Ndërtimet pa leje në vijën bregdetare të Sarandës dhe Ksamilit vijojnë të mbeten një nga problemet më të mprehta që shoqëron zhvillimin urban dhe turistik në jug të vendit. Prej vitesh, zgjerimi i ndërtimeve në zona me ndjeshmëri të lartë mjedisore dhe turistike është shoqëruar me akuza për mungesë kontrolli institucional, tolerim të paligjshmërisë dhe përfshirje të zyrtarëve publikë në mosveprim apo favorizim të këtyre aktiviteteve.
Fenomeni është bërë veçanërisht shqetësues në zonat bregdetare, ku presioni për zhvillim turistik ka sjellë ndërhyrje të shumta pa dokumentacionin përkatës, përfshirë ndërtime në hapësira publike, në territore të mbrojtura dhe madje edhe mbi vijën ujore. Institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë vazhdimisht aksione për prishjen e objekteve të paligjshme, por rastet e përsëritura tregojnë se problematika mbetet strukturore.
Vetëm një muaj më parë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) njoftoi nisjen e një operacioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në Ksamil dhe Sarandë. Sipas njoftimit zyrtar, aksioni parashikonte prishjen e dhjetë objekteve të ndërtuara në kundërshtim me ligjin, përfshirë struktura betoni, metalike dhe druri.
“Sot ka filluar prishja e objekteve pa leje në njësinë administrative të Ksamilit ndërsa do të vazhdojë edhe ditën e nesërme në qytetin e Sarandës. Në total, parashikohet prishja e 10 objekteve mes të cilave struktura beton/arme, metalike ose druri. Objektet janë ndërtuar pa dokumentacionin përkatës dhe në shkelje të ligjit”, thuhej në reagimin e IKMT-së.
Në këtë klimë tensionesh dhe ndërhyrjesh institucionale, një hetim i Autoritetit të Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka çuar së fundmi në arrestimin e katër efektivëve të Policisë së Shtetit, të dyshuar për “shpërdorim detyre” dhe “mosveprim ndaj paligjshmërisë” në lidhje me ndërtimet pa leje në Sarandë.
Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për shefin e Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, si dhe për specialistin e zonës Robert Cullaj. Ndërsa për dy efektivët e tjerë, Andi Duro dhe Ajdin Ismailaj, u vendos masa “arrest shtëpie”.
Sipas hetimeve, çështja lidhet me dy raste të ndërtimit pa leje të konstatuara brenda një periudhe të shkurtër në zonën bregdetare të Sarandës.
Njëri prej rasteve ka të bëjë me një objekt të ndërtuar pa leje në tarracën e hotel “Oasis”, për të cilin Prokuroria ka vendosur sekuestrim preventiv. Sipas organit të akuzës, ndërtimi ishte realizuar gradualisht për një periudhë disa mujore.
“Veprimet ndërtimore rezultojnë të jenë kryer në mënyrë graduale, të paktën nga periudha para datës 12.05.2025 dhe në vijim deri më 31.03.2026, datë në të cilën gjatë inspektimit të ekspertit u konstatua se objekti kishte arritur fazë të avancuar përfundimi, përfshirë fasadën e jashtme dhe vetratat në pjesën ballore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Rasti i dytë lidhet me një tjetër ndërtim të paligjshëm në vijën bregdetare, ku ndërhyrjet përfshinin edhe hapësira mbi ujë. Për këtë episod u arrestuan tetë persona në flagrancë, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. IKMT ka ndërhyrë gjithashtu për prishjen e strukturave të ndërtuara në këtë zonë.
Ngjarja nuk konsiderohet e izoluar. Rreth pesë muaj më parë, Prokuroria e Sarandës çoi për gjykim disa zyrtarë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT), të akuzuar për ndërtim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre në zonën e mbrojtur të “Kanalit të Vivarit”, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Përshkallëzimi i rasteve ka sjellë reagime të menjëhershme politike dhe institucionale. Kryeministri Edi Rama e cilësoi situatën si një “vijë të kuqe” për tolerancën ndaj paligjshmërisë, duke kërkuar masa të ashpra ndaj çdo abuzimi me territorin dhe hapësirat publike.
“Ndërtimet pa leje, zaptimi i hapësirave publike apo abuzimet në kurriz të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, janë një vijë e kuqe. Zero tolerancë ndaj paligjshmërisë dhe përgjegjësi për çdo mosveprim institucional”, deklaroi Rama në rrjetet sociale.
Edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, reagoi duke e cilësuar situatën në Sarandë të papranueshme dhe duke kërkuar përgjegjësi direkte nga strukturat vendore të policisë.
“Është e papranueshme situata në Sarandë dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ndaj kërkohet reflektim, përgjegjësi dhe rikthim i besimit të qytetarëve te Policia. Ndërtimet pa leje në asnjë mënyrë nuk do të lejohen”, deklaroi ai.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Besford Memollari, paralajmëroi se çdo rast mosveprimi institucional do të përballet me drejtësinë.
“Operacioni në Sarandë ka bërë që kushdo që mbyll sytë ndaj paligjshmërisë dhe aq më keq që bëhet palë ka përgjegjësi të qarta pa kompromis. Llogaritë nuk i kanë vetëm me vendin e punës, por me drejtësinë”, u shpreh ministri.
Zhvillimet e fundit në Sarandë duket se kanë nxjerrë në pah jo vetëm problematikën e ndërtimeve pa leje në zonat turistike, por edhe dyshimet mbi mënyrën se si institucionet përgjegjëse kanë reaguar ndaj tyre. Ndërsa aksionet për shembjen e objekteve të paligjshme vijojnë, hetimet pritet të tregojnë nëse kemi të bëjmë me raste të izoluara apo me një skemë më të gjerë tolerimi institucional ndaj ndërtimeve pa leje në bregdetin jugor.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.

























