SPAK dërgon për gjykim 15 të pandehur për trafikimin e mbi 8 tonëve drogë

Prokuroria thotë se grupi trafikoi mbi 7 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës; Plaurent Dervishaj dhe Ramazan Rraja akuzohen si pjesëmarrës, ndërsa gjashtë persona si drejtues dhe financues.

35
Grupet kriminale
Credits: shteg.org - Grupet kriminale

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të mërkurën përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të 15 personave të akuzuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se ka trafikuar ndërkombëtarisht më shumë se 8 tonë lëndë narkotike, përfshirë mbi 7 tonë kokainë.

Mes të pandehurve janë edhe dy emra të njohur të botës së krimit në Shqipëri, Plaurent Dervishaj dhe Ramazan Rraja, të cilët, sipas SPAK, akuzohen si pjesëmarrës në grupin kriminal dhe jo si drejtues të tij.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, të akuzuar si drejtues dhe financues të aktivitetit kriminal janë Genti Nderjaku (alias Kili dhe Ekil Nderjaku), Nazmi Shahini (alias Drazhi), Devid Patrut (alias Devid Boraj, Elidon Skëndaj dhe Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj, Artur Hoxhosmani dhe Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri dhe Andrea Dylgjeri).

SPAK deklaron se këta persona “kanë pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë e paligjshme që lidhet me narkotikët”, ndërsa të pandehurit e tjerë, mes tyre Dervishaj dhe Rraja, “kanë pasur rolin e pjesëmarrësve”.

Sipas akuzës, grupi ka përdorur komunikime në platformën e enkriptuar Sky ECC, të cilat janë siguruar përmes bashkëpunimit juridik me autoritetet franceze.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar me njëri-tjetrin në aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Prokuroria pretendon se rrjeti ka trafikuar drogë nga vende të Amerikës Latine, përfshirë Brazilin, Ekuadorin dhe Kolumbinë, si dhe nga Spanja dhe Maroku drejt vendeve evropiane si Italia, Belgjika, Spanja dhe Holanda.

Sipas SPAK, hetimi ka dokumentuar trafikimin dhe tregtimin e rreth 8,126 kilogramëve lëndë narkotike dhe, në dosjen e dërguar për gjykim, përfshihen akuza për “trafikim të lëndëve narkotike”, “grup të strukturuar kriminal”, si dhe, për disa persona, vepra të tjera penale, përfshirë armëmbajtje pa leje dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Sipas SPAK, hetimet kanë përfshirë bashkëpunimin me autoritetet e drejtësisë në Francë, Spanjë, Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Brazil, Itali dhe Ekuador, si dhe me Byronë Kombëtare të Hetimit.

Prokuroria e Posaçme ka njoftuar gjithashtu se ka kërkuar pushimin e hetimeve ndaj tre personave, pasi akuzat ndaj tyre nuk janë provuar.

Në rastin e Devid Patrut, SPAK tha se një nga episodet e hetuara konsiderohet i mbuluar nga parimi i gjësë së gjykuar, pasi ai ishte dënuar më herët nga autoritetet belge.

“Për një nga episodet e atribuuara të hetuarit Devid Patrut, ky i fundit është dënuar nga autoritetet belge të drejtësisë. Për rrjedhojë, në këtë rast gjen zbatim parimi i gjësë së gjykuar (ne bis in idem)”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndërkohë, për të hetuarit Ilir Lloshi dhe Julian Pjetri, SPAK deklaroi se “fakti penal i atribuuar nuk ekzistonte ose nuk u arrit të provohej kryerja e veprave penale”.

Prokuroria bëri të ditur se çështja është ndarë për të vijuar hetimet për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në aktivitetin kriminal, si dhe për hetimin pasuror dhe financiar.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.