Alqi Bllako shpallet fajtor për korrupsion, por lirohet nga burgu

Gjykata e Posaçme dënoi ish-deputetin e PS-së Alqi Bllako me 2 vite e 8 muaj burg dhe 5 vite ndalim për funksione publike, por por lirohet pasi ka vuajtur kohën e dënimit në paraburgim.

1026
Alqi Bllako, inceneratorët
Credits: shteg.org - Alqi Bllako, inceneratorët

Alqi Bllako, ish-deputeti i Partisë Socialiste, i akuzuar për korrupsion pasiv lidhur me inceneratorin e Tiranës, është shpallur fajtor, por pritet të lirohet nga burgu për shkak të masës së paraburgimit që tejkalon dënimin përfundimtar.

Trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e kryesuar nga Rudina Palloj, e shpalli Bllakon fajtor për dy episode korrupsioni.

Ai u dënua fillimisht me 4 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 2 vite e 8 muaj.

Pasi gjykata konstatoi se koha e vuajtur në paraburgim që nga data 9 dhjetor 2023 ishte më e madhe se masa e dënimit, vendosi të shuajë masën “arrest në burg” dhe urdhëroi lirimin e tij, nëse nuk mbahet për arsye të tjera ligjore.

Gjykata i hoqi gjithashtu të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Sipas hetimeve të SPAK, Bllako ka përfituar rreth 120 mijë euro nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare të inceneratorit, përmes blerjes së pajisjeve të përdorura për fabrikën e birrës të babait të tij në Ersekë.

Gjithashtu, SPAK akuzon Bllakon se ndërhyri për të angazhuar juristin Vladimir Bezhani si këshilltar i jashtëm të ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, duke siguruar një pagë fiktive prej 7.5 milion lekësh, gjatë kohës që Bezhani transmetonte informacione të Autoritetit Kontraktor te Zoto, sipas udhëzimeve të Bllakos.

Mbrojtja e ish-zv.ministrit argumentoi se Bllako nuk kishte rol vendimmarrës në projektin e inceneratorit dhe se detyrat e tij ishin kryesisht protokollare dhe administrative.

Kjo është hera e tretë që SPAK ka kërkuar dënimin e Bllakos. Në shkurt dhe mars 2025, prokuroria dhe GJKKO kishin kërkuar 5 vite burg, ndërsa më 11 mars 2025, Shkalla e Parë e kishte dënuar me 4 vite, që u ulën në 2.8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Apeli më 23 korrik 2025 la çështjen për rigjykim në Shkallë të Parë me trup tjetër gjykues. Në fillim të shtatorit, Bllako bëri rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar pafajësinë.

Skandali i inceneratorëve ka nisur para 11 vitesh, kur qeveria e atëhershme, nën udhëheqjen e Edi Ramës, shpalli emergjencë mjedisore për të justifikuar dhënien me koncesion të inceneratorëve, duke përfshirë atë të Tiranës dhe Elbasanit.

Eriselda Mikeli
+ posts

Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.