Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar dhe diskutuar kërkesën e Erion Veliaj, i cili kundërshton masën e sigurisë “arrest në burg” dhe kërkon shpalljen e saj antikushtetuese.
Vendimi u mor pas përfundimit të seancës së zhvilluar këtë të martë, e cila u mbajt me dyer të mbyllura dhe vetëm mbi bazë dokumentesh, pa praninë e palëve. Gjyqtarët kushtetues nisën shqyrtimin në orën 10:00, por në përfundim vendosën të shtyjnë vendimmarrjen, duke theksuar nevojën për kohë shtesë për analizimin e materialeve të dosjes.
Çështja lidhet me masën e “arrestit në burg” të vendosur fillimisht nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në shkurt 2025, e më pas të konfirmuar nga Apeli i GJKKO-së dhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë. Në kërkesën e tij drejtuar Kushtetueses, Veliaj pretendon se masa i ka cenuar lirinë personale dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në ushtrimin e mandatit të tij si kryetar bashkie.
Sipas tij, gjykatat e mëparshme nuk kanë bërë një vlerësim të plotë të proporcionalitetit të masës së sigurisë dhe nuk kanë shqyrtuar alternativa më të lehta, si garancia pasurore apo gjykimi në gjendje të lirë. Ai ngre gjithashtu pretendimin se procesi është shoqëruar me shkelje të standardeve të një gjykimi të rregullt dhe me paragjykim për shkak të funksionit publik.
Nga ana tjetër, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbron vendimet e gjykatave të mëparshme, duke argumentuar se masa mbështetet në prova konkrete dhe në rrezikun e ndikimit mbi dëshmitarët, si dhe në rëndësinë e pozitës institucionale të të pandehurit.
SPAK thekson se vendimet janë në përputhje me standardet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe se hetimet mbështeten në prova financiare dhe dokumentare që justifikojnë masën e sigurisë.
Kjo është hera e dytë që Veliaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Në janar të këtij viti, Kushtetuesja e riktheu atë në detyrë, pasi vlerësoi si jokushtetues vendimin e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e tij, duke argumentuar se procedura ishte zhvilluar pa i garantuar të drejtën për t’u dëgjuar.
Paralelisht, më 28 maj, Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë edhe një tjetër kërkesë të Veliajt për zëvendësimin e masës “arrest në burg” me një masë më të lehtë sigurie.
Kërkesa e tij vjen në një moment kur Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë bërë një interpretim të ri për përdorimin e arrestit në burg, duke theksuar se masa më e rëndë e kufizimit të lirisë duhet të përdoret vetëm pasi të jenë shqyrtuar realisht alternativat e tjera dhe kur prokuroria arrin të justifikojë nevojën e saj në mënyrë konkrete.
Ndërkohë, dosja penale ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe një grupi biznesmenësh ndodhet në gjykim themeli që prej shkurtit 2026. Deri tani janë zhvilluar gjashtë seanca, të shoqëruara me kërkesa për ndarje të çështjes, përjashtim kompetence dhe kohë shtesë për mbrojtjen.
SPAK ka ngritur ndaj Veliajt akuza për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të paligjshme në burg. Sipas hetimeve, Veliaj dhe bashkëshortja e tij dyshohet se kanë përfituar mbi 1.1 milionë euro përmes një mekanizmi ku fonde publike të Bashkisë së Tiranës kalonin drejt OJF-ve, bizneseve dhe individëve të lidhur me familjen e tyre.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.

























