në ekstradim, mungesën e kompetencave për ekzekutimin e vendimeve të huaja dhe nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon bashkëpunimin ndërkombëtar.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.


























