Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Laert Haxhiut, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm që e dënon atë me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjës”, një nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura në Shqipëri në vitin 2017.
Ngjarja, e cila sipas hetimeve ka ndodhur si pjesë e një konflikti të gjatë mes grupeve kriminale në zonën e Lushnjës, rezultoi në vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe plagosjen e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut. Autoritetet e drejtësisë e kanë konsideruar këtë atentat si një akt të mirëorganizuar të dhunës së strukturuar, ku u përdorën armë zjarri në një zonë publike.
Sipas dosjes gjyqësore, Haxhiu është shpallur fajtor për vrasje në rrethana cilësuese, kryerje të veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje dhe prodhim armësh, si dhe prishje të qetësisë publike. Për të njëjtën çështje janë dënuar me burgim të përjetshëm edhe Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi.
Në rekursin e paraqitur në Gjykatën e Lartë, mbrojtja ka kërkuar prishjen e vendimeve të mëparshme, duke pretenduar se procesi gjyqësor nuk ka vlerësuar si duhet provat dhe dëshmitë. Megjithatë, shkalla e tretë e gjyqësorit nuk i pranoi këto pretendime, duke lënë në fuqi dënimin maksimal për Haxhiun.
“Masakra e Lushnjës” lidhet me një seri ngjarjesh të dhunshme që kanë prekur qytetin në atë periudhë, të cilat sipas hetimeve kanë qenë pjesë e përplasjeve mes grupeve rivale kriminale për kontroll territori dhe hakmarrje të ndërsjellë. Për shkak të natyrës së saj dhe numrit të viktimave, ngjarja është cilësuar nga organet e drejtësisë si një nga atentatet më të rënda të viteve të fundit në vend.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























