Ai ishte vetëm 27 vjeç kur në fshatin e tij të lindjes, në Rrjoll të Velipojës, vendosi të ecte në rrugët e babait, Kolës, dhe të merrej me peshkim.
Por djaloshit Pëllumb Gjoka vetëm deti nuk i mjaftonte, ndaj nisi të investojë në tokat përreth për t’u shndërruar brenda pak viteve në një biznesmen që merrej me dezinfektimin në kohë pandemish, lojërat e fatit, ndërtimet, turizmin dhe deri te investimet strategjike të qeverisë.
Në dokumente, Gjoka shfaqet si një biznesmen i suksesshëm, ku në emër të tij dhe familjarëve janë krijuar 7 kompani, të cilat rezultojnë të jenë fituese jo vetëm të fondeve publike, por edhe të projekteve turistike. Ndërsa hetimet e Prokurorisë së Posaçme, komunikimet në SkyECC tregojnë një Pëllumb hakmarrës deri në vdekje, i rrethuar nga miq të akuzuar për vrasje, i aftë të bashkëpunonte me prokurorë dhe zyrtarë të Policisë së Shtetit, të cilët i garantonin “paprekshmërinë”.
Ish-djaloshi që e nisi rrugëtimin në fshatin e tij të lindjes në tregun e peshkimit, sot ndodhet në burgun e Fierit, i cili është një ndër institucionet ku qëndron një pjesë e madhe e të ndaluarëve nga Prokuroria e Posaçme, të dyshuar për vepra të rënda penale.
Ndaj Pëllumb Gjokës, Prokuroria ka ngritur akuza për sigurim të kushteve për të kryer 4 vrasje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe “korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Nga peshkimi tek lojrat e fatit

Në fund të viteve 2000, një nga bizneset më fitimprurëse në vend ishte ai i lojërave të fatit.
Kazinotë, ruletat dhe bastet sportive mbirë ngado, dhe statistikat zyrtare tregonin se qeveria arkëtonte asokohe rreth 21 milionë euro nëpërmjet licencimit të 38 subjekteve. Në vend numëroheshin 1500 kazino, 182 salla, me 2618 makina elektronike të zotëruara kryesisht nga persona që hetimet e mëvonshme treguan se u përkisnin grupeve kriminale që vepronin në këtë vend.
Në kulmin e lulëzimit të bixhozit, në vigjilje të Krishtlindjeve të 2010, Pëllumb Gjoka do të krijonte dy kompani, objekti i të cilave ishte edhe ai i lojërave të fatit.
Një biznes krejt i ri për 30-vjeçarin që deri në atë kohë ishte marrë vetëm me tregtimin dhe përpunimin e peshkut dhe restoranteve.
Me një kapital prej 10 milionë lekësh të vjetra, së bashku me të motrën, Pëllumbi krijon shoqërinë aksionere “SH.B”, e cila duket se nuk ka asnjë aktivitet tregtar veç transaksioneve të kryera tre vite më vonë, ku e motra i shet aksionet e saj prej 70% te babai dhe vëllai i saj, Kolë dhe Pëllumb Gjoka, në vlerën e rreth 14 milionë lekëve të reja.
Tre ditë pas krijimit të kësaj shoqërie, më 24 dhjetor 2010, sërish motër e vëlla, së bashku me babain e tyre, krijojnë kompaninë “Imperial Grup”, e cila rezulton jo vetëm fitimprurëse, por edhe e suksesshme, aq sa kompania zgjeron aktivitetin e saj në qytete si Lezha, Korça, Devolli, Vlora, Durrësi dhe Tirana.
Në emër të kompanisë u regjistrua “Imperial Casino”, e cila siguroi nga autoritetet një licencë për kazino elektronike.
Pikat e llotosporteve, makinave elektronike apo edhe kazinove kioska thuajse gjendeshin në çdo cep të rrugëve të qyteteve, ndërkohë që shumica prej tyre vepronin edhe në kushte paligjshmërie.
