Vrasja e Elvis Dedajt dhe nënës së tij, dyshohet për shkak të pronave

Dëshmitë e familjarëve dhe të penduarit të drejtësisë zbulojnë motivet dhe përfshirjen e Qafollit në ekzekutimin e dyfishtë.

1001
Dedaj e Qoli
Credits: shteg.org - Dedaj e Qoli

Ekzekutimi i Elvis Dedajt më 5 qershor 2012 dyshohet të ketë ndodhur për shkak të konflikteve për pronësinë e bizneseve që ai kishte me mikun e tij, Festim Qolin, i cili konsiderohet sot si porositësi dhe një nga autorët kryesorë të vrasjes.

Hetimet e prokurorisë zbuluan se Dedaj dhe Qoli ishin ortakë në disa biznese, përfshirë një pikë karburanti në Durrës, ku ndarja e pronave dyshohet se shkaktoi tensione fatale mes tyre.

Në seancën e fundit të dosjes “Plumbi i Artë”, dëshmitë e motrës dhe të dashurës së Elvis Dedajt zbuluan episode të panjohura më parë mbi marrëdhëniet e viktimës me Qolin dhe konfliktet për bizneset. Matilda Habili, motra e Dedajt, deklaroi se nuk kishte dijeni për aktivitetet e vëllait, por konfirmoi kërkesën e Qolit për shitjen e aksioneve pas vrasjes së Elvisit.

Dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, e përforcoi dyshimin e prokurorisë se Qoli ishte porositësi i krimit. Ai deklaroi se Qoli kishte pranuar vrasjen dhe kishte paguar 20 mijë euro për të shmangur ndëshkimin penal, duke korruptuar persona të drejtësisë, dhe se kishte pësuar djegie në fytyrë dhe vetull gjatë djegies së makinës që u përdor për krimin.

Miqësia që u kthye në tragjedi

Pas një dite të zakonshme në qershor 2012, Elvis Dedaj shoqëroi të dashurën e tij në Tiranë dhe u kthye në Durrës. Ai parkoi makinën në “Shkëmbin e Kavajës” pa e ditur se pikërisht aty e prisnin dy persona të armatosur. Pak minuta më vonë, ai ra në pritë nga dy persona të armatosur dhe mbeti i vdekur në vend.

Në fshatin Arapaj policia gjeti një automjet të djegur tip “Mitsubishi” me targa kosovare, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Hetimet e telefonatave dhe lidhjet me numra kosovarë forcuan dyshimet për përfshirjen e Festim Qolit.

Motra e viktimës, Matilda Habili, rrëfeu në seancën gjyqësore se Elvisi kishte humbur kontaktet me familjen pas vitit 1997, periudhë kur ai u largua jashtë vendit drejt Italisë, Holandës dhe Belgjikës.

Ajo tha se nuk kishte dijeni për aktivitetet apo konfliktet e vëllait, por theksoi se ai kishte një marrëdhënie shumë të afërt me nënën e tyre, Fatmire Habili, e cila u vra në vitin 2013.

Matilda tregoi se Elvisi ishte rikthyer në Shqipëri në vitin 2008 dhe kishte hapur me Festim Qolin një pikë karburanti të quajtur “Clasik” në Durrës, ku nëna e tij zotëronte 51% të aksioneve dhe Qoli 49%.

Pas vrasjes së Elvisit, Matilda rrëfeu se ishte takuar me Qolin, i cili i kishte kërkuar shitjen e aksioneve të biznesit të përbashkët, duke i ofruar 45 mijë euro.

“Unë vetëm kam firmosur dokumentet, nuk kam pasur dijeni për pronat e vëllait apo të mamit. Kam trashëguar vetëm një apartament nga nëna, të cilin e kam shitur për të blerë një tjetër. Nuk jam marrë kurrë personalisht me hetimet por vrasjen e tyre ia lashë drejtësisë,” – tha ajo në sallën e gjyqit.

Hetimet kanë zbuluar se Dedaj dhe Qoli ishin bashkëpronarë në disa biznese, marrëdhënie që nisi pas një borxhi prej 70 mijë eurosh që Qoli nuk mundi ta shlyente, duke i propozuar ortakëri Dedajt.

Më vonë, në vitin 2011, Elvisi kërkoi ndarjen e pronave, çka dyshohet se u bë shkak për prishjen e marrëdhënieve e më pas për ekzekutimin e tij.

Ish e dashura e Dedajt tregoi se konflikti i biznesit mes dy shokëve kishte prishur marrëdhëniet dhe ishte shkaku kryesor i ekzekutimit.

“Unë di që karburanti ka qenë i Elvisit, por ai e ka vënë në emër të Festimit dhe më pas ka dashur ta kalojë në emër të së ëmës. Pas këtij konflikti, raportet e Elvisit me Festimin nuk ishin më si më përpara” është shprehur ish e dashura e Dedajt.

Dyshimet u konfirmuan më pas nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, në maj të vitit 2022. Ai deklaroi se Festim Qoli e kishte pranuar vetë vrasjen e Elvis Dedajt dhe se kishte paguar 20 mijë euro për të shmangur ndëshkimin penal, duke korruptuar persona të sistemit të drejtësisë në Durrës.

Dumani shtoi se Qoli kishte pësuar djegie në fytyrë dhe në vetull gjatë djegies së makinës së përdorur në krim, një provë që e lidh drejtpërdrejt me vendngjarjen.

Në dëshminë e saj të fundit, nëna e viktimës, para se të ekzekutohej, kishte deklaruar me bindje se djalin ma vrau shoku i tij, Festim Qoli.”

Në dritën e provave dhe dëshmive të reja, Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar dyshimet se Festim Qoli ka qenë porositësi dhe pjesëmarrës në ekzekutimin e Elvis Dedajt, një nga ngjarjet më të bujshme të viteve të fundit në Durrës.

SPAK ka ngritur akuzën për të paktën 2 vrasje ndaj Festim Qolit, “Vrasje me paramendim” dhe “Pjesëmarrje në grup strukturuar kriminal”, vepra këto të kryera në dëm të ish ortakut të tij Elvis Dedaj.

Qoli dhe Dedaj kishin një biznes të përbashkët, por kur Dedaj ka dashur të ndajë biznesin, Qoli ka financuar dhe urdhëruar vrasjen e tij. Talo Çela dhe Nuredin Dumani ishin grupi i kontraktuar për kryerjen e vrasjes.

Ndaj Qolit rëndon edhe akuza e vrasjes së Fatmira Dedaj, nëna e Elvis Dedaj e cila po hetonte për vrasjen e të birit. Ajo u ekzekutua në mënyrë makabre në garazhin e një pallati në qytetin e Durrësit.

Vrasjen e Elvis Dedajt dhe nënës së tij e rrëfeu i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani. Sipas tij Fatmira Dedaj u vra për shkak se kërkoi drejtësi për të birin.

Eriselda Mikeli
+ posts

Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.