Dy biznesmenë të njohur në fushën e teknologjisë dhe shërbimeve informatike, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, i kanë shpëtuar arrestimit mëngjesin e së martës, pas urdhër arrestëve të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme.
Mësohet se dy biznesmenët janë larguar para se agjentët e BKH-së të ekzekutonin urdhër-arrestet, ndërkohë që sipas SPAK, Agasi dhe Beqiri dyshohen për pjesëmarrje në një skemë të organizuar kriminale për manipulimin e tenderave publikë, duke përdorur dhunë, shantazh dhe lidhje me zyrtarë shtetërorë për të eliminuar konkurrencën.
Më 15 dhjetor 2025, Prokuroria ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për caktimin e masave të sigurimit për 8 shtetas të marr nën hetim. Sot, më 16 dhjetor 2025, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar vendimet e gjykatës për disa prej tyre, pa mundur të arrestojnë dy të akuzuarit kryesor të këtij procedimi penal.
Hetimet e SPAK tregojnë se Ermal Beqiri, pronar i shoqërisë “Soft & Solution”, ka fituar dhjetëra tendera publikë pranë AKSHI-t, ndërsa Ergys Agasi ka vepruar si hallkë lidhëse mes biznesit dhe zyrtarëve të institucionit, duke siguruar favorizimin e kompanive të caktuara dhe eliminimin e konkurrencës.
Një nga provat kryesore të hetimit është episodi i dyshuar i pengmarrjes dhe dhunimit të biznesmenit Gerond Meçe, i cili kishte nisur ankesa për procedurat e tenderimit të AKSHI-t. Sipas SPAK, Meçe është marrë peng për disa orë nga Agasi dhe Beqiri, në bashkëpunim me zyrtarë të Policisë së Shtetit, dhe është detyruar të tërhiqet nga garat publike.
Sipas SPAK shtetasit e dyshuar kanë kryer veprën penale “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara, duke hapur rrugën për kompanitë e paracaktuara.
“Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale, “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.” – njoftoi Prokuroria e Posaçme.
Hetimi ka zbuluar se shtetasit e dyshuar, duke vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, kanë manipuluar procedurat e tenderimit për të favorizuar disa kompani të caktuara, duke përcaktuar kritere të jashtëligjshme dhe duke detyruar kompanitë e tjera të tërhiqen nga ankimet që mund të ndryshonin renditjen e fituesve.
Gjithashtu, disa administratorë kompanish dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme, duke lëshuar fatura fiktive dhe realizuar transaksione me kompani që nuk ishin pjesë e procedurave të tenderimit.
Ndaj Ergys Agasit janë ngritur 6 akuza për vepra të rënda penale, përfshirë pengmarrjen, pastrimin e parave dhe krijimin e organizatave kriminale. Akuza të ngjashme janë ngritur edhe ndaj Ermal Beqirit, ndërsa në listën e gjatë të emrave nën hetim figuron edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Për drejtoreshën Karçanaj është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Ermal Beqirin është caktuar “arrest me burg”.
SPAK ka listuar një sërë akuzash, duke përfshirë “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, të kryera në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal.
Ermal Beqiri është pronar i vetëm i “Soft & Solution”, kompani që ka fituar dhjetëra tendera publikë, ndërsa Ergys Agasi është pronar i shoqërisë “EA Solution”. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, të dy kompanitë kanë adresë të përbashkët, një fakt që shton dyshimet për bashkëpunim mes tyre.
Kompania “Soft & Solution” u themelua në vitin 2011 për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve informatike. Në vitin 2017, ajo hapi një adresë dytësore që përkonte me vendndodhjen e shoqërisë së Agasit.
Në korrik të vitit 2021, pronarja Arjola Koromani e shiti kompaninë te Ermal Beqiri për rreth 1 milion lekë, megjithëse fitimet e saj reale ishin shumëfish më të larta.
Fitimet e pashpërndara kapnin rreth 106 milionë lekë, ndërsa fitimi i vitit financiar ishte rreth 135 milionë lekë. Vetëm disa muaj pas shitjes, kapitali i shoqërisë u zmadhua me rreth 59 milionë lekë nga fitimet e pashpërndara, duke e çuar kapitalin total në rreth 60 milionë lekë të reja.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë pesë viteve të fundit, AKSHI ka kryer 1122 transaksione me vlerë totale rreth 6.64 miliardë lekë, ndërsa vetëm në vitin 2022, pagesat për kontrata të klasifikuara kapën rreth 1.74 miliardë lekë.
Emri i Ergys Agasit është përmendur më parë edhe publikisht nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj si “koordinatori mes kryeministrit dhe grupeve kriminale”, por Agasi i ka konsideruar këto akuza si thashetheme.
“Nuk merrem me thashetheme” – tha Agasi për “shteg.org“.
Sipas Ahmetajt, biznesmeni durrsak është eminenca gri e kryeministrit Edi Rama, bizneset e të cilit rezultojnë të kenë përfituar fonde publike. Kompania, EA Solutions, ka pasur një rritje të pashpjegueshme financiare brenda një viti nga krijimi i saj dhe çuditërisht në fushën e shërbimeve të IT.
Dokumentet tregojnë se EA Solutions, e themeluar në mars të vitit 2023, ka deklaruar fitime prej 2.2 milionë euro në vetëm një vit. Kjo shifër bëhet edhe më e dyshimtë kur merret parasysh fakti se shpenzimet e saj totale vjetore janë vetëm 100 mijë euro.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.



