Aq shumë nisi të lulëzojë ky biznes, sa për herë të parë, në raportet e organeve ligjzbatuese përfshihen në statistikat zyrtare veprat penale që lidheshin me aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Prokuroria raportonte se në shkallë vendi u proceduan 168 persona, ndërsa Edi Rama, në opozitë asokohe, e konsideronte biznesin e lojërave të fatit një aktivitet kriminal, aq sa industrinë e lojërave të fatit e ktheu në një kalë beteje të fushatës elektorale të vitit 2013, që e solli në pushtet.
Me të marrë pushtetin, një nga ndërhyrjet e para të qeverisë Rama, që u pagëzua me emrin “Fundi i Marrëzisë”, kishte në shënjestër tregun e paligjshëm të lojërave të fatit.
“Shteg.org” nuk gjeti asnjë raport të Policisë së Shtetit ku të ishin kontrolluar apo gjetur në paligjshmëri pikat e shumta të zotëruara nga “Imperial Grup” në të gjithë territorin e vendit.
Ndërsa hetimet e Prokurorisë së Posaçme sugjerojnë se Gjoka ia kishte dalë të siguronte mbrojtjen e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit për të siguruar paprekshmërinë e aksioneve të “marrëzisë” kundër lojërave të fatit.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se informaliteti në sektorin e lojërave të fatit vazhdoi të ishte i lartë gjatë viteve 2015 dhe 2016, ndërsa pajisjet e konfiskuara në adresat dytësore të palicencuara ishin gati tre herë më shumë se sekuestrimet e operacionit “Fundi i Marrëzisë”.
Në vitin 2015, mazhoranca socialiste miratoi një ligj të prezantuar si goditje e fortë ndaj industrisë së bixhozit.
Ligji parashikonte zhvendosjen e kazinove nga qendrat urbane, vendosjen e distancës minimale prej 100 metrash mes pikave të basteve dhe rritjen e tarifave, të destinuara për turizmin, kulturën dhe sportin. Megjithatë, në vitin 2016 qeveria vendosi ta shtyjë zbatimin e tij me dy vjet.
Në shtator 2018, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ministri i Financave Arben Ahmetaj garantoi se nuk do të kishte më shtyrje dhe se ligji do të hynte në fuqi më 1 janar 2019, një premtim që erdhi pas një periudhe përfitimesh të mëdha financiare për industrinë e bixhozit.
Krahas nismave ligjore të mazhorancës socialiste, Policia e Shtetit asokohe kishte prioritet goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Në shkurt të 2020, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, doli në një konferencë për shtyp për të folur për suksesin e operacionit policor të quajtur “Fati i Lojërave”. Në rang vendi u arrestuan 115 shtetas, u proceduan në gjendje të lirë 24 shtetas dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.
“Janë sekuestruar shuma të mëdha parash, armë zjarri, aparate celularë; ndër të arrestuarit janë edhe disa nga organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie kriminale. Operacioni u zhvillua në 8 qarqe dhe këta persona ushtronin veprimtarinë e palejuar të lojërave të fatit”, – u shpreh ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Aksione të ngjashme u zhvilluan edhe në muajt që pasuan, por nuk u raportua asgjë e paligjshme në pikat e kontrolluara nga Gjoka.
Vite më vonë, kur Prokuroria e Posaçme zotëroi mesazhet e koduara të aplikacioneve Sky, u kuptua se sa herë që zhvilloheshin aksione policore kundër lojërave të fatit, biznesmeni njoftohej nga drejtuesit e lartë të policisë.
Një nga mesazhet është dërguar nga shefi i komisariatit nr.2, Oltion Bistri, dy ditë para se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit të fliste për sukseset policore.
“Nesër mos e hap. Këto 2-3. Mos i thuaj asnjë njeriu. Po dy-tre ditë. Nesër ka aksion nga Operacionalja në zonën time. Të lutem mos e diskuto me asnjë se më prish punë. Po mora vesh që do të vijnë ata aty tek ty do të të them vetë. Mirë është të mos jenë hapur” – i shkruan Gjokës ish-shefi i Operacionales.
Hetimet sugjerojnë se Pëllumb Gjoka zotëronte një kazino të paligjshme, për të cilën, sipas përgjimeve në dosjen e SPAK-ut, dyshohet se ishte ankuar edhe ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi. Ndërkohë, prokuroria dyshon se Bistri shërbente si informator për çdo zhvillim brenda godinës së Policisë së Shtetit.
