Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, e mbajtur sot në Tiranë, duhej të ishte një moment vlerësimi dhe reflektimi mbi transparencën e institucioneve dhe funksionimin e ligjit për të drejtën e informimit në këto 10 vjet. Në vend të kësaj, ajo u shndërrua në një skenografi të kujdesshme politike, ku transparenca u la në sfond dhe protagonizmi politik doli si zë i parë, në planin e parë.
Në panel ishte i ftuar Kryeministri Edi Rama, i cili shfrytëzoi rastin për të kritikuar Komisionerin për të Drejtën e Informimit se “nuk vendos sanksione”. Në të njëjtën kohë, ai shpalli publikisht edhe “synimin” e tij për të dekriminalizuar shpifjen, duke marrë kështu rolin e reformatorit që vjen për të shpëtuar lirinë e shprehjes nga gabimet e shtetit që ka sajuar po vetë fryma e tij.
Në këtë panel vihej re gjithashtu mungesa e qëllimshme e një aktori kyç si Res Publica.
Po pse vallë u përjashtua Res Publica? Në panelin ku Kryeministri u ul “përballë shoqërisë civile” mungoi pikërisht organizata më aktive në fushën e së drejtës së informimit dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri. Res Publica nuk është thjesht një OJF më shumë në këtë qytet, por është organizata që ka qenë aktore që në hartimin dhe advokimin e ligjit të vitit 2014, që ka dorëzuar rreth 2800 kërkesa për informacion në këto vite, më shumë se të gjitha organizatat e tjera së bashku, që zotëron dhe operon platformën e vetme të shoqërisë civile të dedikuar për këtë fushë (Publeaks.al), që paraqet çdo vit të paktën një lumë me ankesa pranë Komisionerit, më shumë se gjithë OJF-të e tjera të marra së bashku, që ka zhvilluar me qindra procese gjyqësore, që ka krijuar një praktikë të konsoliduar gjyqësore që sot përdoret si referencë.
E megjithatë, Res Publica u përjashtua nga Komisioneri Besnik Dervishi. Arsyeja është e lexueshme. Në një panel ku Kryeministri kishte planifikuar të dilte si kritik i organit të pavarur dhe besnik, nuk duhej të konkurohej me zëra të tjerë kritikë. Nuk duhej në atë tryezë askush që ka një dekade që kërkon ato sanksionet që do i kërkonte sot Kryeministri, por që përtej këtij të fundit, ka denoncuar edhe mosmarrjet e vendimeve nga Komisioneri, edhe mbylljet e praktikave në mënyrë të paligjshme prej tij, edhe dështimin e programeve të transparencës, etj, etj. dhe që mund të bënte të dukshme hendekun mes retorikës politike të Kryeministrit që i bëri një qokë trasnparencës, në njërën anë, dhe realitetit larg standardeve, nga ana tjetër.
Përvoja e qendrës Res Publica me besnikun e butaforisë Kryeministrore të sotëm, Z. Besnik Dervishi, daton që nga dita e parë e mandatit të tij si Komisioner. Kritikat tona kanë qenë të vazhdueshme dhe të argumentuara. Prania jonë në panel do ta zhvendoste bisedën nga performanca politike e planifikuar për konsum lajmesh te substanca e vërtetë juridike, dhe kjo nuk ishte e dëshirueshme me sa duket.
Është bërë modë tashmë që, në mungesë të opozitës politike, Kryeministri shfaqet herë pas here si kritik i institucioneve që vetë i ka nën hyqëm, direkt ose indirekt, i mbështet e i shpërfill sa herë dëshiron, dhe që i kontrollon në një mënyrë ose tjetrën. Ai paraqitet si ai reformatori që ndërhyn për të rregulluar defektet e një administrate që, sipas narrativës së tij, çuditërisht gabon pa dijeninë e tij, teksa sukseset prodhohen vetëm falë ndërhyrjeve energjike dhe vizionare të tij.
Sot, Kryeministri mori mbi vete rolin e shpëtimtarit të lirisë së shprehjes duke deklaruar edhe heqjen e shpifjes nga Kodi Penal. Por realiteti është ndryshe. Kjo dispozitë u fut në draftin e Kodit të ri Penal nga ministri i tij, i cili dinte shumë mirë edhe ta hiqte. Çdo njeri që njeh pak ato dinamikat e brendshme e di se ky vendim u la qëllimisht për t’u shpallur nga Kryeministri, me qëllim që ai të përfitojë politikisht duke u shfaqur si mbrojtës i gazetarëve.
E gjithë kjo shfaqje prej “babai kombi” që “e pa një herë atë Komisionerin” dhe situata ndryshoi në mënyrë folklorike, e përgatitur me kujdes nga besnikët e kësaj butaforie, zhvillohej pranë dekorit politik të veshur edhe me disa organizata të shoqërisë civile në panel. Publikut i komunikohej se “ja ku është shoqëria civile”, ndërsa aktorët kritikë si Res Publica, apo gazetarë investigues si Artan Rama apo Lindita Çela, që përplasen çdo ditë me realitetin e transparencës së mangët, mbaheshin jashtë syve të kamerave.
Edhe kur Komisioneri pranoi përballë Kryeministrit se “ka ardhur koha që duhen vendosur sanksione”, ai tha publikisht atë që Res Publica e ka artikuluar me dhjetëra herë në këto vite nëpër raporte, shkrime, gjyqe, etj. Por ky pranim vjen vetëm para Kryeministrit “ismailqemalist”, jo para publikut, as para institucioneve, as para realitetit të shkeljeve sistematike të transparencës që nuk shkruhet as në raportet e drejtuara Kuvendit.
Nëse sot u arritën të paktën dy gjëra të mira, nxitja që Komisioneri të fillojë më në fund të vërë ndonjë gjobë dhe premtimi për dekriminalizimin e shpifjes, ato janë rezultat i një dekade përpjekjesh, presioni, advokimi dhe lobimi të vazhdueshëm nga Res Publica dhe aktorë të tjerë të pavarur, brenda dhe jashtë vendit, që informojnë institucionet ndërkombëtare që i paraqesin këto kërkesa ndaj qeverisë. Kryeministri Rama do duhej t’i pranonte herët a vonë. Mënyra se si e bëri, jo me kokën ulur, por duke i ulur kokën Besnikut në prani, apo Ulsiut në distancë, është arritja e tij që nuk do të kishte sukses nëse nuk do të liheshin jashtë tryeze kritikët e vërtetë.
Pavarësisht përjashtimit të qëllimshëm nga një panel që duhej të ishte gjithëpërfshirës, Res Publica do të vazhdojë punën e vet. Do të jemi aty, pas kuintave dhe në sallat e gjyqeve, duke monitoruar dhe duke debatuar në gjykata me qeverinë, Kryeministrin vetullngrysur, Komisionerin, dhe çdo institucion që ka detyrimin ligjor të garantojë transparencën. Edhe nëse këta institucione bëjnë sikur nuk e dinë, e vërteta është se jemi aty dhe do të vazhdojmë të jemi aty. Institucionet ndërkombëtare do marrin prej nesh informacionet që duhet të dinë.
Në këtë vend, e drejta e informimit nuk ecën përpara nga spektaklet publike, por nga përpjekjet konkrete, të vazhdueshme dhe shpesh të vështira dhe nga presioni nga jashtë. Dhe ato përpjekje e presione do të vazhdojnë, me apo pa skenografinë politike të Kryeministrit, besnikëve të tij dhe ornamenteve të rastit.




















