Debat për dëshmitarët në gjyqin ndaj Laert Haxhiu

I pandehuri përballet me 14 akuza të rënda, nga vrasjet te shpërthimet me eksploziv dhe grabitjet me armë.

432
Leart Haxhiu
Credits: shqiptarja.com - Leart Haxhiu

Procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut në Gjykatën e Posaçme është shoqëruar me debat mbi numrin e dëshmitarëve që do të thirren për të dëshmuar në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.

Në seancën e zhvilluar të mërkurën, më 22 prill 2026, mbrojtja përmes avokatit Dritan Jahaj kërkoi thirrjen e 99 personave si dëshmitarë, duke argumentuar se çështja mbështetet kryesisht në deklarimet e një bashkëpunëtori të drejtësisë dhe jo në prova të tjera të drejtpërdrejta.

Sipas avokatit, nuk ekzistojnë prova që konfirmojnë dëshmitë e Artan Tafanit, i cili konsiderohet si një nga figurat kyçe të hetimit. “Nuk kemi asnjë provë konfirmuese për ato që ka deklaruar bashkëpunëtori i drejtësisë,” u shpreh Jahaj gjatë seancës.

Nga ana tjetër, prokurori i çështjes, Behar Dibra, kundërshtoi një pjesë të kërkesës, duke theksuar se jo të gjithë dëshmitarët e propozuar janë të nevojshëm për procesin gjyqësor dhe mund të mos kenë vlerë për gjykimin.

Pas shqyrtimit, gjykata vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e mbrojtjes, duke kufizuar numrin e dëshmitarëve në rreth 60 persona, ndërsa pjesa tjetër e listës do të vlerësohet më tej për relevancën e tyre.

Në të njëjtën seancë, prokuroria kërkoi që dëshmia e parë të merret nga Artan Tafani, i cili akuzohet edhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e Rexhep Ginës në Lushnjë, më 6 korrik 2022. Sipas SPAK, dëshmitë e tij kanë luajtur rol të rëndësishëm në zbardhjen e aktivitetit të dyshuar kriminal.

Laert Haxhiu përballet me akuza për 14 episode kriminale, që përfshijnë vrasje, shpërthime me eksploziv, vjedhje me armë dhe sigurim kushtesh për vrasje. Sipas dosjes së prokurorisë, aktiviteti i dyshuar kriminal shtrihet në periudhën prill 2021 – maj 2023 dhe përfshin një sërë ngjarjesh të rënda në disa qytete të vendit.

Ndër episodet kryesore përmenden vrasjet në Tepelenë, Korçë dhe Peqin, disa shpërthime me eksploziv në Lushnjë, si dhe grabitje të armatosura dhe tentativa vrasjeje, të cilat sipas akuzës janë pjesë e një zinxhiri të organizuar veprimesh kriminale.

I pandehuri është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe u ekstradua nga Greqia në korrik të vitit 2024, pas një periudhe të gjatë në kërkim ndërkombëtar.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.