Policia shton procedimet penale ndaj protestuesve

Një person u arrestua, shtatë u proceduan dhe katër u shpallën në kërkim pas protestës te Komisariati Nr. 3, ndërsa numri i personave të proceduar që nga fillimi i protestave ka arritur në rreth 130.

20
Policia duke përdorur shkopinj gome dhe dhunë ndaj protestuesve
Credits: LSA - Policia duke përdorur shkopinj gome dhe dhunë ndaj protestuesve

Policia e Shtetit njoftoi të martën se ka arrestuar një person, ka proceduar penalisht shtatë të tjerë dhe ka shpallur në kërkim katër persona në kuadër të hetimeve për protestën e zhvilluar më 4 korrik pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Sipas njoftimit të policisë, veprimet janë ndërmarrë pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës për tubimin, gjatë të cilit autoritetet pretendojnë se janë kryer akte dhune ndaj efektivëve të policisë dhe godinës së komisariatit.

Policia bëri të ditur se ka ndaluar shtetasin E.H., 33 vjeç, ndërsa në gjendje të lirë janë proceduar penalisht shtatë persona të tjerë. Katër persona janë shpallur në kërkim, ndërsa identitetet e tyre nuk janë bërë publike, me argumentin se hetimet janë ende në zhvillim.

Materialet i janë referuar Prokurorisë për një sërë veprash penale, përfshirë “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Njoftimi i policisë lidhet me protestën e zhvilluar më 4 korrik jashtë Komisariatit Nr. 3, ku qindra qytetarë u mblodhën pas arrestimit të 19 protestuesve gjatë demonstratave të zhvilluara më herët në Tiranë. Ata ishin arrestuar me dyshimin për vepra penale që varionin nga pengimi i qarkullimit rrugor deri te mosbindja ndaj urdhrave të policisë.

Protestat në kryeqytet kanë hyrë tashmë në ditën e 39-të dhe janë shoqëruar me përplasje të herëpashershme mes protestuesve dhe forcave të rendit, si edhe me një numër të lartë procedimesh penale.

Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet, që nga fillimi i protestave, policia ka referuar në Prokurorinë e Tiranës rreth 130 persona për vepra të ndryshme penale që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e protestave.

Megjithatë, një pjesë e masave të kërkuara nga prokuroria nuk janë mbështetur nga gjykata. Nga 19 protestuesit e arrestuar fillimisht, gjykata vendosi lirimin e shumicës së tyre, duke caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për dy persona, ndërsa për disa të tjerë nuk u caktua asnjë masë sigurie.

Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut, Avokati i Popullit dhe pjesëmarrësit në protesta kanë ngritur shqetësime për përdorimin e forcës nga policia gjatë ndërhyrjeve për shpërndarjen e demonstruesve.

Pamje video të publikuara nga Shteg.org tregojnë efektivë policie duke ushtruar dhunë ndaj disa protestuesve gjatë ndërhyrjeve. Deri tani, Prokuroria e Tiranës nuk ka bërë të ditur hapjen e ndonjë procedimi penal ndaj punonjësve të policisë lidhur me këto pretendime.

Policia e Shtetit nuk i ka komentuar publikisht akuzat për përdorim të tepruar të forcës, ndërsa hetimet për ngjarjet e lidhura me protestat vijojnë.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.