“O vlla, keq puna me këto. Më thirrën lart, se s’e mbajmë dot pikën aty. A t’ju q**sh ropt këtyre. S’e di. Më duket se është interesuar Lleshi vetë, por mos fol me asnjë. Lidhje shoqërore e jotja etj. Sigurohu që s’të ndjek njeri dhe eja lart tek fshati, poshtë brigadave …”, – i shkruan sërish Gjokës oficeri i Operacionales.
Punonjës të policisë, në kushte anonimiteti, i thanë “shteg.org” se pikat e kontrolluara nga Gjoka nuk u mbyllën kurrë, ndërsa “Imperial Casino” u licencua nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit si një kazino e vendosur në një hotel me 5 yje.
Aktiviteti ushtrohej në hotelin “Lot Boutique Hotel”, një tjetër kompani e zotëruar nga familja Gjoka.
“Hoteli u klasifikua nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si njësi akomoduese me 5 yje që të marrë licencën për kazino dhe ka një markë që zotërohet nga një firmë kineze me emrin ‘Hotels & Preference’, në mënyrë që të përmbushë kushtet ligjore të licencimit si ‘brand ndërkombëtar’. Që të përmbushë detyrimet ligjore, kompania ka deklaruar 12 milionë euro kapital, ku 5 kanë qenë më parë asete të firmës dhe 7 milionë euro është bërë vlerësimi nga eksperti si kontribut në natyrë që vjen nga hoteli. Po ashtu ka arritur të sajojë një sallë me makina elektronike që dikur shërbente si lokal dhe ja ku u ‘plotësuan’ kushtet”, – shpjegon Ola Xama.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, si dhe Ministria e Mjedisit nuk komentuan për “shteg.org” gjetjet e gazetarëve, ndërsa avokati i Pëllumb Gjokës kundërshtoi akuzat duke i quajtur ato të fabrikuara dhe pa fakte që të lidhin klientin e tij në paligjshmëri.
“Episodet hetimore dhe episodet që ju kërkoni në pyetjet tuaja janë të stisura, të paprovuara dhe madje edhe të pangritura në asnjë proces hetimor në ngarkim të Pëllumb Gjokës”, – tha për “shteg.org” avokati Ylli Manani, sipas të cilit media nuk duhet të bëjë gjykime para përfundimit të procesit dhe çdo pretendim i pabazuar në dokumente zyrtare mund të konsiderohet shpifje.
Lojërat e fatit nuk ishin i vetmi biznes që kontrollonte familja Gjoka. Dokumentet tregojnë se kompanitë e krijuara prej tij në kohën e pandemisë fituan kontrata me vlerë prej 30 mijë euro për dezinfektimin.
Po kaq e suksesshme ishte sipërmarrja në ndërtim, ku në vitin 2021 qeveria shqiptare i dha kompanisë së Gjokës statusin e investitorit strategjik për zhvillimin e një resorti në Velipojë, në një tokë ku pretendues si pronarë prej vitesh endeshin gjykatave, por që më vonë u zbulua se Gjoka kishte përdorur “miqtë” e tij për të ndikuar tek vendimet e drejtësisë.
Rrjeti i bashkëpunëtorëve

Për rreth 3 vite, Kleant Musabelliu nuk ishte gjë tjetër veçse një burrë i vdekur që ecte. Për kokën e tij ishin paguar 100 mijë euro dhe vrasës profesionistë u rekrutuan nga Kosova.
Dokumentet tregojnë se dy drejtuesit e grupeve kriminale në Tiranë e Shkodër ishin angazhuar të ekzekutonin ish-specialistin e kontrollit të brendshëm të burgjeve. Kleanti nuk ishte kundërshtar i tyre dhe as kryente ndonjë hetim mbi veprimtaritë kriminale.
Mëkati i tij i vetëm ishte se kishte guxuar të gjuante ndaj Pëllumb Gjokës.
Në mesin e shtatorit të 2019, ajo që nisi si një zënkë mes dy adoleshentëve në një shkollë të kryeqytetit përfundoi në angazhimin e grupeve kriminale, por edhe ekspozimin e lidhjeve të biznesmenit me botën e nëndheshme.
