SPAK zbulon pasuri të fshehura në hetimin për AKSHI-n

Vila në Qerret dhe dy apartamente dyshohet se janë përfituar nga Mirlinda Karçanaj, ndërsa një tjetër pasuri i atribuohet Hava Delibashit në kuadër të hetimeve për tendera të manipuluar dhe fshehje pasurie.

497
Ergys Agasi, ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri
Credits: shteg.org - Ergys Agasi, ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri

Në orët e para të mëngjesit të së martës, më 31 mars, agjentët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë kryer kontrolle në një vilë në Qerret të Kavajës.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se kontrolli në vilën e Qerretit është pjesë e një dosjeje më të gjerë që po heton mënyrën e menaxhimit të tenderave publikë në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si dhe dyshime për fshehje pasurie përmes lidhjeve të tërthorta me persona dhe subjekte të ndryshme.

Kontrollet kanë vijuar më pas në disa drejtime të tjera të hetimit, ku SPAK ka zbuluar pasuri të dyshuara të fshehura që lidhen me ish-zyrtarë të këtij institucioni.

Gjatë veprimeve hetimore, është identifikuar një vilë në Qerret dhe dy apartamente që dyshohen si pasuri të përfituara në mënyrë të paligjshme nga ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për akuzat e manipulimit të tenderave dhe favorizimit të kompanive të paracaktuara.

Po ashtu, në kuadër të të njëjtave kontrolle është zbuluar edhe një apartament që dyshohet si pasuri e fshehur e ish-zëvendësdrejtoreshës së AKSHI-t, Hava Delibashi, e cila po hetohet në gjendje të lirë për shkak të shtatzënisë. Ajo dyshohet për përfshirje në manipulimin e procedurave të prokurimit publik dhe shkelje të barazisë në tendera.

Këto kontrolle vijnë një ditë pas aksionit të mëparshëm të SPAK në dy vila në Palasë, të lidhura me biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët janë shpallur në kërkim dhe dyshohen si pjesë e një grupi të strukturuar që ka ndikuar në manipulimin e tenderave të AKSHI-t.

Një prej vilave të kontrolluara më herët rezulton e regjistruar në emër të prindërve të Karçanajt dhe, sipas hetimeve, ishte dhënë me qira për Beqirin.

SPAK thekson se hetimi ka zbuluar një mekanizëm të sofistikuar pastrimi parash dhe fshehje pasurie, përmes të cilit kompanitë e përfshira fitonin miliona euro nga tenderat e AKSHI-t.

12 procedura tenderuese, kryesisht për mirëmbajtjen e serverave të institucioneve shtetërore, ku dyshohet se kriteret e garës janë diktuar nga kompanitë pjesëmarrëse për të garantuar fitime të paracaktuara.

Më 15 dhjetor 2025, Prokuroria ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për caktimin e masave të sigurimit për 8 shtetas të marr nën hetim. Hetimi i SPAK ka përfshirë biznesmenin Erion Ismaili, zv/drejtor për hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, ndaj të cilit gjykata ka vendosur pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Tre biznesmenë të tjerë, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, janë përfshirë gjithashtu në hetim dhe janë ndaluar të dalin jashtë vendit, pasi dyshohen se morën pjesë në skema fiktive tenderash për të përfituar shuma të konsiderueshme parash.

Më 16 dhjetor 2025, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar vendimet e gjykatës për disa prej tyre, pa mundur të arrestojnë dy të akuzuarit kryesor të këtij procedimi penal, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Ndaj Ergys Agasit janë ngritur 6 akuza për vepra të rënda penale, përfshirë pengmarrjen, pastrimin e parave dhe krijimin e organizatave kriminale. Akuza të ngjashme janë ngritur edhe ndaj Ermal Beqirit, ndërsa në listën e gjatë të emrave nën hetim figuron edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Hetimet e Prokurorisë së posaçme dokumentojnë ekzistencën e një celule kriminale, që dyshohet se është drejtuar nga biznesmeni Ergys Agasi, i cili përmes lidhjeve politike dhe nepotizmit, kishte vendosur nën kontroll hierarkinë e AKSHI-t, ku tenderat e teknologjisë nuk fitoheshin përmes aftësive teknike, por përmes lidhjeve politike, nepotizmit dhe, në raste ekstreme, me pistoleta në kokë dhe fenelina policie.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.