Gjykata vendos të tregojë mëshirë ndaj Ajola Xoxës. Për shkak të shtatzënisë së saj, gjatë seancës së sotme, më 30 mars 2026, Gjykata e Posaçme ka vendosur të lehtësojë masat e sigurisë ndaj saj, duke hequr detyrimin për paraqitje dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit.
Miratimi i kërkesës së bashkëshortes së Erion Veliajt, u argumentua nga Gjykata e Shkallës së Parë me nevojën që Xoxa ka për kryerjen e kontrolleve shëndetësore jashtë vendit.
Trupa gjykuese e përbërë nga Engjëllushe Tahiri, Rudina Palloj dhe Alma Kodraliu, gjatë seancës të së Hënës mori në shqyrtim kërkesën e bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, për “revokimin ose zëvendësimin e masave të sigurimit personal” të vendosura po nga kjo gjykatë më 12 shkurt 2025.
Gjatë seancës gjyqësore, avokatët e Ajola Xoxës kërkuan zëvendësimin e masave shtrënguese, duke parashtruar se “ajo është në pritje të një fëmije dhe ka nevojë për kontrolle mjekësore jashtë vendit”, kërkesë kjo që është pranuar nga gjykata, e cila vendosi shfuqizimin e çdo mase kufizuese ndaj bashkëshortes së Erion Veliajt.
Ajola Xoxa është nën hetim për akuza që përfshijnë “Korrupsion pasiv” në 9 raste lidhur me organizata jofitimprurëse dhe subjekte tregtare, “Pastrim parash”, “Mosdeklarim pasurie” dhe “Fshehje e të ardhurave”.
Xoxa është pjesë e hetimeve të dosjes voluminoze dhe akuzave që Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
SPAK ka ngritur katër akuza të rënda ndaj kryebashkiakut, si korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të paligjshme në burg.
Sipas hetimeve, Veliaj dhe bashkëshortja e tij janë përfshirë në një mekanizëm të komplikuar, ku fonde publike nga Bashkia e Tiranës janë alokuar në mënyrë të dyshuar drejt bizneseve dhe organizatave që kanë lidhje me familjen e tyre, prej të cilave dyshohet se familja Veliaj-Xoxa ka përfituar mbi 1.1 milionë euro.
Prokuroria thotë se Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, ka nënshkruar aktet që shpërndanin fondet publike, të cilat përfundonin më pas tek OJF të lidhura me Ajola Xoxën, shoqëri tregtare dhe individë të afërt me çiftin. Përveç shumave në para, dy të pandehurit kanë përfituar edhe pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme.
Provat e mbledhura tregojnë dyshime për qarkullim të shumave të mëdha parash jashtë sistemit bankar nga Ajola Xoxa, të cilat sipas hetimeve lidhen me përfitime të parregullta të siguruara për shkak të funksionit të bashkëshortit të saj, Erion Veliaj.
Një tjetër çështje lidhet me ndërtimin e rrugës “Hajdar Kërçiku”, që sipas hetimeve ka favorizuar zhvillimin e një prone të saj, e cila më pas është transferuar tek familjarët. Gjykata e Tiranës e ka shpallur të paligjshëm planin për ndërtimin e kësaj rruge, duke konstatuar edhe mungesë procedurash ligjore dhe konsultimi publik.
Hetimet kanë konstatuar se rruga nuk ekzistonte në terren dhe nuk ishte parashikuar në planin urbanistik, ndërsa procesi i miratimit është kryer në kundërshtim me rregullat ligjore. Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se vendimi për këtë projekt është marrë në kushtet e konfliktit të interesit.
Erion Veliaj ndodhet nën masën e “arrestit në burg” që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë nga Prokuroria e Posaçme, të nisura në korrik 2023, pas një denoncimi anonim që zbuloi lidhjet mes kryebashkiakut dhe biznesmenit Gentjan Sula, pronar i kompanisë së ndërtimit “Agi Kons”, e cila ka fituar disa tenderë publikë.
Hetimet kanë konfirmuar miqësinë e vjetër mes Veliajt dhe biznesmenit, si dhe përfitimet që familja e tij ka marrë nga kjo kompani.
Pas hetimeve paraprake dhe grumbullimit të provave, më 8 shkurt 2024, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për veprën e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa më 27 dhjetor 2024 hetimi u zgjerua, duke përfshirë edhe akuzat për “Korrupsion aktiv”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale” dhe “Fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë”.
Më 16 janar 2025, ndaj Veliajt prokuroria ngriti akuza për “Deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, dhe më 24 janar 2025 u regjistrua dhe akuza për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Nga qelia e burgut, Erion Veliaj dhe avokatët e tij kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si një komplot politik të orkestruar nga kundërshtarët e tij.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.
























