Burg, gjoba dhe shërbim prove për të pandehurit e dosjes Veliaj

Prokuroria e Posaçme kërkoi 1 vit burg për biznesmenin Fatmir Bektashi, 7 vite për Ina Goxhajn, Elman Abulen dhe Adela Kondakçin, si dhe gjoba për kompaninë “Kontakt”, OJF-në “Frobolus” dhe ish-deputeten Klotilda Bushka.

273
Të pandehurit e dosjes Veliaj
Credits: shteg.org - Të pandehurit e dosjes Veliaj

Në dosjen e ndarë nga ajo e kryebashkiakut Erion Veliaj, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënime me burg, gjoba dhe masa alternative për 8 të pandehurit që kanë zgjedhur gjykimin e shkurtuar.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) pretencën për një pjesë të dosjes penale ku është i përfshirë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Bëhet fjalë për fraksionin e ndarë të çështjes që përfshin tetë të pandehur të cilët kanë kërkuar të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar dhe që sipas SPAK akuzohen si bashkëpunëtorë të Veliajt në skemën nën hetim.

Në pretencën e saj, SPAK kërkoi 1 vit burg për biznesmenin Fatmir Bektashi, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 8 muaj burg. Po ashtu, prokuroria kërkoi pezullimin e tij nga ushtrimi i funksioneve publike. Për kompaninë “Kontakt” sh.p.k., në pronësi të Bektashit, u kërkua një gjobë prej 583 mijë lekësh.

Ndërkohë, për Ina Goxhajn dhe biznesmenin Elman Abule, SPAK kërkoi nga 7 vite burg secili, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për Goxhajn u kërkua pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe vendosja në shërbim prove për një periudhë 5-vjeçare.

Për Adela Kondakçin, prokuroria kërkoi 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj, ndërsa për Fatjon Baçin u kërkuan 5 vite burg, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj, me pezullim të dënimit dhe kalim në shërbim prove.

SPAK kërkoi gjithashtu 1 vit burg për Frosina Bollon, dënim që zbret në 8 muaj me gjykimin e shkurtuar. Për organizatën jofitimprurëse “Frobolus” u kërkua gjobë prej 500 mijë lekësh, e reduktuar në 333 mijë lekë.

Ndërsa ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka u përball me një kërkesë për gjobë prej 600 mijë lekësh, e reduktuar në 400 mijë lekë, ndërsa për Flutura Xhanin u kërkua gjobë prej 60 mijë lekësh, e reduktuar në 40 mijë lekë.

Gjatë seancës, biznesmeni Elman Abule kërkoi që çështja ndaj tij të mos gjykohet nga GJKKO, por të kalojë për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës. Përmes mbrojtjes së tij ligjore, ai kërkoi shpalljen e moskompetencës së Gjykatës së Posaçme.

“Nuk kam pasur të bëj kurrë me shtetin, pse duhet të gjykohem nga kjo gjykatë”, mësohet të ketë deklaruar Abule.

Ai kërkoi gjithashtu shtyrjen e seancës, por kërkesa u kundërshtua nga SPAK, i cili argumentoi se ishte në fazën e paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare. GJKKO e rrëzoi kërkesën, duke e cilësuar të pabazuar në ligj.

Dosja ndaj të pandehurve me gjykim të shkurtuar është ndarë nga procesi kryesor ndaj Erion Veliajt dhe personave të tjerë që do të gjykohen me procedurë të zakonshme. Më herët, GJKKO kishte pranuar kërkesat për gjykim të shkurtuar për një pjesë të të pandehurve dhe kompanive të përfshira në hetim, ndërsa pretenca e SPAK ishte shtyrë për t’u paraqitur më 3 qershor. Procesi tashmë po hyn në fazën përfundimtare, para se gjykata të tërhiqet për vendim.

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.