Për të gjithë dashnorët e investimit Kushner

Ndërkohë, Shqipëria pret miliona turistë në vit, të cilët shpenzojnë shumë më tepër te bizneset e vogla, si bare, restorante, tezga, fast-food, qira, taksi, markete dhe guida. Një resort i mbyllur si ky i dashnorëve të Ramës mund të xhirojë shumë dollarë, por e mban të gjithë paranë brenda murit të vet dhe më pas e çon fitimin përtej oqeanit, te ekonomia e një shteti tjetër.

28
Investimet miliona euroshe
Credits: Facebook - Investimet miliona euroshe, ilustrim

Sa herë përmendet “investimi 4 miliardë dollarë”, disa njerëzve u mbushen sytë me lot nga emocioni. U duket sikur dollarët do të vijnë me kamionë dhe do të shpërndahen nëpër fshatra. Secili do të gjejë poshtë derës nga një zarf me dollarë.

Por 4 miliardë dollarë investim nuk do të thotë 4 miliardë dollarë për Shqipërinë.

Konsulencat, arkitektët, arreduesit, inxhinierët, avokatët, markat e hoteleve, mobilimet, pajisjet, teknologjia, rifiniturat luksoze dhe financimi do të blihen të gjitha nga jashtë. Në Shqipëri, shumë-shumë, do të paguhen kryesisht punime karabinaje, si betoni, inertet, transporti, pak punë krahu, pak energji dhe ndonjë taksë lokale.

Pra, nuk po na vjen Mesia me 4 miliardë. Po vjen një resort që mund ta përdorë Shqipërinë si truall, peizazh, kuzhinë, lavanderi dhe parking për luksin e ca personave ekskluzivë dhe që do të paguajë ca thërrime nga këto miliarda për t’i futur në ekonominë tonë.

Edhe gjatë operimit të resortit, përralla vazhdon. Turisti i luksit nuk shpërndahet në ekonomi si turisti normal. Ai i luksit fle brenda resortit, ha brenda, pi brenda, argëtohet brenda dhe paguan brenda. Paratë nuk qarkullojnë nëpër qytete, fshatra, lokale, tregje e bujtina. Paratë kapen dhe kanalizohen nga resorti.

Dhe këta dashnorët e investimit na thonë që miliarderët do të blejnë produkte shqiptare.

Po mor po, do të hanë ndonjë domate, kastravec e shalqi, që këtu do të blihet me çmim tregu, por që resorti do t’ia shesë miliarderit në pjatë luksi me 50-fishin e çmimit. Fermeri do të marrë çmimin e domates. Resorti do të marrë çmimin e luksit dhe, në fund, zëre se u ushqyen me fruta e perime të freskëta nja 20 mijë njerëz maksimumi. Se të vijë miliarderi këtu, nuk do të thotë që ka miliarda dhe do të hajë 8 ton domate për drekë. Ai ha aq sa hanë të gjitha qeniet njerëzore. Krahasoje këtë me 12 milionë turistë që ushqehen rregullisht me këto, si dhe me ato ushqimet e tjera që ata miliarderët e resortit do t’i importojnë, si mishi, djathrat, vera, pijet, frutat ekzotike e shumë të tjera.

Por nuk ndalen dashnorët e resortit. Na thonë që do të hapen vende pune.

Mirë. Për kë? Për shqiptarë apo për punëtorë të importuar nga vende më të varfra të Azisë, që paguhen më pak dhe binden më shumë? Shikoni resortet e tjera se çfarë punëtorësh kanë. Punëtorët nga Filipinet janë në dominancë kudo në vendet e shtrenjta. Nëse punëtorët vijnë nga jashtë, pagat e tyre dalin jashtë, sepse ata i çojnë si remitanca në familjet e tyre dhe konsumin lokal këta persona e kanë fare minimal, sepse flenë e hanë brenda resortit. Kështu Shqipërisë do t’i mbetet në gojë slogani “u hapën vende pune”, si tip gishti propagandistik.

Dashnorët e resortit na thonë edhe që do të na vijnë turistë elitarë.

E po pastaj? Sa do të jenë për 10 mijë dhoma? 20 mijë njerëz në një moment të dhënë, në momentin më të mirë? Dhe kjo brenda sezonit, sepse mos prisni miliarderë të vijnë në shkurt. Ndërkohë, Shqipëria pret miliona turistë në vit që shpenzojnë shumë më tepër te bizneset e vogla, si bare, restorante, tezga, fast-food, qira, taksi, markete, guida. Një resort i mbyllur si ky i dashnorëve të Ramës mund të xhirojë shumë dollarë, por e mban të gjithë paranë brenda murit të vet dhe pastaj e çon fitimin përtej oqeanit te ekonomia e një shteti tjetër. Këtu do të paguajë një TVSH 6%, që bën vaki i ulet edhe kjo, ose t’i hiqet fare për nja dhjetë vjet, si dhe ndonjë tatim fitimi që, kuptohet, do të llogaritet pasi janë zbritur kostot e konsulencave, menaxhimit, brandit, interesave të financimit etj. E mbani mend atë kompaninë e naftës? Si i dilte tatim fitimi asaj?

Pra, pyetja nuk është sa miliardë shkruhen në projekt.

Pyetja është sa do të mbeten në Shqipëri? Sa do të shkojnë për punëtorë shqiptarë? Sa do të marrin kompanitë shqiptare? Sa do të fitojnë fermerët shqiptarë? Sa taksa do të paguhen realisht këtu? Sa fitim do të ikë jashtë?

Dhe sa tokë, det, lagunë e natyrë humbasim për këtë përrallë?

Sepse në fund mund të ndodhë që Shqipëria të japë peizazhin, bregdetin, pyllin, lejet, tokën, heshtjen e institucioneve dhe natyrën, ndërsa në këmbim të marrë ca thërrime për betonin, ca paga të ulëta për pak persona, ca kile domate me çmim tregu, dhe po, do të paguajnë edhe energjinë elektrike, sa paguan energji një lagje e zakonshme.

Ah, harrova, dhe kjo po, është vërtet sublime për dashnorët e resortit. Do të kemi më në fund krenarinë e madhe kombëtare që miliarderi hëngri sallatë me kastravec shqiptar, pavarësisht se sallata do të jetë veshur me ndonjë emër të bukur francez.

Dorian Matlija
+ posts