Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një dosje të gjerë që përfshin tetë të pandehur, të akuzuar për një skemë të sofistikuar falsifikimi dhe tjetërsimi të pronave në zonat bregdetare të Durrësit, një nga territoret më të kërkuara për zhvillim ndërtimor në vend.
Sipas hetimeve, skema dyshohet se ka funksionuar për vite me radhë, duke shfrytëzuar dokumente të falsifikuara pronësie, ndërhyrje në arkiva shtetërore dhe bashkëpunim me zyrtarë të sistemit kadastral.
SPAK identifikon një rrjet të strukturuar që, sipas prokurorisë, ka vepruar në mënyrë të koordinuar për të kaluar prona shtetërore në duart e privatëve përmes dokumentacionit të manipuluar.
Hetimi i referohet një grupi të drejtuar nga Aleksandër Laho dhe Vullnet Muça, të cilët akuzohen si ideatorë dhe financues të skemës.
Prokuroria thotë se ata “kanë ideuar dhe materializuar skemën kriminale të tjetërsimit të pronave shtetërore”, duke shfrytëzuar zona të identifikuara në Shijak–Kepi i Rodonit dhe duke ndërtuar një sistem ku dokumentet e pronësisë prodhoheshin dhe më pas legalizoheshin në institucione publike.
Në material theksohet se ata “kanë krijuar dhe drejtuar një strukturë të mirëfilltë kriminale”, ku përfshiheshin juristë, ndërmjetës dhe persona me akses në sistemet e regjistrimit të pronave.
Hetimi përshkruan një mekanizëm të sofistikuar falsifikimi që niste me modifikimin e AMTP-ve dhe vijonte me futjen e dokumenteve në sistemin kadastral.
Në disa raste, dokumentet dyshohet se krijoheshin nga zero, duke përfshirë certifikata, harta dhe referenca kadastrale të rreme.
Sipas SPAK, Agron Bejdolli dyshohet se ka vepruar si “koordinator dhe ekzekutues i aktivitetit kriminal”, duke mbajtur kontakte me noterë dhe duke kryer aplikime në zyrat e regjistrimit të pronave.
Ndërkohë, Vlash Brahja dyshohet për përfshirje në disa episode konkrete të shitjes dhe regjistrimit të pasurive, ndërsa Mikel Zaho dhe Artur Isaku përshkruhen si juristë që kanë manipuluar sistemin elektronik të kadastrës.
Në dosje thuhet se këta të fundit “kanë regjistruar në sistemin elektronik të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës… dhe kanë prodhuar kartela të falsifikuara”, duke ndihmuar në legalizimin e pasurive me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.
Hetimi përshkruan gjithashtu akses në regjistra të vjetër dhe ndërhyrje në arkiva shtetërore.
Sipas materialit, janë përdorur “regjistrat e viteve 1929–1957”, të cilët dyshohet se janë ndryshuar për të krijuar origjinë të re pronësie, duke kaluar tokat në emër të personave të lidhur me grupin.
Në disa raste, dokumentet origjinale janë zëvendësuar me versione të reja të manipuluara, ndërsa fletë regjistrash janë fshirë ose rishkruar.
Sipas SPAK, pasi pronat regjistroheshin në mënyrë të dyshimtë, ato shiteshin më tej te palë të treta, shpesh investitorë të interesuar për tokë në vijën bregdetare.
Prokuroria vlerëson se përmes kësaj skeme janë tjetërsuar rreth 687,798 metra katrorë tokë, një sipërfaqe e konsiderueshme në një nga zonat me vlerën më të lartë ekonomike në vend.
Në disa raste, pronat dyshohet se janë kaluar përmes kontratave të shitjes të bazuara në dokumente të rreme, ndërsa në të tjera janë përdorur procedura gjyqësore ose aplikime administrative për njohje pronësie.
Hetimi i referohet edhe përfshirjes së disa punonjësve të administratës së pronave, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në futjen ose rikthimin e dokumenteve të falsifikuara në sistem.
Në disa raste, sipas dosjes, janë bërë ndërhyrje direkte në regjistra, duke ndryshuar kategorinë e tokës nga “pyll” apo “rrugë” në “arë”, duke rritur ndjeshëm vlerën e saj tregtare.
SPAK thotë se këto ndërhyrje kanë qenë thelbësore për finalizimin e skemës, duke i dhënë dokumentacionit të falsifikuar një pamje zyrtare.
Të pandehurit përballen me akuza që përfshijnë mashtrim në mënyrë të përsëritur, falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Disa prej tyre ndodhen në paraburgim, ndërsa të tjerë hetohen në gjendje të lirë ose me masa më të lehta sigurie.
SPAK thekson se hetimet kanë provuar ekzistencën e një strukture të qëndrueshme kriminale, e cila ka operuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të organizuar, me role të ndara dhe bashkëpunim të ngushtë mes anëtarëve.
Sipas prokurorisë, vlera e pronave të sekuestruara në këtë çështje arrin rreth 16.89 milionë euro, bazuar në çmimet e tregut në zonat bregdetare të Durrësit.
Prokuroria njofton se hetimet do të vijojnë në një procedim të ndarë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë, përfshirë bashkëpunëtorë në administratë dhe sektorin privat.
Ndërkohë, çështja konsiderohet një nga rastet më të mëdha të dyshuara të tjetërsimit të pronave në bregdetin shqiptar, ku konflikti për tokën mbetet prej vitesh një nga burimet kryesore të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.























