Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për pushimin e hetimeve ndaj ish-kryetarit të Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP), Jonaid Myzyri, dhe katër ish-anëtareve të komisionit, pas përfundimit të veprimeve hetimore shtesë të kërkuara nga gjykata.
Vendimi u mor të enjten nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi prokurori i çështjes paraqiti një akt-ekspertim të kërkuar në seancën paraprake. Sipas ekspertimit, procedura e prokurimit që ishte objekt i hetimit ishte zhvilluar në përputhje me rregullat ligjore dhe investimet e parashikuara ishin realizuar.
Përveç Myzyrit, hetimet u pushuan edhe për ish-anëtaret e KPP-së, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.
SPAK kishte ngritur më herët akuza ndaj Myzyrit dhe zyrtarëve të tjerë të KPP-së për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, duke pretenduar se ata kishin favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë gjatë shqyrtimit të një procedure prokurimi, pavarësisht se ky subjekt kishte paraqitur dokumente të falsifikuara.
Hetimi lidhej me një tender të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) në shtator 2020 për mirëmbajtjen me performancë të segmentit rrugor Rrëshen (Ura e Fanit)–Shpal, Shpal–Qafë Bene–Hadroj dhe Shpal–Ura e Repsit, me një fond limit prej 219.8 milionë lekësh, pa TVSH.
Pak muaj më parë, SPAK kërkoi pushimin e procedimit penal, por gjykata urdhëroi kryerjen e hetimeve shtesë përpara se të merrte një vendim përfundimtar. Pas administrimit të akt-ekspertimit, gjykata e konsideroi të plotë bazën provuese për mbylljen e çështjes.
Myzyri, i cili mori drejtimin e KPP-së në vitin 2020, ishte pezulluar nga detyra vitin e kaluar në kuadër të hetimit. Muajin e kaluar, ai u emërua drejtor i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, një shoqëri aksionare me kapital tërësisht shtetëror që ofron shërbime të prokurimit për institucionet publike.
SPAK dhe Gjykata e Posaçme nuk kanë bërë komente të mëtejshme mbi vendimin.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.






