Por kur Musabelliu mendoi se gjithçka ishte zgjidhur, një telefonatë nga Pëllumb Gjoka e ndryshoi gjithçka. Gjoka e ftoi në një restorant pranë Pazarit të Ri. Musabelliu shkoi i shoqëruar nga djali dhe vëllai i tij si shofer. Ajo që u duk se do të ishte një bisedë për pajtim përfundoi në dhunë. Pretendimet janë se Gjoka nisi ta sulmonte fizikisht dhe Musabelliu reagoi duke përdorur pistoletën e shërbimit duke e plagosur Gjokën në këmbë.
Prokuroria e Tiranës procedoi penalisht specialistin e burgjeve për “Vrasje me dashje”, por më pas ai u la i lirë pasi në dhjetor Gjoka i kërkoi rrëzimin e akuzave me pretendimin se ishin “pajtuar”.
Prokuroria pretendon se organizoi planifikimin e eliminimit të Musabelliut. Ai kishte vendosur të rivendoste “nderin në vend” dhe filloi të komunikonte me rrjetet kriminale për të arritur këtë qëllim.
Plani përfshinte pagesa të mëdha për vrasjen e Musabelliut dhe organizimin e skuadrës së vrasjes. Në komunikimet më 9 korrik 2020, rezultonte se biznesmeni ishte gati të paguante deri në 100 mijë euro për eliminimin e tij, ndërsa Klodor Haka qëndronte në vëzhgim total të shënjestrës.
Sipas SPAK, për planin e vrasjes, Gjoka bisedon me Behar Bajrin dhe ky i fundit me Ervis Martinaj, dy persona ndaj të cilëve rëndojnë akuza për vepra të rënda penale.
Martinaj kërkonte eliminimin e Gjin Boriçit për shkak të një mashtrimi dhe më pas, pas vrasjes së tij, komunikimet tregojnë realizimin e planit për vrasjen e specialistit të burgjeve.
Gjin Boriçi u vra më 9 gusht 2020 në Shkodër, ndërsa prokuroria ka ngritur akuza si autor të vrasjes ndaj Denis Bajroviqit.
Menjëherë pas ngjarjes, komunikimet zbulojnë se autori i dyshuar lajmëroi Beharin për vrasjen e të ndjerit me plumb në kokë dhe gjoks.
“Kryvi, jemi në Bushat dhe të na presë aty ai, se jemi afër”. Më vonë ai i shkruan sërish: “Gjoks e kry kapedan, mu blloku se dosha me ja gri kryt, se më tha diçka…”.
Pas mesazhit të Denisit, Behari njoftoi Pëllumb Gjokën dhe i rikujton se porosinë e Ervis Martinajt e realizuan.
“U kry, tani presim atë tëndin, atë që deshti ai u kry, Gjinin deshti ai…” njoftohet ditën e ngjarjes Pëllumb Gjoka nga Behar Bajri.
Planet e ekzekutimit të ish-specialistit të burgjeve nuk ishin të vetmet favore që biznesmeni shkëmbente me grupet kriminale.
Referuar së njëjtës dosje hetimore të njohur me emrin “Metamorfoza“, më 31 janar 2020, me një vendim shumë të diskutuar, Prokuroria e Posaçme shpalli moskompetencën në hetimet ndaj Behar Bajrit duke i kaluar materialet Prokurorisë së Shkodrës.
Gjoka shfrytëzoi lidhjet e tij me institucionet e drejtësisë për të lehtësuar pozitat e “miqve”.
Vendimi i Prokurorisë së Posaçme për Behar Bajrin i kaloi materialet Prokurorisë së Shkodrës, ndërsa Xhevahir Lita, një njohje e afërt e Gjokës, ndryshoi masën e arrestit nga arrest me burg në detyrim paraqitjeje.
“Pasi Behar Bajroviq është liruar nga paraburgimi, më ka kontaktuar në aplikacionin ku flisja me Pëllumb Gjokën. Kam biseduar me të për rastet kur do të paraqitej për ekzekutimin e masës dhe të paraqitej për gjykimin e çështjeve ndaj tij…” – ka dëshmuar ish-prokurori Lita.
