Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka depozituar kërkesë në gjykatë për konfiskimin përfundimtar të pasurive të Jusel Micit dhe Mendim Domit, të akuzuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe mashtrim kompjuterik përmes skemave të paligjshme të “call center”-ave që targetonin qytetarë të Bashkimit Evropian.
Pasuritë ndodhen nën sekuestro që prej 7 marsit 2025, me vendim të Gjykatë së Posaçme, ndërsa tashmë SPAK kërkon kalimin e tyre përfundimtar në favor të shtetit, në kuadër të procedimit pasuror të nisur në vitin 2024.
Sipas organit të akuzës, pasuritë e dy 32-vjeçarëve nuk justifikohen nga burime të ligjshme të ardhurash. Hetimet njëvjeçare kanë nxjerrë në pah një pasuri totale mbi 2 milionë euro, e përbërë nga apartamente dhe njësi banimi, vila në Gjirin e Lalëzit dhe komplekse turistike rezidenciale, toka në zonat e Mazrekut, Kasharit dhe Saukut, si dhe aksione në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.
Gjithashtu janë sekuestruar automjete luksoze të markave “BMW” dhe “Audi”, gjashtë garazhe në njësinë administrative nr. 9, si dhe llogari bankare në euro dhe lekë të hapura në Union Bank.
Mici dhe Domi, janë nën akuzë për veprat penale, “mashtrim kompjuterik”, “grup i strukturuar kriminal”, “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “fshehje e të ardhurave”. GJKKO doli me vendim në Qershor të 2025 duke i gjetur fajtorë, por vendimi u rrëzua në Gjykatën e Posaçme të Apelit, duke e rikthyer edhe njëherë çështjen për gjykim.
Kërkesa për konfiskimin e pasurisë vjen në kuadër të procedimit pasuror të vitit 2024, ku pas një viti hetimi, Spak do ti sekuestronte nën dyshimin se pasuritë e dy 32 vjecarëve nuk justifikohen nga të ardhura të ligjshme.
Domi dhe Mici u arrestuan në vitin 2022 të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal, të cilët përmes mashtrimit dhe veprimtarive joligjore bindnin me anë të telefonatave “call center” qytetarë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe i bindnin të investonin në kriptovaluta apo tregje fiktive të shfaqura përmes platformave online. Ata mundën të xhironin në llogarinë e kompanisë së tyre fantazmë vlerën prej rreth 5.8 milionë eurosh.
Jusel Mici dënua fillimisht nga GJJKKO verën e kaluar me 12 vite burg, por me përfitimin nga gjykimi i shkurtuar, sipas nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi iu ul me një të tretën, duke u konvertuar në 8 vite burg efektiv.
Ndërsa Mendim Domi, i cili rezulton me disa dënime të bashkuara, u dënua me gjithsej 11 vite burgim. Edhe për të u aplikua e njëjta masë lehtësuese, duke rezultuar në një dënim përfundimtar prej 7 vitesh e 4 muaj burg. Ndërsa Apeli ende nuk ka marrë një vendim.
Saga e tyre në këtë aktivitet të paligjshëm të mashtrimit me anë të Call Centerave do të niste rreth 8 vjet më parë, kur të dy 25-vjeçarë vendosën t’ja shisnin kompaninë e tyre “VibeMedia” një shtetasi italian të quajtur Maurizio Giacalone për 100 lekë.
Hetimet e mëvonshme të Spak, zbuluan se pavarësisht se 2 kushërinjtë rezultonin pronarë në letra, në të vërtetë kompanitë ishin krijuar nga shtetas italianë. Gjithashtu hetimet arritën të zbulojnë një rrjet të mirëoraganizuar me të paktën 24 kompani të krijuara në Shqipëri, që mashtronin qytetarë të vendeve të BE-së. Pasi i bindnin viktimat të investonin në platformat e rreme financiare online, grupi ndërpriste çdo kontakt me ta.
Në total, SPAK ka dokumentuar një rrjet prej të paktën 24 kompanish të krijuara në Shqipëri, të cilat mashtronin qytetarë të BE-së, ndërsa përfituesit kryesorë të skemës dyshohet se ishin Giacalone dhe të paktën shtatë shtetas italianë të tjerë, shumica me origjinë nga Palermo.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.

























