
Parlamenti Evropian miratoi rezolutën e tij mbi Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025, duke shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet në Peizazhin e Mbrojtur Vjosa-Nartë dhe duke theksuar se sundimi i ligjit dhe standardet mjedisore të Bashkimit Evropian janë kushte thelbësore dhe të panegociueshme për procesin e anëtarësimit.
Rezoluta kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat kanë hapur rrugë për ndërhyrje dhe zhvillime turistike në zona të mbrojtura, përfshirë edhe projektet e lidhura me zonën e Zvërnecit dhe Vjosë-Nartës. Sipas Parlamentit Evropian, këto ndryshime kanë dobësuar mbrojtjen ligjore të një prej ekosistemeve më të rëndësishme të Mesdheut.
Për avokatin Dorian Matlija, miratimi i rezolutës jo vetëm që ka ndodhur në një moment të rëndësishëm, por mbi të gjitha është tregues se tashmë nuk kemi të bëjmë vetëm me çështje mjedisore, por edhe me sundimin e ligjit, transparencën dhe respektimin e standardeve evropiane.
“Kjo rezolutë erdhi në një moment shumë të rëndësishëm, sepse e vendos tashmë çështjen e Vjosë-Nartës në tryezën e kushteve reale të anëtarësimit në BE. Kjo nuk është më thjesht një çështje mjedisi. Është çështje e sundimit të ligjit, transparencës, hapësirave publike, pjesëmarrjes qytetare dhe respektimit të standardeve evropiane. Shqipëria nuk mund të kërkojë integrim në BE duke shkatërruar standardet mbi të cilat funksionon vetë BE-ja.
Ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura duhet të shfuqizohen dhe çdo leje, punim apo ndërhyrje në këto zona duhet të zhbëhet, në mënyrë që Shqipëria të rikthejë përputhshmërinë me standardet e BE-së. Ky është minimumi ligjor dhe politik”, thotë Matlija.
Ndërsa për Olsi Nikën, drejtorin e Eco Albania, miratimi i rezolutës së Parlamentit Evropian mbi Raportin e Komisionit për Shqipërinë 2025 përbën një riafirmim të qartë të qëndrimit zyrtar të Bashkimit Evropian ndaj zhvillimeve në Zonën e Mbrojtur Vjosa-Nartë dhe, më gjerë, ndaj respektimit të standardeve të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së natyrës në procesin e anëtarësimit.
“Duke kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, Parlamenti Evropian ka rikujtuar se mbrojtja e zonave natyrore nuk është një çështje fakultative apo e negociueshme, por pjesë e detyrimeve konkrete që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt BE-së. Ky është një mesazh i qartë se ‘vija e kuqe’ e vendosur nga institucionet evropiane mbetet e pandryshuar: legjislacioni që dobëson mbrojtjen e zonave të mbrojtura nuk mund të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe duhet të korrigjohet”, thotë Nika.
Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm për çdo leje të re, punim ndërtimi apo ndërhyrje zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, deri në shfuqizimin e dispozitave që nuk përputhen me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës.
Vendimi vjen në një kohë kur në Shqipëri vijojnë debatet dhe protestat për projektet në zonën e Vjosë-Nartës, ku organizatat mjedisore dhe aktivistët kundërshtojnë ndërhyrjet infrastrukturore në një nga habitatet më të rëndësishme të vendit, i njohur për biodiversitetin e lartë dhe praninë e specieve të rrezikuara.

“Rëndësia më e madhe e kësaj rezolute është se ajo konfirmon që protesta qytetare ka të drejtë në thelb. Qytetarët nuk kanë dalë kundër zhvillimit, por kundër një modeli ku zhvillimi përdoret si justifikim për të shkelur ligjin dhe për të privatizuar hapësira që kanë vlerë jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Sot, Parlamenti Evropian ka thënë me gjuhën e tij diplomatike atë që qytetarët shqiptarë po e thonë çdo ditë, njëzëri, në shesh.
