Dëshmia e ish-zëvendësdrejtorit të Policisë së Elbasanit, Krenar Guçe, ka dominuar seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Plumbi i Artë”, ku ai u përball për më shumë se një orë me pyetjet e avokatëve të të pandehurve.
Gjatë rrëfimit të tij, Guçe deklaroi se kishte qenë nën mbrojtje shtetërore për shkak të kërcënimeve ndaj jetës së tij, pasi fotografia i ishte gjetur në telefonin e Nuredin Dumanit.
“Gjatë kryerjes së detyrës më është bërë me dije nga eprorët se persona të caktuar kishin qëllime dashakeqe ndaj meje… për këtë arsye kam pasur mbrojtje nga shteti për 2 vite,” u shpreh ai në gjykatë.
Ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Elbasanit shtoi se nuk kishte dijeni të drejtpërdrejtë për momentin e kërcënimit: “Nuk më është dhënë shpjegim se kur ishte bërë kërcënimi. Fotoja ime ishte gjetur te telefoni i Dumanit.”.
Në lidhje me veprimet hetimore, Guçe tregoi se kishte ndjekur lëvizjet e disa personave të përfshirë në dosje, përfshirë Hajdar Çopjan, duke analizuar pamje kamerash sigurie.
“Kam parë kamerat e hotelit… shtetasin Hajdar Bako e kam identifikuar përmes makinës që përdorte,” tha ai, duke shtuar se për çdo veprim kishte njoftuar eprorët.
Megjithatë, në disa momente ai nuk dha përgjigje të qarta për detaje konkrete, duke u shprehur: “Nuk më kujtohet” për dokumentimin e disa veprimeve apo kontrolleve të mundshme për persona në kërkim si Talo Çela.
Seanca u shoqërua me tensione, pasi prokurori Behar Dibra ndërhyri disa herë gjatë pyetjeve të mbrojtjes.
Nga ana tjetër, vetë Guçe theksoi qëndrimin e tij ndaj akuzave apo insinuatave: “Unë jam një oficer i ndershëm, nuk kam pasur kurrë të bëj me insinuata.”
Ndërkohë, vrasja e Andi Zylyfit, e ndodhur më 13 dhjetor 2019 në fshatin ‘Përparim’ të Peqinit, konsiderohet si pjesë e një zinxhiri ngjarjesh të rënda kriminale në Elbasan. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë 26-vjeçari Zylyfi, ndërsa u plagos rëndë Ardit Uruçi gjatë të shtënave me armë automatike të drejtuara ndaj automjetit me të cilin po udhëtonin.
Sipas të dhënave hetimore dhe dëshmive të mëparshme të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, ngjarja lidhet me përplasje mes grupeve kriminale që vepronin në Elbasan, të cilat përfshihen në konflikte për kontroll territori dhe aktivitetesh të paligjshme.
Dosja “Plumbi i Artë” mbetet një nga proceset më të mëdha të SPAK, ku po hetohen dhe gjykohen një seri vrasjesh dhe atentatesh të porositura të lidhura me krimin e organizuar në disa qytete të vendit.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.


