Ndaj Gjokës, SPAK ka ngritur akuzë për sigurimin e kushteve për vrasjen e Dor Dulit dhe Ibrahim Licit për shkak të komunikimeve në SKY me Behar Bajrin.
Për ngritjen e akuzave, prokuroria i është referuar një bisede ndërmjet Gjokës dhe Bajrit në komunikimet SKY ECC më 2 korrik 2020:
“Sot do të takoj atë shokun e policisë dhe ti them për ndonjë info për Brahimin” i shkruan Gjoka Bajrit, i cili nga ana e tij tregohet i gatshëm për ta shpërblyer.
“Nëse pranon, premtoi sa lekë don, veç të thonë shtëpinë dhe të hapë gojën sa lekë don”.
Referuar pretencës së SPAK, Gjoka i ka kërkuar Hasanbegajt, që në atë periudhë mbante rolin e shefit të sektorit të krimeve në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, që të vendoste në përgjim numrin e telefonit të Licit, me qëllim që të marrë informacione.
SPAK kërkon dënimet për grupin e akuzuar për vrasje, armëmbajtje dhe korrupsion
Gjykata shpalli dënime nga 6 deri në 15 vjet për Pëllumb Gjokën dhe bashkëpunëtorët e tij, të akuzuar për sigurim kushtesh për vrasje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje, korrupsion dhe zbulim aktesh sekrete.

– Pëllumb Gjoka, 14 vite burg, akuzuar për sigurim kushtesh e mjete materiale për të kryer vrasje në dëm të shtetasve Kleanthi Musabelliu dhe Dorian Duli, armëmbajtje pa leje, grup kriminal dhe korrupsion
– Behar Brahoviç (Bajri), 15 vjet, i akuzuar për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen e Kleanthi Musabelliut dhe Dorian Dulit, armëmbajtje pa leje dhe dhe grup kriminal
– Edmond Preka, 11 vjet, i akuzuar për sigurim kushtesh për të kryer vrasjen në dëm të Kleanthi Musabelliut, armëmbajtje pa leje dhe grup kriminal
– Astmer Bilali, 10 vjet, i akuzuar për pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasje në dëm të shtetasve Dorian Duli, Genc Tafili dhe Ibrahim Lici
– Ardrit Hasanbegaj, 9 vjet i akuzuar sigurim kushtesh për të vrarë Ibrahim Licin, pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal
– Xhevahir Lita, 6 vjet, i akuzuar për zbulim i akteve sekrete dhe korrupsion në dy raste
– Oltion Bistri, 9 vjet, i akuzuar për korrupsion, zbulim i akteve sekrete në dy raste dhe pastrim parash
Nga informacionet e marra nga kompania Vodafone, numri i pretenduar se ishte i Ibrahim Licit ishte regjistruar në emër të djalit të xhaxhait të tij, Ramazanit.
“Arditi më ka dhënë një numër të Ibrahim Licit. Kam përpiluar kërkesën për futjen në përgjim të numrit për përgjim, apo shtesë për përgjim. Them me bindje se ka qenë pas vrasjes së Gjin Boriçit, ku Ibrahim Lici ishte autori i dyshuar.” – dyshmoi për prokurorinë një tjetër oficer i krimeve.
Më 23 korrik 2023, Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Gjokës dhe 14 të dyshuarve të tjerë: Behar Bajri, Denis Bajri, Ervis Martinaj, Edmond Preka, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra, Astmer Bilali, Aleks Ndreka, Bardhyl Mavraj, Eljon Hato, Arsad Bashli, Ardit Hasanbegaj, ish-shef i Krimeve në Policinë e Shkodrës, Oltian Bistri, ish-drejtor i Forcës Operacionale, dhe Xhevahir Lita, ish-prokuror i Shkodrës.
Policia mundi të arrestonte vetëm gjashtë prej të kërkuarve, mes të cilëve tre ish-zyrtarë të forcave të zbatimit të ligjit, sipërmarrësin Gjoka, shoferin e tij Preka dhe ish-sportistin Bilali.
