Dëshmia e Henrik Hoxhajt në GJKKO, në kuadër të gjyqit që po mbahet për dosjen “Plumbi i artë”, zbardh mekanizmin e funksionimit të një rrjeti vrasjesh me pagesë, ku porositë, financimet dhe informacionet kalonin përmes disa figurave kyçe të botës së krimit. Hoxhaj, i dyshuar si vrasës me pagesë, rrëfeu se ishte njohur me Nuredin Dumanin në vitin 2020 dhe se, pas këtij kontakti, kishte hyrë në një zinxhir atentatesh të organizuara, ku pagesat siguroheshin nga persona të tretë, të identifikuar prej tij si “Krymi”.
Sipas dëshmisë, atentatet planifikoheshin me detaje, duke përfshirë sigurimin e armëve, mjeteve, roleve të ekzekutorëve dhe skenarëve të largimit. Hoxhaj pranoi pjesëmarrjen direkte në disa vrasje, mes tyre ajo e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdias në Durrës, si dhe atentati ndaj vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, ku u qëllua me breshëri automatiku. Pagesat për këto ngjarje varionin nga 70 mijë deri në 150 mijë euro.
Në rrëfimin e tij, Hoxhaj foli edhe për manipulimin e dëshmive dhe orientimin e deklarimeve pas arrestimeve, duke lënë të kuptohet se disa persona ishin instruktuar se çfarë të thoshin për të devijuar hetimet. Henrik Hoxhaj cilësohet në dosjet hetimore si njeriu më i afërt i Nuredin Dumanit. Hoxhaj u arrestua bashkë me Dumanin më 29 mars 2022 në qytetin e Fierit, pas atentatit ku ranë pre e u plagosën të dy.
Nga njohja me Dumanin tek atentatet e përgjakshme

Sipas Henrik Hoxhajt, gjithçka nisi pas një takimi me Nuredin Dumanin, me të cilin ishte njohur në vitin 2020, gjatë festës së ditëlindjes së Festim Qolit.
“Kemi ngrënë e kemi pirë bashkë, aty u njohëm dhe shkëmbyem numrat e telefonit”, tregoi ai. Disa muaj më vonë, Dumani kishte kërkuar ta takonte sërish. Sipas dëshmisë, komunikimet mes tyre kryheshin përmes telefonave të kriptuar dhe bisedat shpejt morën një tjetër drejtim: vrasje me pagesë.
Dumani i kishte folur për dy vrasje që do të kryheshin në Durrës, të cilat fillimisht ia kishte paraqitur si porosi që vinin nga “Krymi”.
“Më tha që janë disa punë për t’u bërë, a je i interesuar. Unë i thashë po”, tregoi Hoxhaj.
Sipas tij, objektivat kishin rëndësi të veçantë për shkak të lidhjeve me Talo Çelën. “Dorian Shkoza ishte njeriu më i afërt me Talo Çelën, i cili ishte objektivi kryesor”, u theksua në sallën e gjyqit. Pagesa e propozuar ishte 70 mijë euro, ndërsa armët dhe mjeti do të siguroheshin nga vetë Dumani. “Ai gjeti mjetet dhe armët. Shofer qe Elio Bitri, elbasanlli”, dëshmoi Hoxhaj.
Ditën e 2 marsit 2020, pak pas orës 18:55, grupi u nis nga shtëpia e Dumanit në Durrës. Ishin tre persona në automjetin e zi: Elio Bitri në timon, Henrik Hoxhaj në sediljen e pasme dhe Nuredin Dumani me ta.
“Kisha unë dy armë, Elio një”, tha Hoxhaj. Ata bënë një xhiro paraprake në zonë për të parë nëse objektivat ishin prezentë. Herën e parë nuk i gjetën, por në rikthim situata kishte ndryshuar.
“Kur u kthyem ishte aty. Ishte me dy persona të shoqëruar”, rrëfeu Hoxhaj.
Sapo automjeti u afrua, Elio i tha: “Ja ku janë”.
Tre persona ndodheshin në trotuar. Hoxhaj deklaroi se hapi zjarr nga brenda makinës.
“Një armë m’u bllokua, përdora tjetrën. Njëri nga ata ngeli në vend”, tha ai. Dorjan Shkoza u rrëzua pak më tutje, i plagosur rëndë.
Hoxhaj tregoi se u sigurua për identitetin e objektivit. “Unë i thashë: ‘a ti je Dorjani?’ Ai tha jo. Pyeta Elion: ‘a ky është?’ Po, më tha ai. Edhe e godita”, dëshmoi ai.
Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan më 2 mars 2020, rreth orës 18:55, në lagjen nr. 14, Nishtulla, në qytetin bregdetar. Asokohe, 35-vjeçari Dorjan Shkoza kishte precedent të mëparshëm penal dhe ishte dënuar më herët me 8 vite burg për drogë, i liruar nga qelia në vitin 2010.
Viktimat kanë qenë duke lëvizur në këmbë, ndërsa janë qëlluar nga një automjet në lëvizje. Vetëm pak minuta pas vrasjes, në hyrje të Rrogozhinës, në vendin e njohur si “Bishti i Zhurit”, policia gjeti një mjet tip “Benz” duke u djegur, targat e të cilit kishin qenë të vjedhura nga një tjetër mjet.
Pas atentatit, Hoxhaj rrëfeu se zbriti nga makina në zonën e Plepave dhe u largua me një mjet tjetër, ndërsa automjeti i përdorur në krim u dogj në “Bishti i Zhurit”.
“Nuredini ka qenë pas nesh dhe e ka parë ngjarjen. Më tha: ‘o kusho, doli shumë mirë’”, rrëfeu Hoxhaj, duke shtuar se më pas mori pagesën prej 35 mijë eurosh dhe u vendos të jetonte në Tiranë, pa u fshehur.
Atentate dhe pagesa
Pas atentatit të Durrësit, sipas Hoxhajt, diskutimet u zhvendosën te vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia, të cilët u ekzekutuan pasditen e 27 prillit 2020.
Ata u ekzekutuan nga një breshëri prej 55 plumbash që u derdhën mbi automjetin e tyre pranë tregut të makinave në Shënavlash të Durrësit.
Më vonë, policia arrestoi si të dyshuar për këtë ngjarje Altin Docin, ndërsa i penduari i drejtësisë Erion Alibej më herët tregoi para gjykatësve se për vrasjen e vëllezërve Haxhia kishte paguar Nuredin Dumanin.
Në dëshminë e tij para gjyqtarëve të GJKKO, Hoxhaj tha se diskutimet për vrasje janë bërë me Nuredin Dumanin, i cili i kishte shprehur shqetësimin se persona të tjerë, mes tyre Altin Ndoci, po përpiqeshin t’i ngarkonin atij ngjarje kriminale që nuk i kishte kryer.
“Kemi folur për ngjarjen e Altin Ndocit dhe atë të një nga vëllezërit Haxhia. Ndoci e kishte shtëpinë në Misto Mame, por aty binte shumë në sy dhe nuk e gjeje dot. Atëherë u vendos që të vritej një nga vëllezërit Haxhia, që ky të vinte në varrim dhe më pas të ekzekutohej. Sipas Nuredinit, këta ishin të gjithë bashkë me Talo Çelën”.
Më pas u vendos që objektivi të ishte Besmir Haxhia. Përgatitjet ishin të detajuara.
“Kemi marrë tre automatike dhe një armë brezi. Ekzekutor do ishim unë dhe Nuredini”, tregoi Hoxhaj. Dumani kishte propozuar që atentati të kryhej në një lokal bastesh, por Hoxhaj e kundërshtoi. “Nuk pranova se ishin shumë njerëz”, tha ai.
Ditën e ngjarjes, grupi përdori veshje që ngjanin me ato të OFL-së, për të mos ngritur dyshime. “Nuredini vuri dhe maskë silikoni”, shtoi Hoxhaj. Ata ndoqën automjetin e vëllezërve Haxhia, derisa ky i fundit mbeti i bllokuar në trafik pranë tregut të makinave në Shënavlash.
“Kur pamë që ishte me vëllain, shoferi na tha që është me vëllain. Nuredini tha: ‘më mirë që janë bashkë’”, dëshmoi ai.
Pas atentatit, ata u larguan drejt Tiranës. Kapuçët u hodhën në zonën e Vorës, ndërsa armët mbetën në makinë, e cila më pas u largua nga shoferi. Për këtë ngjarje, Hoxhaj deklaron se ka marrë 35 mijë euro.
“Pas arrestimit të shoferit u shqetësova, por Nuredini më tha mos u shqetëso”, përfundoi ai, duke lënë të kuptohet se edhe pas krimit, rrjeti vijonte të funksiononte me qetësi dhe siguri.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.
























