Ky mëngjes nuk nisi si gjithë të tjerët, nuk nisi me rutinën e zakonshme. Papritur, një lajm e copëtoi heshtjen dhe e ktheu këtë mëngjes në një plagë. Kështu nisi kjo ditë. Me emrin e Enea Makollit, një djalë i ri, 34 vjeç, punonjës policie, të cilit iu ndërpre jeta dhe misioni nga dora e ftohtë e një krimineli. Ngjarja ndodhi në Maliq të Korçës. Por dhimbja nuk njeh hartë, ajo përhapet kudo ku ka njerëz që besojnë te rendi, te drejtësia dhe te siguria.
Enea nuk ishte thjesht një njeri me uniformë. Ai ishte një zyrtarë policie me një pasion të rrallë për misionin që kishte marrë përsipër, me peshën e detyrës mbi supe dhe me vendosmërinë për ta përmbushur atë në shërbim të të gjithë neve, të gjithë atyre që, çdo ditë, kërkojmë vetëm pak rend e pak siguri për familjet e tyre. Ai e dinte se uniforma nuk është një rrobë, është një betim. Dhe ai e mbajti atë betim deri në frymën e fundit.
Ndërsa ne flemë të qetë natën, ka njerëz si Enea që rrinë zgjuar për ne. Ndërsa ne ankohemi për gjërat e vogla të jetës, ka njerëz si Enea që dalin përballë rrezikut të vërtetë. Kjo është detyra e policit. Të qëndrojë midis qytetarit dhe së keqes. Shpesh i panjohur, shpesh i pavlerësuar, gjithmonë i ekspozuar. Enea e zgjodhi këtë pozitë. Dhe pikërisht aty, në vijën e parë, gjeti vdekjen.
Ai që e vrau nuk ishte një fatkeqësi e rastit. Ai ishte një kriminel i dënuar, i cili prej rreth dhjetë vjetësh i ishte shmangur ligjit dhe ndëshkimit për veprën që kishte kryer. Dhjetë vjet në fshehtësi, dhjetë vjet gjatë të cilëve ai ishte një rrezik i heshtur, një kërcënim i përhershëm për komunitetin që e strehonte duke e ditur ose jo, ose pa guxuar të tregonte për të. Ai u kishte shpëtuar disa aksioneve të policisë. Por sot, kur u ndodh përballë tyre, nuk e kurseu jetën e një shërbëtori të shtetit. Ky është portreti i së keqes. Është e frikshme jo për fuqinë e saj, por për mungesën e çdo skrupulli, për gatishmërinë për të marrë një jetë vetëm e vetëm për të mbrojtur lirinë e vet të padrejtë.
Dhe pikërisht këtu qëndron mesazhi i parë dhe më i rëndësishëm. E keqja nuk fle. Ajo pret, fshihet dhe bën llogari. Prandaj as ne nuk mund të flemë. Policia nuk duhet të dorëzohet. Kurrë. Çdo kriminel që sot mendon se mund të rrijë në hije dhe të presë që stuhia të kalojë, duhet ta dijë se shteti ka kujtesë, ka durim dhe ka vendosmëri. Maliqi nuk është fundi i një historie. Ai është fillimi i një premtimi. Askush që ka derdhur gjak të pafajshëm nuk do të gjejë paqe deri sa drejtësia ta arrijë. Këtë duhet ta di organizata e policisë.
Enea sot është bërë diçka më e madhe se vetja. Ai është shndërruar në një simbol, në provën e gjallë se shërbimi ndaj atdheut dhe njerëzve të tij ka një çmim, dhe se ka burra e gra që janë gati ta paguajnë atë çmim. Ai është motivi që duhet të mbajë zgjuar çdo punonjës policie. Jo motivi i hakmarrjes, por i përgjegjësisë. Të mos kursehet asnjë bandit. Të mos tolerohet asnjë krim. Të mos lihet asnjë qytetar pa mbrojtjen që meriton. Kjo është mënyra e vetme që sakrifica e tij të mos jetë e kotë.
Dhe është edhe një mesazh tjetër, më i ashpër, por që rrjedh po aq i vërtetë. Uniforma e policisë është e shenjtë, sepse ata që e veshin marrin përsipër të rrezikojnë gjithçka për të tjerët. Kushdo që e tradhton këtë ideal, kush e shet detyrën, kush bën sehir kur duhet të veprojë, kush e harron se përse e veshi atë uniformë, nuk meriton ta mbajë atë as edhe një sekondë më shumë. Sepse çdo dorëzim, çdo kompromis me të keqen, është një fyerje ndaj kujtimit të Eneas dhe ndaj çdo polici që ka rënë në krye të detyrës. Idealit të tij i përkasin vetëm ata që e mbajnë uniformën me ndershmëri.
Ngushëllime familjes së të ndjerit. Asnjë fjalë nuk e mbush boshllëkun që la pas një bir, një djalë i ri me gjithë jetën përpara. Por le ta dinë se djali i tyre nuk vdiq i panjohur, ai ra si hero, dhe një komb e mban mend. Ngushëllime gjithë punonjësve të ndershëm të policisë, që sot ndjejnë se humbën një vëlla. Dhimbja juaj është dhimbja jonë.
Dhe një fjalë edhe për ata që drejtojnë sot policinë. Një humbje e tillë mund të rëndojë mbi shpatullat e çdo udhëheqësi. Por kjo nuk duhet të thyejë e të demoralizojë askënd. Përkundrazi, ajo duhet të shërbejë si një alarm, si një motiv i ripërtërirë. Të mos tolerohet kurrë askush që bie ndesh me ligjin dhe me të drejtën e shqiptarëve të ndershëm. Forca e një shteti nuk matet me ditët kur gjithçka shkon mirë, por me mënyrën si ngrihet pas një goditjeje.
Sot Enea Makolli është yll në qiell. Por yjet nuk janë vetëm dritë e largët për t’u admiruar, ata janë busull orientimi. Le të jetë ai busulla. Drejtimi që na kujton se e keqja mund të mundet, se rendi mund të mbrohet, se sakrifica nuk harrohet. Drita e tij nuk u shua atje ku ndodhi ngjarja. Ajo duhet të filloj të udhëheqë.
I përjetshëm kujtimi i tij. Lamtumirë, Enea.
Prençi është një figurë e njohur në fushën e zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë në Shqipëri, me një karrierë që shtrihet në mbi dy dekada në institucione të rëndësishme shtetërore.
Prençi ka mbajtur pozicionin më të lartë në strukturat e sigurisë në vend, duke shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit (gjatë viteve 2007–2009). Gjatë mandatit të tij, ai udhëhoqi reforma të rëndësishme në strukturat policore, përfshirë modernizimin e policisë dhe kalimin në sistemin e ri të gradave. Edhe pas largimit nga kjo detyrë, ai ka mbetur një zë kritik dhe aktiv në hapësirën publike lidhur me çështjet e sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe pavarësinë e policisë nga politika.


