Gati dy vjet më pas, prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti, në konkluzionet përfundimtare të dhëna më 26 qershor 2025, kërkuan që Pëllumb Gjoka të shpallej fajtor për pesë akuza, përfshirë sigurimin e kushteve për të kryer vrasje, korrupsion pasiv, armëmbajtje pa leje dhe veprime brenda grupit të strukturuar kriminal.
Ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-drejtori i njësisë Operacionale, Oltion Bistri, akuzohen për korrupsion dhe zbulim të të dhënave sekrete, ku për Litën u kërkua dënimi me 6 vjet burgim (reduktuar në 4 vjet), ndërsa për Bistrin u kërkua 9 vjet (reduktuar në 6 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar).
Gjoka e ankimoi vendimin që e mban në burg në të tre shkallët e gjykimit, duke kundërshtuar si të paligjshëm ndalimin e tij në bazë të provave të marra nga Sky ECC, por pa rezultat.
Gjurmët e çështjes penale
Hapat gjyqësorë dhe datat kyçe për të pandehurit, duke përfshirë seancat paraprake, gjyqet e ndara dhe vendimet përfundimtare të SPAK-ut

26.04.2024 – Paraqitet kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq (Seanca Paraprake) për të pandehurit Pëllumb Gjoka, Behar Brajoviç, Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardit Hasanbegaj, Oltian Bistri dhe Xhevahir Lita.
29.04.2024 – Dosja shortohet për procedurat e mëtejshme.
13.05.2024 – Zhvillohet seanca e parë paraprake.
08.11.2024 – Gjyqtari i seancës paraprake vendos dërgimin e çështjes penale në gjyq.
18.11.2024 – Dosja penale regjistrohet si dosje penale themeli.
19.11.2024 – Dosja shortohet për caktimin e trupit gjykues.
12.12.2024 – Caktohet seanca e parë gjyqësore.
07.05.2025 – Regjistrohet dosja penale e ndarë për të pandehurit Pëllumb Gjoka, Behar Brajoviç dhe Edmond Preka (dosja me gjykim të zakonshëm). Aktualisht kjo dosje ndodhet në fazën e paraqitjes së parashtrimeve dhe kërkesave për prova të të pandehurve.
18.11.2025 – Jepet vendimi përfundimtar nr. 73 (dosja me gjykim të shkurtuar) për të pandehurit Behar Brajoviq, Edmond Preka, Astmer Bilali, Xhevahir Lita dhe Oltian Bistri.
Në të njëjtën datë, dosja ndahet për të pandehurit Pëllumb Gjoka dhe Ardit Hasanbegaj.
Trupi gjykues (gjyqtaret Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj) kërkon heqjen dorë nga gjykimi i çështjes për Pëllumb Gjokën dhe Ardit Hasanbegaj, kërkesë e miratuar nga Kryetari i Gjykatës.
15.12.2025 – Dosja e ndarë për Pëllumb Gjokën dhe Ardit Hasanbegaj shortohet për një trup tjetër gjykues, me kryesuese gjyqtare Flojera Davidhi. Aktualisht, kjo dosje ndodhet në fazën e konkluzioneve përfundimtare të prokurorit.
Po ashtu, Ai kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që komunikimet e marra përmes platformës Sky ECC të shpalleshin të papërdorshme, duke argumentuar se ato shkelin Kushtetutën dhe se arrestimi i tij ishte i paligjshëm, por më 30 dhjetor Gjykata rrëzoi kërkesën njëzëri, duke lënë në fuqi vendimet ekzistuese dhe procedurat e ndjekura në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Avokati i Gjokës kërkoi që çdo pretendim dhe akuzë ndaj klientit të ndiqej dhe verifikohej vetëm përmes procesit gjyqësor, duke theksuar se vendi ku pasqyrohen zyrtarisht të vërtetat mbi personat është gjykata.
“Episodet hetimore dhe episodet që ju kërkoni në pyetjet tuaja janë të stisura, të paprovuara dhe madje edhe të pangritura në asnjë proçes hetimor në ngarkim të Pëllumb Gjokës. Siç u sugjerova, ju lutem të ndiqni proçesin gjyqësor ndaj tij dhe jo llafet e rrugëve” – deklaroi avokati Ylli Manjani.
























