Procesi gjyqësor për dosjen “Metamorfoza” ka hyrë këtë të martë në fazën e mbrojtjes përfundimtare, ku në një seancë maratonë avokatët e të pandehurve ngritën pretendime mbi pavlefshmërinë e komunikimeve të SKY ECC.
Për rreth tre orë, avokati Gurali Brahimllari paraqiti mbrojtjen e biznesmenit Pëllumb Gjoka, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të komunikimeve të dekriptuara nga autoritetet franceze dhe mbi vlefshmërinë e tyre si prova në procesin penal.
Sipas mbrojtjes, procedimi penal është ndërtuar mbi të dhëna të përpunuara nga aktet hetimore të vëna në dispozicion nga prokuroria.
Brahimllari pretendoi se në dosje mungojnë aktet origjinale dhe se organi i akuzës është mbështetur kryesisht në transkripte të përpunuara.
Ai shtoi gjithashtu se komunikimet që i atribuohen Gjokës kanë mospërputhje në orare dhe janë deformuar gjatë procesit të përpunimit.
Një pjesë e argumenteve të mbrojtjes u fokusua në episodin e vrasjes së Gjin Ndojit, për të cilin SPAK pretendon se komunikimet SKY ECC implikojnë të pandehurit Pëllumb Gjokën në këtë ngjarje.
Brahimllari argumentoi se nuk ekziston provë direkte që lidh klientin e tij me ngjarjen dhe se dinamika e hetuar nga prokuroria nuk përputhet me komunikimet e administruara në dosje.
“Ngjarja e Gjin Ndojit s’ka ndodhur në orën 02:02 minuta, por në orën 4”, deklaroi avokati në sallë.
Brahimllari kundërshtoi edhe akuzën për armëmbajtje pa leje, duke pretenduar se gjatë kontrolleve në banesën e Gjokës nuk janë gjetur armë luftarake, përveç një çifteje që sipas tij është përdorur për “gjuajtje rosash”.
Në disa momente të seancës, ai i cilësoi komunikimet e dekriptuara si “thashethemet e SKY ECC”, duke argumentuar se mesazhet janë të pjesshme dhe pa kontekst të plotë.
“Është bërë përpunimi i të dhënave. Veç një CD-je autoritetet franceze s’kanë sjellë gjë tjetër. Vetëm për Pëllumb Gjokën është deformuar, manipuluar, duke spostuar të gjitha bisedat me 120 minuta. Të dhënat e tjera të printuara në formatin normal kanë data të ndryshme nga ky procesverbal i Pëllumb Gjokës; s’dimë pse është bërë, por po e sjellim në vëmendje para jush,” u shpreh avokati Gurali Brahimllari para trupit gjykues.
Pas përfundimit të mbrojtjes së tij, Gjoka deklaroi se do të japë një qëndrim më të plotë në seancën e ardhshme.
Më pas, mbrojtjen e vijoi avokati i Ardit Hasanbegajt, i cili kundërshtoi identifikimin e klientit të tij në komunikimet SKY ECC, duke argumentuar se kodi PIN i përdorur nga prokuroria nuk përmban elemente identifikuese që e lidhin atë me mesazhet e administruara në dosje.
Më herët, gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën që synonte shpalljen e pavlefshme të komunikimeve të përftuara nga aplikacioni “Sky ECC”, duke legjitimuar përdorimin e tyre si prova në proceset penale. Vendimi konfirmon se komunikimet e dekriptuara mund të përdoren nga Prokuroria e Posaçme në hetimet ndaj anëtarëve të grupeve kriminale dhe zyrtarëve të ndryshëm, për sa kohë janë administruar në përputhje me ligjin.
Kërkesa ishte paraqitur nga biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili kundërshtoi përdorimin e këtyre të dhënave si prova në gjykim, duke pretenduar se ato cenojnë të drejtat e njeriut dhe rregullat e privatësisë. Përmes mbrojtjes së tij, Gjoka kërkoi shpalljen e komunikimeve të Sky ECC si të pavlefshme, me argumentin se ato nuk mund të përdoren në procedim penal.
Gjykata, megjithatë, vendosi njëzëri rrëzimin e kërkesës, duke i konsideruar të papranueshme pretendimet për antikushtetutshmëri, si në lidhje me komunikimet e Sky ECC, ashtu edhe për disa dispozita të ligjit që rregullon funksionimin e strukturave të posaçme kundër korrupsionit.
Ky vendim është cilësuar nga disa juristë si një konfirmim i rëndësisë së provave të përftuara nga komunikimet e enkriptuara në hetimet për krimin e organizuar, duke e orientuar debatin ligjor drejt vlefshmërisë dhe autenticitetit të tyre në procesin gjyqësor.
Pëllumb Gjoka akuzohet nga SPAK për përfshirjen e tij në vrasjen e shtatisit Gjin Ndojit, ngjarje kjo e ndodhur më 9 gusht 2020 në Shkodër, si dhe për përgatitjen e vrasjeve të tjera ndaj Kleant Musabelliut, Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit.
Ai përballet gjithashtu me akuza për korrupsion aktiv dhe mbajtje të paligjshme të armëve. Këto akuza janë mohuar nga mbrojtja e biznesmenit, ndërsa pritet që edhe vetë Gjoka të japë qëndrimin e tij në seancën e radhës, e cila do të mbahet më 2 qershor.
Dosja “Metamorfoza” konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK mbi krimin e organizuar dhe lidhjet e tij të dyshuara me funksionarë të policisë dhe drejtësisë.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.

























