Në Gjykatën e Posaçme, procesi gjyqësor i njohur si “Plumbi i Artë” u bë sërish qendër e vëmendjes, teksa prokurorët lexonin provat e reja dhe mbrojtja kundërshtonte me tone të forta çdo dokument të dorëzuar nga autoritetet franceze.
Prokurorja Doloreza Musabelliu lexoi provat shkresore, duke përfshirë identifikimin e llogarive të SkyECC të përdorura nga Nuredin Dumani dhe disa prej të pandehurve të tjerë, mes tyre Henrik Hoxhaj, Aldo Baho, Erjon Alibej, Armand Tragaj, Arjan Saliu (i vrarë) dhe Festim Qoli.
“Nga këto porosi kemi identifikuar kodet e SkyECC që disponoheshin nga Nuredin Dumani,” tha prokurorja, duke sqaruar se këto komunikime lidhen me vrasjet e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdia, planet për të vrarë Indrit Doklen, si dhe vrasjen e Emiliano Ramazanit.
Prokuroria lexoi gjithashtu procesverbalët për shkatërrimin me eksploziv të banesës së Talo Çelës dhe vrasjen e Fatmira Dedjes, si dhe dokumente lidhur me ngjarje të tjera kriminale, si ato kundër Sanxhaktarit dhe dy vëllezërve Haxhia.
“Ju vendosim në dispozicion procesverbalë dhe provat shkresore mbi të gjitha faktet penale që fillojnë në faqen 174, duke nisur nga sigurimi i kushteve për të vrarë Elton Kilën dhe tentativat për të vrarë Nuredin Dumanin.” – bëri të ditur prokurorja Musabelliu.
Para fillimit të seancës, i pandehuri Asllan Plaku akuzoi prokurorin Behar Dibra për arrestim pa prova, duke deklaruar se sipas tij, Nuredin Dumani nuk kishte bërë asnjë rrëfim.
Tensionet u rritën gjatë leximit të provave, kur ndërhyri avokatja e Altin Ndocit, i cili është arratisur dhe kryente vizitë mjekësore në Spitalin e Durrësit.
Elda Zotaj kërkoi që SPAK të vendoste në dispozicion CD-të dhe PIN-kodet e llogarive SkyECC, për të verifikuar çdo provë kundër klientit të saj:
“Nuk ka arsye që këto të përdoren në këtë gjykim. Procesverbalë të SkyECC për disa persona që nuk janë në këtë gjykim janë të veçuar. Ne kërkojmë nga gjykata që të na vendosë në dispozicion CD-të e ardhura nga autoritetet franceze për parimin e zbulimit të së vërtetës.
I kërkojmë gjykatës të kërkojë nga prokuroria nëse kanë evidentuar PIN-kodet apo ndonjë tjetër terminologji që përdoret për SkyECC të shtetasit Altin Ndoci dhe për çdo fakt penal që i ngarkohet për vrasjen e Andi Zylyfit. Ne duam provën konkrete.” – tha avokatja.
Prokurori tjetër i dosjes, Behar Dibra, reagoi duke siguruar gjykatën se provat ekzistojnë.
“Kërkesa dhe deklarata që thoni se ne kemi fshehur prova nuk është e vërtetë. Nuk ka fshehje prove. Nëse nuk është sjellë, do ta sjellim.”
Pas një debati me tone të larta, gjykata ndërpreu seancën dhe e shtyu procesin për në 3 mars 2026.
Procesi i “Plumbit të Artë”, ku akuzohen 15 persona për një seri vrasjesh dhe tentativa vrasjesh, vijon prej gati dy vitesh dhe ka hasur pengesa dhe vonesa të shumta.
Disa të pandehur, si Nuredin Dumani, Skerdi Tase dhe Erjon Alibej, kanë marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndërsa Henrik Hoxhaj e humbi këtë status për fshehjen e disa vrasjeve dhe mosdeklarimin e identitetit të porositësve.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.
























