Një skemë e dyshuar ndërkombëtare mashtrimi me investime në kriptovaluta përfundoi duke kanalizuar një pjesë të fondeve në Shqipëri përmes një rrjeti kompanish të krijuara në vend dhe investimeve në pasuri të paluajtshme në bregdetin e jugut.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi të martën se ka dërguar për gjykim katër persona, mes tyre shtetasit spanjollë Alvaro Romillo Castillo dhe Domingo Romillo Iriarte, si dhe shtetasen rumune Mihaela Munteanu Manole dhe shtetasen Doris Pere, të akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas hetuesve, të pandehurit krijuan kompani fiktive në Shqipëri për të integruar në ekonominë formale fonde me origjinë të dyshuar kriminale, të cilat më pas u investuan në prona, automjete dhe transferta financiare.
Të pandehurit krijuan gjatë qershorit 2024 tre shoqëri tregtare në Shqipëri: “Wingwort”, “Wortnova” dhe “Wortend”, të regjistruara me kapital minimal dhe me objekt veprimtarie në sektorin e turizmit dhe menaxhimit të pasurive të paluajtshme.
Hetuesit dyshojnë se kompanitë janë përdorur për të futur në ekonominë shqiptare fonde me origjinë kriminale, përmes transfertave ndërkombëtare, faturave të dyshuara fiktive dhe pagesave pa dokumentacion ekonomik justifikues.
Sipas SPAK, shoqëria “Wortend” ka realizuar qarkullime financiare që nuk përputheshin me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetin ekonomik të kompanisë. Hetimi evidenton gjithashtu kreditime bankare që tejkalonin vlerën e faturave të lëshuara, pagesa drejt kompanive të huaja pa dokumentacion mbështetës dhe investime në automjete luksoze dhe prona të paluajtshme.
Një pjesë e fondeve, sipas prokurorisë, u përdor për blerjen e dy sipërfaqeve toke në zonën e Dhërmiut, me një sipërfaqe totale prej 23.16 hektarësh, për një vlerë të deklaruar prej 1.62 milionë eurosh.
Një ekspertim i kryer gjatë hetimit arriti në përfundimin se vlera reale e tregut ishte më e lartë se ajo e deklaruar në kontratat e shitblerjes, duke ngritur dyshime për nënvlerësim të qëllimshëm të transaksioneve.
Çështja shqiptare lidhet ngushtë me një hetim shumë më të gjerë të autoriteteve spanjolle mbi një skemë të dyshuar mashtrimi financiar, që dyshohet se ka përfshirë qindra milionë euro.
SPAK bëri të ditur se gjatë hetimit ka administruar prova të ardhura përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me autoritetet e Mbretërisë së Spanjës, sipas të cilave disa nga të pandehurit janë nën hetim për mashtrim.
Alvaro Romillo Castillo, i akuzuar për vepra penale që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe krijimin e organizatës kriminale, dyshohet se ka udhëhequr një skemë mashtruese investimi përmes platformës Madeira Invest Club (MIC), e cila thuhet se ka tërhequr fonde nga mijëra investitorë me premtimin e kthimeve të larta dhe të qëndrueshme.
Sipas autoriteteve spanjolle dhe dokumenteve të hetimit, Castillo, i njohur në platformat e kriptovalutave si “Luis” ose “Cryptospain”, komunikonte me klientët e tij nëpërmjet rrjetit “Telegram”. Ai u premtonte njerëzve të ndryshëm se investimi i tyre do të shumëfishohej në një kohë të shkurtër, falë konvertimit të tij në kriptovaluta dhe shpërndarjes në sipërmarrje të ndryshme globale.
Hetuesit në Spanjë dyshojnë se rrjeti ka tërhequr fonde nga mijëra investitorë, ndërsa vlerësimet për dëmin financiar variojnë nga rreth 250 milionë deri në mbi 300 milionë euro. Në disa dokumente hetimore përmenden rreth 27 mijë investitorë potencialisht të dëmtuar.
Kompania vepronte si një fond investimi anonim. Klientëve nuk u kërkohej të jepnin emrat e tyre. Për t’u bërë pjesë e “klubit”, secili prej tyre duhej të investonte një shumë të caktuar parash, duke filluar nga 1.5 milionë euro.
Autoritetet spanjolle besojnë se grupi i dyshuar kriminal, me seli në Madrid, kishte krijuar një rrjet kompanish fiktive në Portugali, Shtetet e Bashkuara, Republikën Dominikane, Estoni dhe Shqipëri.
Paratë që u investuan në Dhërmi
Të dhënat zyrtare tregojnë se Alvaro Romillo Castillo, “Luisi”, babai i tij Domingo Romillo Iriarte dhe partnerja e këtij të fundit, Mihaela Munteanu Manole, kanë krijuar dy kompani në Shqipëri në vitin 2024.
Shoqëritë “Wortend” dhe “Wortnova” janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në të njëjtën datë, më 6 qershor 2024. Adresa e tyre është e njëjtë: Rr. Teodor Keko, pranë Astritit, në Tiranë.
Hetimet treguan se Domingo Romillo Iriarte kishte rolin drejtues në funksionimin e skemës në Shqipëri, duke administruar shoqëritë tregtare, duke orientuar qarkullimin e fondeve dhe duke vendosur mbi investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera.
Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kontribuan në funksionimin e strukturës përmes roleve të tyre formale në kompanitë “Wortnova” dhe “Wortend”, duke krijuar, sipas prokurorisë, pamjen e një aktiviteti ekonomik të ligjshëm.
Ndërkohë, Doris Pere dyshohet se ka ndihmuar në funksionimin praktik të skemës në Shqipëri, duke kryer procedura administrative dhe bankare, duke siguruar adresat e kompanive dhe duke realizuar pagesa në emër të tyre.
Sipas prokurorisë, kompanitë shqiptare kanë lidhur kontrata shitblerjeje dhe kanë blerë pasuri të paluajtshme në Dhërmi me çmime dukshëm më të ulëta se vlera e tregut, përmes marrëdhënieve tregtare me shoqëri të huaja të regjistruara në Bullgari, Sllovaki dhe Malajzi.
Gjithashtu, janë konstatuar kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj shoqërive të huaja pa dokumentacion justifikues, si dhe blerje të pasurive të paluajtshme dhe automjeteve me vlerë të lartë. Një pjesë e fondeve janë përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale prej 23.16 hektarësh, kundrejt vlerës prej 1,621,200 euro.
Në kuadër të hetimit, autoritetet shqiptare vendosën sekuestro preventive mbi pasuritë e identifikuara si të lidhura me skemën e dyshuar të pastrimit të parave.
Mes tyre janë mbi 23 hektarë tokë në zonën e Dhërmiut, shoqëritë tregtare “Wingwort”, “Wortend” dhe “Wortnova”, automjete luksoze, përfshirë një Mercedes-Benz AMG G63 dhe një Toyota Land Cruiser, si dhe llogari bankare. Sipas SPAK, këto pasuri dyshohet se janë përfituar ose përdorur për të integruar në ekonominë formale fonde me origjinë të dyshuar kriminale.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.
