Rezoluta vë gjithashtu në dukje shqetësimet për Ligjin për Investimet Strategjike, duke theksuar se procedurat e përshpejtuara të lejeve mund të shmangin kontrollin e duhur mjedisor në zona të ndjeshme”, thotë avokati Matlija.
Sipas dokumentit të miratuar, situata në Vjosë-Nartë shihet si një test i rëndësishëm për përputhshmërinë e Shqipërisë me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e mjedisit dhe sundimit të ligjit, në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Rezultati i votimit të sotëm bie në kontrast të fortë me reagimin e Komisionit Evropian ndaj shkeljeve të pretenduara. Më 15 qershor, Komisionerja Kos deklaroi se Komisioni kishte marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhej një vlerësim i ndikimit në mjedis, duke anashkaluar faktin se punime të konsideruara të paligjshme tashmë kanë ndodhur pa leje, pa transparencë dhe pa një vlerësim të ndikimit në mjedis. Parlamenti Evropian ka treguar më shumë angazhim sesa Komisioni në mbrojtjen e ligjeve të BE-së.
“Rezoluta merr një rëndësi të veçantë edhe në kontekstin e deklaratës së Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, e cila u shpreh se Komisioni ka marrë garanci nga qeveria shqiptare se standardet evropiane do të respektohen në çdo rast lidhur me projektin në Vjosë-Nartë. Ndërsa kjo deklaratë ka nxitur reagime dhe shqetësime të shumta nga qytetarët dhe organizatat mjedisore, të cilat e kanë interpretuar atë si një mbështetje të tërthortë ndaj veprimeve të qeverisë, rezoluta e Parlamentit Evropian shërben si sqarimi më i fortë institucional i pozicionit të BE-së.
Ajo konfirmon se garancitë politike nuk mjaftojnë; Shqipëria duhet të demonstrojë me veprime konkrete se është e gatshme të mbrojë rrjetin e ardhshëm Natura 2000 me të njëjtat standarde që zbatohen sot në çdo shtet anëtar të Bashkimit Evropian. Vetëm përmes rikthimit të mbrojtjes së plotë ligjore të zonave të mbrojtura dhe respektimit të acquis mjedisor, vendi mund të dëshmojë seriozitetin e angazhimit të tij evropian”, thotë drejtori i Eco Albania.

Organizatat mjedisore e kanë mirëpritur rezolutën si një sinjal të fortë politik nga Brukseli, duke kërkuar që autoritetet shqiptare të ndalojnë menjëherë çdo ndërhyrje të mëtejshme dhe të rishikojnë kuadrin ligjor për zonat e mbrojtura.
Peizazhi i Mbrojtur Vjosa-Nartë është pjesë e një prej sistemeve të fundit të paprekura deltore në Mesdhe. Ai strehon mbi 200 lloje shpendësh dhe më shumë se 70 specie të rrezikuara, ndodhet në një nga korridoret më të rëndësishme migratore të Evropës dhe ofron habitat jetik për fokën mesdhetare dhe breshkën detare Caretta caretta – specie që shtete anëtare të BE-së, si Greqia, Italia dhe Kroacia, kanë detyrime ligjore t’i mbrojnë. Ajo që ndodh këtu nuk mbetet vetëm në Shqipëri.
Që nga fillimi i majit 2026, ndërtimet kanë vijuar brenda zonës së mbrojtur pa asnjë projekt të publikuar, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa konsultim publik dhe pa leje të vlefshme – në kundërshtim të drejtpërdrejtë me angazhimet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit.
Kjo ka nxitur protesta masive, ku më shumë se 100 mijë shqiptarë kanë dalë në rrugë gjatë 18 ditëve të fundit, në atë që është bërë e njohur globalisht si “Revolucioni i Flamingove” – një lëvizje popullore kundër prerjes së paligjshme të pyjeve, shkatërrimit të dunave shekullore ranore dhe dëmtimit të habitateve të mbrojtura në Peizazhin e Mbrojtur Vjosa-Nartë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.




















