Shumë thonë se lotet bëhen vetëm për të ndarë “llokmat”. Por, po të ishte vetëm ky qëllim, do t’i hapnin të gjitha lotet njëkohësisht, siç kanë treguar se dinë ta bëjnë kur duan.
Hilja tjetër është më pak e dukshme.
Duke e ndarë një rrugë në lote, çdo lot trajtohet si projekt më vete. Kjo krijon mundësinë të anashkalohen, në praktikë, detyrimet që vetë qeveria vendosi në legjislacionin për disiplinën fiskale.
Ligji parashikon që fillimisht financohen projektet në vazhdim dhe, më pas, projektet e reja. Po ashtu, një projekt i ri duhet të ketë të siguruar rreth 80% të financimit brenda tre viteve.
Po ta hapësh të gjithë Rrugën e Ndroqit si një projekt të vetëm, duhet ta financosh sipas këtyre kërkesave dhe ta përfundosh brenda katër viteve.
Sepse, sipas legjislacionit, ai është një projekt i vetëm dhe ka një fishë të vetme për t’u futur në buxhet. Nuk ka 10 projekte. Po kështu edhe Bypassi i Elbasanit.
Por, nëse e ndan në lote dhe secilin lot e hap me 2–3 vite diferencë nga tjetri, duke e konsideruar secilin si projekt më vete (në kundërshtim me ligjin), afatet fillojnë nga e para për çdo lot dhe një rrugë prej vetëm 35 kilometrash mund të zvarritet për 12–15 vjet.
Në këtë mënyrë, qeveria mund të hapë shumë më tepër projekte sesa përballon realisht buxheti, duke i mbajtur ato për vite me radhë në zbatim. Krijohet iluzioni i një numri të madh investimesh të reja, ndërsa, në praktikë, ato shtrihen në kohë përtej çdo logjike të planifikimit fiskal.
Pra, ndarja në lote nuk shërben vetëm për mënyrën e prokurimit. Ajo po përdoret edhe si një artific për të tejkaluar, në praktikë, kufizimet që legjislacioni për disiplinën fiskale synon të vendosë mbi investimet publike.
Ndërkohë që Rruga e Ndroqit dhe Bypassi i Elbasanit, kaq të rëndësishëm për qytetarët, zvarriten të ndarë në lote, në rastin e Tunelit të Llogarasë (jo fizibël dhe me çmime të fryra) u vunë në dispozicion të gjitha fondet, prej 200 milionë eurosh, brenda katër viteve, duke konfirmuar se kjo qeveri jo vetëm anashkalon ligjin, por ka si prioritet edhe ortakët e saj oligarkë.
Ironia është se kjo është pikërisht praktika për të cilën u akuzua PD-ja në vitin 2013 dhe me të cilën u justifikua nevoja për rregulla më të forta të disiplinës fiskale: t’i jepej fund hapjes së projekteve pa mbulim të mjaftueshëm financiar dhe zvarritjes së tyre për vite të tëra. I vetmi dallim është se qëllimi sot është edhe më pervers se në vitin 2013.
Azmi Stringa është lektor i Financës në Universitetin e New York Tirana dhe konsulent në Shqipëri, me një karrierë të gjatë në sektorin financiar dhe publik. Fushat e tij të ekspertizës përfshijnë tregjet financiare, financimin e projekteve, menaxhimin e financave publike, raportimin financiar dhe kontrollin e brendshëm.
Ai ka shërbyer si Drejtor i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit në ALSAI, ku ka kontribuar në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në financat publike, si dhe si CFO i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në Shqipëri, ku ka menaxhuar çështje të rëndësishme të stabilitetit financiar dhe përputhshmërisë me standardet europiane.
Më herët ka punuar si Senior Associate në Ernst & Young në New York, në sektorin e bankingut dhe tregjeve të kapitalit, duke audituar institucione të mëdha financiare ndërkombëtare.
Azmi Stringa është CPA në New York dhe Auditor Statutor në Shqipëri. Ai ka përfunduar studimet në University of Texas at Austin, McCombs School of Business.























