Në tre procese gjyqësore të zhvilluara paralelisht, nga Gjykata e Posaçme deri në Gjykatën Kushtetuese, me objekt thuajse të njëjtë – kundërshtimin e masës së “arrestit me burg” – çështja ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vijon të mbetet e bllokuar proceduralisht.
Edhe seanca e kësaj të marte, më 26 maj 2026, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dështoi të zhvillohej. E konsideruar si një seancë që mund të zhbllokonte procesin gjyqësor, ajo u shty për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës në sallën e gjyqit.
Kjo është seanca e shtatë që shtyhet që prej kalimit të dosjes në gjykim themeli në shkurt të këtij viti. Të paktën tre prej seancave kanë dështuar pikërisht për shkak të mungesës së avokatëve, të cilët kanë paraqitur si arsye probleme shëndetësore apo udhëtime jashtë vendit.
Në seancën e së martës mungonin avokatët e pjesës më të madhe të të pandehurve të dosjes së njohur si “Çështja Veliaj”, çka detyroi trupën gjykuese të shtyjë procesin për më 10 qershor.
Ndërkohë, procesi vijon të përfshihet në debate proceduriale të ngritura nga mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës, e cila po kundërshton me forcë masën “arrest me burg” të vendosur ndaj Veliajt më 9 shkurt 2025. Sipas mbrojtjes, izolimi i tij është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa u analizuar alternativat më të lehta të sigurisë.
Avokatët argumentojnë se gjykatat e shkallëve më të ulëta nuk kanë zbatuar siç duhet kriteret e Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon se, pas një periudhe të caktuar kohe, personat nën hetim mund të gjykohen në liri kundrejt një garancie pasurore. Vetë Veliaj është shprehur i gatshëm të ofrojë një garanci të tillë.
Pikërisht për të shmangur tejkalimin e afateve të paraburgimit, prokurori i posaçëm Ols Dado kërkoi pezullimin e këtyre afateve deri në zhvillimin normal të procesit. Kërkesa u kundërshtua nga mbrojtja, por Gjykata vendosi ta pranojë, duke argumentuar se mungesa e të pandehurve dhe avokatëve po pengon vijimin e rregullt të gjykimit.
Situata juridike është komplikuar më tej edhe nga një vendim i fundit i Gjykatës Kushtetuese. Me votim 5 me 3, ajo shfuqizoi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë mbi masën e sigurisë ndaj Veliajt, duke e konsideruar atë të papajtueshëm me Kushtetutën dhe duke kërkuar rishqyrtim.
Ky zhvillim lë të hapur mundësinë që kryebashkiaku i Tiranës të mos vijojë hetimet nga qelia, por nën një masë më të lehtë sigurie, nëse Gjykata e Lartë vendos në favor të tij në seancën e pritshme të 28 majit.
Seanca e ardhshme në GJKKO është caktuar më 10 qershor, në orën 11:30, ndërsa pas datës 16 qershor gjykimi pritet të zhvillohet çdo të martë.
Dosja penale ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe një grupi biznesmenësh ndodhet në gjykim themeli që prej shkurtit 2026. Deri tani janë zhvilluar shtatë seanca, të shoqëruara me kërkesa për ndarje të çështjes, përjashtim kompetence dhe kohë shtesë për mbrojtjen.
SPAK ka ngritur ndaj Veliajt akuza për korrupsion pasiv në nëntë raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të paligjshme në burg. Sipas hetimeve, Veliaj dhe bashkëshortja e tij dyshohet se kanë përfituar mbi 1.1 milionë euro përmes një skeme ku fonde publike të Bashkisë së Tiranës kalonin drejt OJF-ve, bizneseve dhe individëve të lidhur me familjen e tyre.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.

























