Skemat e tjetërsimit të pronave në Durrës, gjykata lë në burg zyrtarët e Kadastrës

Prokuroria thotë se dokumente të falsifikuara u përdorën për regjistrimin e pronave shtetërore në emër të privatëve; u sekuestruan 13 prona me sipërfaqe mbi 80 mijë metra katrorë, ndërsa hetimet lidhen me një fenomen që prej vitesh është në fokus të drejtësisë.

52
Tjetërsimi i pronave në Durrës/Ilustrim
Credits: shteg.org - Tjetërsimi i pronave në Durrës/Ilustrim

Gjykata e Durrësit ka caktuar masa sigurie ndaj 12 personave, mes tyre punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe persona privatë, të dyshuar për përfshirje në një skemë të falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave shtetërore në zonën bregdetare të Durrësit, njoftoi Prokuroria.

Masat përfshijnë katër urdhra “arrest në burg”, katër masa “arrest në shtëpi” dhe katër masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, ndërsa gjykata ka vendosur gjithashtu sekuestro preventive mbi një sërë pronash me sipërfaqe totale mbi 53 mijë metra katrorë.

Sipas Prokurorisë së Durrësit, hetimet mbi procedimin penal të regjistruar në vitin 2022 nisën pasi, gjatë inventarizimit të regjistrave hipotekorë të ASHK Durrës, u konstatuan parregullsi që ngritën dyshime për falsifikim dokumentesh.

“Nga ana e organit procedues u arrit të provohet mekanizmi i falsifikimit dhe përvetësimit të pasurive me qëllim përfitimin material në gjashtë raste në zonën kadastrale 1574, ndodhur në Kallm dhe NB Frutore Durrës (zona bregdetare)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas organit të akuzës, personat nën hetim, Ramazan Sheshi, Shaqir Sheshi, Arianit Mataj, Viktor Mataj, Besnik Xhafa dhe Fiqerete Xhafa, dyshohen se, në bashkëpunim me punonjës të ASHK-së Durrës, kanë falsifikuar dokumentacionin për regjistrimin e pronave në kundërshtim me ligjin, me qëllim përfitimin material.

“Dokumentet e falsifikuara futeshin në arkivën e ish-ASHK-së Durrës, duke marrë numra reference, në disa raste të dubluara, dhe më pas janë hedhur në regjistrin e pasurive të paluajtshme, duke u vendosur data fiktive regjistrimi”, tha Prokuroria.

Sipas saj, nga regjistrat janë hequr edhe fletë origjinale, ndërsa pronat e regjistruara si shtet janë zëvendësuar me dokumente të falsifikuara në emër të personave nën hetim, të cilët më pas, në disa raste, dyshohet se ua kanë shitur pronat personave të tretë për të fshehur gjurmët.

Prokuroria tha gjithashtu se punonjësit e ASHK-së, Adrian Kona, Bledar Zerba, Rovin Zeqja, Jonida Mergeja, Leandro Dervishi dhe Artur Çobani, dyshohen se kanë regjistruar pronat mbi bazën e dokumentacionit të falsifikuar, pa kryer verifikimet e kërkuara nga ligji.

Gjykata caktoi masën “arrest në burg” për Ramazan Sheshin, i dyshuar për “mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale”. E njëjta masë u dha edhe për Adrian Konën, Bledar Zerbën dhe Rovin Zeqjan, të tre të dyshuar për “falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre”.

Gjykata vendosi masën “arrest në shtëpi” për Shaqir Sheshin, Viktor Matajn, Arianit Matajn dhe Besnik Xhafën, të gjithë të dyshuar për “mashtrim dhe falsifikim dokumentesh”, ndërsa me masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” gjykata vendosi për Fiqerete Xhafën, e dyshuar për “mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale”, si dhe për Jonida Mergejën, Leandro Dervishin dhe Artur Çobanin, të dyshuar për “shpërdorim detyre”.

Në kuadër të hetimit, Gjykata e Durrësit urdhëroi vendosjen e sekuestros preventive mbi 13 prona, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 80,578 metrash katrorë, prona këto që rezultojnë të jenë në zonën e Kallmit dhe ish-Ndërmarrjes Bujqësore Frutore në Durrës.

Hetimet e SPAK-ut tregojnë se tjetërsimi i pronave në qarkun e Durrësit dyshohet se është kryer përmes skemave të organizuara që kanë vepruar ndër vite. Në një tjetër dosje të rëndësishme, Prokuroria e Posaçme përfundoi së fundmi hetimet dhe dërgoi për gjykim Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi”, vëllanë e tij, Vullnet Muçën, dhe gjashtë të pandehur të tjerë. Sipas organit të akuzës, ata dyshohet se falsifikuan dokumente për të tjetërsuar prona në zonën nga Shijaku deri në Kepin e Rodonit, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 16 milionë eurosh.

Prokuroria e Posaçme pretendon se ka siguruar prova se, përmes kësaj skeme, të pandehurit përfituan në mënyrë të paligjshme të paktën 687 mijë metra katrorë tokë shtetërore, kryesisht në zona bregdetare me vlerë të lartë, ndërsa një pjesë e këtyre pasurive më pas u transferuan ose u shitën te persona të tretë. Sipas SPAK-ut, për shkak të pasojave të rënda që dyshohet se ka sjellë kjo veprimtari, ndaj të pandehurve është ngritur edhe akuza e mashtrimit me pasoja të rënda, e parashikuar nga neni 143, pika 3, e Kodit Penal, që parashikon dënim me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Sipas dosjes së SPAK-ut, shitja e pronave të regjistruara mbi bazën e dokumenteve të dyshuara të falsifikuara është kryer, në disa raste, duke shfrytëzuar besimin e personave që figuronin formalisht si pronarë, ndërsa në raste të tjera në bashkëpunim me të afërm të tyre. Prokuroria e Posaçme pretendon se Aleksandër Laho dhe Vullnet Muça kanë qenë përfituesit kryesorë të skemës dhe zotëruesit faktikë të një pjese të konsiderueshme të pasurive të regjistruara me dokumentacion të falsifikuar.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.