Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar pjesërisht vendimin ndaj ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, në kuadër të dosjes së inceneratorëve.
Apeli e ka shpallur të pafajshëm Bllakon për një nga episodet e akuzës për korrupsion pasiv, duke vlerësuar se fakti i hetuar nuk përbën vepër penale.
Ndërkohë, gjykata ka lënë në fuqi pjesën tjetër të vendimit të shkallës së parë, që lidhet me përfitimin e parregullt të shumës prej 119 mijë eurosh nga pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Si rezultat, Apeli ka ulur dënimin nga 4 vite në 3 vite burg.
Në zbatim të gjykimit të shkurtuar, dënimi është reduktuar më tej me një të tretën, duke u finalizuar në 2 vite burgim.
Gjykata ka vendosur gjithashtu pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e Bllakos në shërbim prove, me detyrimin për të mbajtur kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës në Tiranë.
Alqi Bllako ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit gjatë periudhës kur u zhvilluan procedurat për koncesionet e inceneratorëve në Shqipëri.
Ai është përfshirë nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në hetimet për të ashtuquajturën “dosja e inceneratorëve”.
Skandali i inceneratorëve ka nisur para 11 vitesh, kur qeveria e atëhershme, nën udhëheqjen e Edi Ramës, shpalli emergjencë mjedisore për të justifikuar dhënien me koncesion të inceneratorëve, duke përfshirë atë të Tiranës dhe Elbasanit.
Afera e inceneratorëve, në Tiranë, Fier dhe Elbasan, u ka kushtuar deri më sot taksapaguesve shqiptarë rreth 150 milionë euro, ndërsa një numër i lartë zyrtarësh publikë janë nën akuzë ose janë shpallur fajtorë për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Mes të dënuarve janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist, Alqi Bllako si dhe tre administratorët e kompanive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, ndërsa ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në arrati.
Inceneratori i Fierit dhe kompania koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” u sekuestruan me urdhër të SPAK në mars të vitit 2022 dhe administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara, AAPKS.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.























