Shkarkohen Drejtori i Policisë së Shtetit dhe ai i Tiranës pas protestave të dhunshme

Vendimi i qeverisë vjen pas incidenteve gjatë tubimit të 28 shkurtit, ndërsa Sokol Bizhga merr drejtimin e përkohshëm të Policisë së Shtetit.

551
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda
Credits: Policia e Shtetit - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, janë larguar nga detyra të dielën, më 1 mars, pas vlerësimeve të qeverisë për menaxhimin e protestave të zhvilluara në kryeqytet.

Burime zyrtare bëjnë me dije se shkarkimi i menjëhershëm erdhi pas protestës së thirrur nga Partia Demokratike të shtunën, më 28 shkurt, e cila u shoqërua me incidente të dhunshme dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se shkarkimi i menjëhershëm i tyre erdhi pas protestës së thirrur nga Partia Demokratike, tubim i cili u zhvillua të shtunën, më 28 shkurt, dhe u shoqërua me incidente të dhunshme dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Sipas të njëjtave burime, motivacioni i largimit të Prodës dhe Alushit lidhet me mosgarantimin e rendit dhe me vënien në rrezik të jetës së qytetarëve, përfshirë shtetas të huaj, veçanërisht gjatë episodeve të sulmeve me molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të ish-Vilës së Enver Hoxhës, e cila aktualisht funksionon si qendër kulturore.

Me vendim të Kryeministrit Edi Rama, në vend të Ilir Prodës është komanduar Sokol Bizhga, i cili më herët ka shërbyer si zv/drejtor i përgjithshëm. Bizhgës i është besuar drejtimi i institucionit përkohësisht, deri në emërimin e drejtorit të ri. Ndërkohë, ende nuk është bërë i ditur emri i zëvendësuesit të Elton Alushit në krye të Policisë së Tiranës.

Proda ishte në krye të Policisë së Shtetit prej afro 1 viti e gjysmë, që prej Tetorit 2024, kur mori detyrën në moshën 41-vjeçare. Emri i tij është përmendur disa herë në debatin politik, duke u vënë në qendër të akuzave të opozitës për lidhje të dyshuara me elementë të krimit të organizuar.

Që në kohën kur Proda ishte në krye të Policisë së Elbasanit dhe më pas vendosi të garojë për drejtimin e Policisë së Shtetit, agjentët e SPAK i sekuestruan telefonin nën dyshimet se kishte dekonspiruar një operacionin policor që kishte si qëllim kapjen e grupit kriminal “Çopja”, ku këta të fundit janë nën akuzë për drejtimin e një grupi kriminal që drejton një prej rrjeteve më të mëdha të kokainës në Europë.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.